Kryeministri Kurti e konfirmon: Është siguruar lokacioni për projektin 64 milionësh të energjisë diellore “Solar4Kosovo”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar të mërkurën se është siguruar lokacioni për projektin në vlerë të 64 milionë euro për energji diellore “Solar4Kosovo”.

Ky është projekti i parë diellor në shkallë të gjerë në sektorin publik të Kosovë dhe i pari projekt që ka për qëllim diversifikimin e prodhimit të energjisë elektrike.

Në këtë rast Kurti theksoi se nga ky projekt edhe sistemit të ngrohjes do i shtohen rreth 70 megavat, ku do të përfitojnë rreth 60 mijë banorë.

Reklama e sponzorizuar

Nga ajo që është raportuar më parë vendi ku do të realizohet ky projekt është në komunën e Obiliqit.

Kështu kreu i ekzekutivit kosovar u shpreh në konferencën “Kosova dhe Urbanizmi i Ri: Qëndrueshmëria, Inovacioni, Teknologjia, Qëndrueshmëria dhe Investimet”.

Tutje, Kurti tha se urbanizmi është ndër përpjekjet bashkëkohorë që në qendër të vëmendjes e ka njeriun dhe natyrën dhe shtoi se qeveria ka miratuar edhe vendimin për hartimin e planit të ri hapësinor të Kosovës, i cili sipas tij do të reflektojë në vizionin për zhvillim të qëndrueshëm.