Çmimet në Kosovë i karakterizon anarkia dhe kaosi edhe këtyre ditëve

Siç po shihet në këtë fillimvit, në muajin janar dhe në shkurt, nga ngritja pandalur dhe në shumë raste e egër dhe pa anjë logjikë të tregut e çmimeve, të mallrave ushqimore dhe të atyre bujqësore, qoftë sosh të importuara, qoftë të atyre vendore, ka shumë gjasë se parashikimi i BQK-së se “inflacioni do të ulët më 2023-tën, respektivisht se nga 11.6 sa ishte në fund të vitit 2022, do të bie në 6.2 për qind”, të del i huqur dhe i parealizueshëm.

Mehmet GJATA

Parashikimi i Bankës Qendrore të Kosovës, i bërë publik jo njëherë gjatë fundvitit që shkoi nga zyrtarë të lartë të këtij institucioni banker, ndër ta edhe nga guvernatori Fehmi Mehmeti, se inflacioni do të ulët më 2023-tën, respektivisht se nga 11.6 sa ishte në fund të vitit 2022, do të bie në 6.2 për qind, ishte goxha shpresëdhënës për kosovarët, sidomos për të varfërit, të cilët janë të godiur më shumë nga ngritja e çmimeve, veçmas të produkteve elementare ushqimore. Në Kosovë, pra po ndodhë edhe e kundërta e parashikimeve të institucioneve monetare ndërkombëtare, të cilat kishin paraparë që më 2023 të nisë trendi i uljes së çmimeve të shumë produkteve dhe bashkë me këtë edhe ulja e përqindjes së lartë të inflacionit.

Reklama e sponzorizuar

Po ndodhë edhe e kundërta e pritjeve të shumë ekonomistëve ndërkombëtarë, të cituar nga media ndërkombëtare, e që prisnin që inflacioni në botë, e sidomos në Eurozonë të bjerë në vitin 2023. U prit shumë nga qytetari i rëndomtë i këtij vendi, se më në fund do t’u ndalet vrulli ngritjes së egër të çmimeve në Kosovë, e sidomos të atyre që e përbëjnë “shportën” e një qytetari me potencë mesatare financiare dhe të varfanjakëve, dhe që janë shumicë e popullatës së këtij vendi.

Por, siç po shihet në këtë fillimvit, në muajin janar, dhe në shkurt, nga ngritja pandalur dhe në shumë raste e egër dhe pa asnjë logjikë të tregut e çmimeve, të mallrave ushqimore dhe të atyre bujqësore, qoftë sosh të importuara, qoftë të atyre vendore, ka shumë gjasë se parashikimi i BQK-së të del i huqur dhe i parealizueshëm. Sepse, nëse inflacioni në një vend kushtëzohet nga ecuria e lëvizjes së çmimeve, atëherë është e qartë se mundësitë për t’u ulur inflacioni në Kosovë edhe në këtë vit janë të pakta, madje minimaliste. Çmimet, jo që nuk janë ulur as simbolikisht, por kanë vazhduar me ngritje enorme të përditshme të shumë produkteve elementare ushqimore, duke dëshmuar tendencat e shumë tregtarëve të vendit, që me çdo kusht duan të pasurohen duke shfrytëzuar rrethanat aktuale politike, që realisht kanë vendosur në plan të dytë të gjitha zhvillimet ekonomike e sociale, e që nënkupton edhe zhvillimet e ecurive të çmimeve.

Ecuritë e çmimeve në Kosovë po i karakterizon edhe këtyre ditëve të shkurtit anarkia dhe kaosi. Tregtarët spekulativë dhe të papërgjegjshëm të Kosovës, po ngarendin të shfrytëzojnë situatën, përqendrimin shtetëror në gjendjen politike dhe mosangazhimin total të autoriteteve në krye të shumë dikastereve kompetente, si pasojë e moskontrollit fare të tyre, për të parandaluar, ose së paku për të kontrolluar shfrenimin e egër të çmimeve të të gjitha produkteve.

Ata, tregtarët pra, nuk rreshtën së ngrituri çmimet, as në janar dhe as në shkurt të këtij viti, sidomos të produkteve bazë ushqimore, dhe të cilat kanë ndikim të qenësishëm dhe vendimtar në mirëqenien e kosovarëve. Tregtarët e prirur për të shfrytëzuar situatat anarkike, edhe në këta dy muajt e parë të këtij viti nuk i përfillin në asnjë rast as minimalisht vendimet zyrtare, rekomandimet dhe sugjerimet e autoriteteve dhe zyrtarëve të vendit për të parandaluar shfrenimin e çmimeve të ngritura. Përkundrazi. Ngritje e madhe dhe e vrullshme çmimesh ndodhen në kohën kur autoritetet më në fund vendosen të ndërmarrin ndonjë masë për t’i sfiduar dhe parandaluar pak a shumë “fluturimin” e çmimeve, sidomos të atyre elementare ushqimore, ose siç jemi mësuar t’i emërtojmë, ato ‘të shportës.

