Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami të enjten në seancën e Kuvendit të Kosovës ka folur për siç tha një skandal në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ku sipas saj më 30 dhjetor të vitit 2022 brenda tri orëve me urdhër të një gjykatë e cila nuk është kompetente janë ekzekutuar 3.5 milionë euro nga llogaria e Mirëbesimit.
Bajrami para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se për çështje të privatizimit përgjegjëse është vetëm dhoma e posaçme e Gjykatës Supreme.
“Bëhet fjalë për një skandal 3.5 milionë euro në Agjencinë Kosovare të Privatizimit”, ka deklaruar Bajrami në Kuvend.
“Ajo çfarë dimë ne deri më tani për rastin është se më datën 30 dhjetor të vitit 2022 brenda tri orëve me urdhër të një gjykatë e cila nuk është kompetente, janë ekzekutuar 3.5 milionë euro nga llogaria e Mirëbesimit, fonde të AKP-së që ruhen në Bankën Qendrore”, tha ajo, përcjell Telegrafi.
Ish-ministrja e Financave thotë se përmbaruesit kanë bërë këto vendime kundërligjore pasi sipas saj për çështje të privatizimit përgjegjëse është vetëm dhoma e posaçme e Gjykatës Supreme.
“Këto 3.5 milionë euro janë ekzekutuar me urdhër të gjykatave tjera. Ne deri më tani kemi parë që Ministrja e Drejtësisë e ka suspenduar një përmbarues privat me kërkesë të AKP-së për këtë rast. Në bazë të informative që kemi AKP ka reaguar dhe prokuroria ka arritur të bllokojë 2.1 milionë euro”.
Deputetja opozitare thotë se fondet e AKP-së që janë disbursuar në llogari të gjykatësve dhe prokurorëve janë 1.4 milionë euro.