Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe udhëheqësi i operacioneve të Bankës Evropiane për Investime për Ballkanin Perëndimor, Matteo Rivellini kanë nënshkruar marrëveshjen financiare të financimit shtesë për rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10 në Kosovë.
Marrëveshja në vlerë prej 38 milionë euro synon rehabilitimin e 139 kilometrave të linjës hekurudhore, përkatësisht në sinjalistikë dhe telekomunikacion.
Sipas njoftimit, ky projekt pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në rritjen e shpejtësisë së udhëtimit dhe ngritjen e kapaciteteve për pasagjerë dhe mallra.
“Investimet në linjën hekurudhore pritet të çojnë në një zhvendosje modale nga transporti rrugor në atë hekurudhor, si dhe të kontribuojnë në ndërlidhjen dhe integrimin e transportit rajonal në Korridorin Orient/Lindje-Mesdhe. Projekti veçse ka financim të siguruar, në vlerë mbi 137 milionë euro, nga të cilat rreth 56 milionë janë grant nga Korniza Investive e Ballkanit Perëndimor, ndërsa kjo marrëveshje e ngrit financimin e siguruar për këtë projekt në mbi 175 milionë euro”, thuhet në njoftim.
Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, Murati tha se, “rruga hekurudhore 10 është një nga linjat hekurudhore më të rëndësishme që lidh Kosovën me vendet e tjera dhe rehabilitimi i saj mbetet një prioritet i kahershëm. Marrëveshja që ne po nënshkruajmë zyrtarisht sot është e një rëndësie të madhe për të siguruar që ne të jemi të lidhur me partnerët tanë tregtarë dhe për të siguruar lëvizshmërinë midis vendit tonë dhe rajonit”.
Ndërsa, Rivellini shprehu përkushtimin e BEI-së në promovimin e integrimit rajonal, duke thënë se, “krijimi i infrastrukturës moderne, të qëndrueshme dhe efikase të transportit është një parakusht për marrëdhënie më të forta ekonomike dhe kushte më të mira jetese”. /Telegrafi/