Hungaria planifikon të bashkëpunojë me Kroacinë për të rritur kapacitetin e tubacionit të Adriatikut, i cili transporton naftë të papërpunuar jo-ruse në Hungari.
Qeveria ka diskutuar strategjinë e saj të energjisë për vitin 2030 duke përfshirë lejimin e rafinerisë së Danubit të grupit hungarez të naftës dhe gazit MOL të përpunojë më shumë naftë të papërpunuar jo-ruse.
Hungaria, pa dalje në det në Europën Qendrore, është një nga vendet në rajon më të ekspozuara ndaj importeve ruse të karburantit. Rafineria MOL merr naftë bruto përmes tubacionit të Druzhbës. Ky rrjet e ka origjinën në Rusi dhe degëzohet në Bjellorusi në Ukrainë, ku ndahet përsëri për të furnizuar disa vende të Europës Qendrore dhe Lindore që varen prej tij, duke përfshirë rafineritë në Hungari, Republikë Çeke dhe Sllovaki. Më tej zëdhënësi i kryeministrisë shtoi se ishte e ditur që nëse nuk do të kishte naftë bruto që vinte nga Rusia tani, dërgesat mund të vinin vetëm nga deti, në tubacionin e Adriatikut. Por kapaciteti i këtij tubacioni është vetëm 70 deri në 80% e asaj që do të nevojitej. Për këtë arsye është menduar një projekt me rëndësi të veçantë, të cilin Hungaria dëshiron ta zbatojë së bashku me Kroacinë.
Sipas Hungarisë energjia bërthamore, burimet e rinovueshme, përfshirë energjinë diellore, dhe zhvillimi i rrjetit kombëtar do të jenë qendrore për strategjinë që qeveria planifikon të financojë nga fondi i rimëkëmbjes së Bashkimit Europian pasi të arrihet një marrëveshje për fondet.
Brukseli ka pezulluar disbursimin e fondeve të BE-së për Hungarinë për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi sundimin e ligjit, por Budapesti shpreson të lirojë fondet deri në mesin e këtij viti./Scan tv/