Qëkur ka nis 2023-ta, që në ditët e para të këtij viti, praktikisht për ditë kanë ndodhur çmime të reja të ngritura. Që nga e hëna, 2 janar 2023, qytetarët e Kosovës u përballen me çmime të reja të ngritura befasisht në ditën e parë pas festës, të një numri produktesh elementare ushqimore, e sidomos të disa produkteve që lëndë të parë kanë qumështin. Edhe këtyre ditëve ka vazhduar të ketë ngritje të çmimeve të të produkteve elementare ushqimore, që kanë ndikim të drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.

Sipas të dhënave të ASK-së, gjatë këtyre ditëve ka pasur rritje të çmimit të orizit, kafes dhe qumështit e ajkës. Dhe, çmimet e këtyre produkteve kanë ndryshuar, janë ngritur pra brenda dy-tre ditësh. Ndërkohë, po sipas të dhënave më të fundit të ASK-së , produktet që shënuan rritjen më të lartë në çmim gjatë kësaj periudhe ishin vajërat dhe yndyrnat e ndryshme për ushqim, buka dhe drithërat, për të vazhduar pastaj me mishin, produktet higjienike dhe karburantet.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 12.1% në vitin 2022, krahasuar me vitin 2021″, thuhet në raportin e ASK-së.

Kjo rritje sipas ASK-së, është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: vajra dhe yndyra që u rritën me 26.0%; bukë dhe drithëra 21.2%; mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 20.5%; mishi 18.9%; sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira 18.9%; prodhime ushqimore 16.5%; mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit 16.3%; energji elektrike 15.4%; karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal 13.3%; perime 10.8%; vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht 10.7%; mirëmbajte dhe riparim i pajisjeve personale të transportit 10.6%; peshk 10.4%; qumësht, djathë dhe vezë 10.4%; pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë për pajisjet e transportit personal 9.9%; mbrojtje sociale 9.5%); pije alkoolike 9.4%; kafe, çaj dhe kakao 9.0%; dhe pemët me 8.8%.

Ndërkohë, inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.9 për qind më i lartë në muajin janar të këtij viti në krahasim me muajin dhjetor 2022. Në këtë mënyrë, çmimet e produkteve kryesore për jetesë në Kosovë, që po vazhdojnë të rriten dita-ditës, kanë bërë që norma vjetore e inflacionit në vend tashmë gjatë janarit (në krahasim me janarin 2022) është shënuar në vlerë të 12.1 për qind, ka bërë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK). Duhet theksuar se ngritja anarkike e çmimeve si rrjedhojë e ngritjës spekulative të tyre, në të shumtën e rasteve, pos që pengojë përmbushjen e parashikimet e uljës së inflacionit sivjet, ndikim të drejtpërdrejt dhe të tërthortë do të ketë edhe në përmbushjen e parashikimeve të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të rritjës ekonomike të Kosovës. Duke i parë trendet negative të inflacionit në shtetet e rajonit, që tani Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike të shumicës së vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë këtu edhe Kosovën dhe Shqipërinë.

Në raportin e fundit të BERZH-it për rritjen ekonomike në vendet e rajonit, thuhet se ekonomia e Kosovës më 2023 pritet të zgjerohet me 3%, nga 3.2% sa ishte rritja ekonomike në fund të vitit 2022. Ndërsa, nga janari deri në shtator të vitit të kaluar, BERZH kishte vlerësuar se Kosova kishte pasur një rritje ekonomike prej 2.8%, përcjell Buletini Ekonomik. Ekonomia vendase tashmë në këtë vit pritet të zgjerohet me 3%, ose minus 0.7 pikë përqindje më pak se pritshmëria që ishte pasqyruar në muajin shtator të vitit 2022 nga vet BERZH-i. Shkurt, sipas BERZH-it, në vitin 2023, por çmimeve të larta të gazit, dhe inflacioni i vazhdueshëm do të ndikojnë negativisht mbi perspektivën ekonomike në rajon, përkatësisht edhe në Kosovë./Buletini Ekonomik