Drejtori i MTS-së thotë se është zgjidhur çështja e lejes së punës e kompanisë në Kosovë

Institucionet kompetente të Kosovës e kanë pranuar ankesën e MTS d.o.o.,kundër vendimit të mëparshëm për heqjen e licencës së punës, tha të premten Vladimir Luçiq, drejtor i përgjithshëm i Telekom Srbija.

Ai nuk ka saktësuar se cili institucion kosovar ia ka pranuar ankesën kompanisë.

“Telekom Serbia” zotëron 100 për qind të aksioneve në MTS d.o.o.

Reklama e sponzorizuar

Sipas një njoftimi të kompanisë të premten vonë, MTS d.o.o.,vazhdon të jetë e regjistruar siç duhet dhe vazhdon të funksionojë normalisht në Kosovë.

“Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) është urdhëruar që t’i shqyrtojë të gjitha ndryshimet dhe të dhënat në regjistër në përputhje të plotë me Marrëveshjen e Brukselit dhe rregulloreve tjera relevante”, thuhet në njoftimin e MTS d.o.o.

“Pas një lufte të madhe dhe të vështirë, tash për tash ka fituar e vërteta, e cila ka rëndësi të madhe për punëtorët, përdoruesit dhe njerëzit tanë që jetojnë në Kosovë”, tha Luçiq.

Autoritetet në Kosovë nuk e kanë konfirmuar apo komentuar këtë deri në publikimin e këtij lajmi.

MTS d.o.o. është kompani e themeluar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për Telekomunikacionin e Kosovës dhe Serbisë nga viti 2015, si pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Në fund të vitit 2016, kjo kompani mori licencën për të operuar sipas ligjeve të Kosovës.

Mirëpo, Qeveria e Kosovës pretendon se kjo kompani, sikurse edhe dhjetëra kompani të tjera, shkelin rendin kushtetues të Kosovës për shkak se dosjet e tyre përmbajnë dokumente, në të cilat qytetet e Kosovës përmenden si pjesë e Serbisë.

Në dy-tre vjetët e fundit, MTS-ja në Kosovë ka blerë pothuajse të gjithë operatorët kryesorë kabllorë në komunat e banuara me shumicë serbe në veri dhe në jug të lumit Ibër. Kjo është arsyeja pse autoriteti për mbrojtjen e konkurrencës në Kosovë ka nisur një hetim ex-officio në fund të nëntorit 2022.

Dyshohet se MTS d.o.o. nuk i ka raportuar transaksionet e tij, siç kërkohet me ligj në Kosovë. /REL/