Kosova po vazhdon të përballet me pasigurinë e punëtorëve në vendin e punës. Shumë punëtorë, sidomos ato të sektorit privat, kanë probleme me pajisje për mbrojtje në punë, e pa të cilat mund të pësojnë shumë keq punëtorët.
Alban Zogaj i ka thënë Nacionales së për shkak të një lëndimi në punë i është dashur të ndërpres punën. Në një rrëfim për Nacionalen, Zogaj tregoi se ka pësuar një lëndim në shpinë. Tutje, Zogaj ka thënë se i është dashur që të bëjë fizioterapi për lëndimin që e pësoi, duke i shkaktuar edhe barrë financiare, krahas asaj shëndetësore.
“Unë aktualisht nuk punoj fare për shkak të një lëndimi që kam marrë në punë pasi jam rrëzuar. Ka plotë 6 muaj që nuk punoj fare për shkak se kam marrë një lëndim në shpinë dhe jam duke përdorur disa terapi. Siguria në vendin e punës ka qenë mesatare, pasi edhe pse kemi pasur disa pajisje të mbrojtjes, kemi punuar në lartësi të mëdha e që kjo automatikisht është një rrezik.” – tha ai.
Për shkak të këtij lëndimi, z. Zogaj ka treguar se aktualisht nuk punon.
Unë aktualisht jam më mirë pasi kam bërë fizioterapi, mirëpo jam duke tentuar të gjejë një punë ku ka siguri më shumë për shkak se nuk guxoj të rrezikojë edhe njëherë në këtë mënyrë të ngjitem nëpër lartësi”, ka thënë Zogaj.
Ankesat…
Për sigurinë në vendin e punës, ka folur edhe kryetari i Sindikatës së punëtorëve në sektorin privat, Jusuf Azemi, i cili theksoi se në Kosovë vdekshmëria në vendin e punës është katër fish më e lartë në krahasim me ato të rajonit.
Ai në një prononcim për Nacionale ka thënë se vetëm në këtë vit, janë raportuar 6 raste të vdekjeve në vendin e punës.
“Vdekshmëria në vendet e punës në Kosovë është katër fish më e lartë sesa në vendet e rajonit. Në rajon në 100 mijë punëtor vdesin dy punëtor, ndërsa në Kosovë mesatarja shkon në 8. Çështja e sigurisë, çdo ditë po përshkallëzohet pasi vetëm në muajin janar kemi 6 raste të vdekjes që do të thotë se viti ka filluar keq. Punëtorët nuk dinë që të ruhen në vendin e tyre të punës, prandaj pronarët e kompanive janë të obliguar që të inkuadrojnë punëtorë pa provojë dhe pa u siguruar mirë rrezikshmërinë në punë. Që nga viti 2018 ka pësuar rënie të rasteve të vdekjeve, mirëpo në këtë vit ngritje”, ka thënë Azemi.
Azemi gjithashtu ka theksuar se ky problem do të mund të zgjidhej nëse kompanitë do të punësonin një zyrtar të lartë për rrezikshmëri në punë, po ashtu të ketë numër më të madh të inspektorëve në terren për të vëzhguar situatën e punës.
“Si faktor kryesor janë pronarët e kompanive, janë inspektorati i punës, qeveria dhe pak kanë faj edhe punëtorët që nuk e dinë që të mos hyjnë aty ku rrezikshmëria është e lartë. Problemi do të zgjidhjes ndoshta nëse çdo pronar i kompanisë ta ketë për obligim ta punësoj një zyrtar që merret me rrezikshmëri të punës, dhe të jenë më të kujdesshëm që t’i njoftojë punëtorët çdo ditë për rreziqe. Po ashtu numri më i madh i inspektorëve në vendet e punës për të parë gjendjen, kjo do të ndikonte më pozitivisht”, ka thënë ndër të tjera Azemi.
Gazeta Nacionale ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës për të pyetur se sa është numri i të lënduarve në vende të punës në Kosovë. Ata në një përgjigje për Nacionale kanë thënë se gjatë vitit 2022 janë raportuar 174 raste për rrezikim në sigurinë në vendin e punës. Ndërsa, vetëm në janar të vitit 2023 janë raportuar 13 raste të tilla.
“Policia e Kosovës i evidenton dhe ruan rastet bazuar ne emërtimet e veprave penale sipas Kodit Penal, kështu po ua përcjellim numrin e rasteve nga Neni 358 i KPK-së ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’ për vitin 2022 dhe janar 2023”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Nacionale vazhdimisht ka tentuar të kontaktojë edhe me kryeinspektorin e punës në Kosovë, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur në telefon.
Ligji…
Ligji për sigurinë dhe shëndetin në punë thotë se punëdhënësi është përgjegjës për të krijuar kushtet e punës të sigurta dhe të shëndetshme në të gjitha aspektet e punës.
“Masat parandaluese janë se punëdhënësi detyrohet të zbatojë masat parandaluese, bazuar në parimet e përgjithshme të parandalimit, si: shmangien e rreziqeve; vlerësimin e rreziqeve të pashmangshme; luftimin e rrezikut prej fillimit ose burimit, tejkalimin e shkaqeve të rrezikut; adaptimin e punës ndaj individit, veçmas në lidhje me karakteristikat e vendit të punës dhe ambientit të punës; zgjedhjen e pajisjeve, metodave të punës dhe të procesit të punës, për të lehtësuar punën e njëtrajtshme- monotone dhe për t’i reduktuar efektet e saj në shëndet”, thuhet në këtë ligj.
Po ashtu, në ligj theksohet se punëdhënësi është i obliguar që mjetet e punës t’i mbajë në gjendje të rregullt, ta kontrollojë rregullsinë dhe sigurinë e tyre me kontrolla të herëpashershme në afate të përcaktuara me aktin që e miraton ai, përkatësisht me udhëzimin e prodhuesit, dispozitat dhe standardet teknike.
Tutje, ligji parasheh se çdo i punësuar ka përgjegjësi të përkujdeset për sigurinë dhe shëndetin e vet dhe të personave të tjerë në punë, në përputhje me trajnimin dhe udhëzimet që i janë dhënë nga punëdhënësi.
“Në përputhje me trajnimin, udhëzimet e dhëna nga punëdhënësi, doracakët, udhëzimet dhe rregulloret teknike, i punësuari është i detyruar të: përdorë me korrektësi makineritë, aparaturat, veglat, pajisjet e transportit mjetet tjera për punë dhe të veprojë me kujdes me substancat e rrezikshme; përdorë me korrektësi pajisjet mbrojtëse individuale të vëna në dispozicion të tyre dhe pas përdorimit t’i rikthejë ato në vendin që është planifikuar për ruajtjen e tyre të sigurt”, thuhet në këtë ligj.