Serbia po kthehet me shpejtësi në një qendër për ofrimin e shërbimeve IT në rajon, duke rritur ndjeshëm ndikimin në ekonomi. Në vitin 2007, vlera e këtyre eksporteve ishte vetëm 0.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërsa në 2016-n, arriti në 2% të PBB-së.
Rritja ishte shpërthyese në vitet në vijim. Sipas një guide të qeverisë për sektorin e teknologjisë dhe informacionit (TIK), Serbia tani gjeneron 10% të PBB-së së saj nga sektori i TIK-ut, duke qenë ndër katër sektorët kryesorë të eksportit, së bashku me çelikun, makinat dhe bujqësinë.
Sipas Zyrës së Statistikave të Serbisë, kishte mbi 3,354 firma në sektorin e teknologjisë së Serbisë në tremujorin e parë të 2022, duke punësuar 47,609 njerëz. Punëdhënësit kryesorë në këtë sektor përfshijnë kompani të njohura amerikane dhe filialet e tyre.
Kompanitë serbe të teknologjisë prodhojnë softuerë për industri që variojnë nga bujqësia te mjekësia, si dhe gjurmimi dhe aplikacionet cloud, lojërat në internet dhe testimi. Ata drejtojnë gjithashtu qendra telefonike dhe linja ndihmëse për klientët, duke filluar nga ato me aftësi të ulëta deri tek ato të teknologjisë shumë të lartë.
Ambienti i startup-eve po fiton vëmendje, me shumë firma që zhvendosen me sukses në Europën Perëndimore, ose vendosin të blihen nga firmat e huaja. Ndër më të suksesshmit janë Nordeus, zhvilluesi me bazë në Beograd i lojës “Top Eleven Football Manager” që ka kryesuar listat e dyqaneve të aplikacioneve dhe është blerë në qershor 2021 nga kompania amerikane Take-Tëo Interactive dhe FishingBooker, e cila është përshkruar si “Airbnb-ja e charter-ëve të udhëtimeve të peshkimit.”
Strawberry Energy e Serbisë është një startup i financuar që prodhon stola inteligjentë me energji diellore, duke ofruar akses Wi-Fi, pajisje për karikimin e telefonave celularë dhe shërbime informacioni në vende publike, tashmë të pranishme në 23 vende.
Ky zhvillim ka sjellë rritjen e shpejtë të pagave në këtë sektor. Në shtator 2022, nënaktiviteti i “programimeve kompjuterike, konsulencës dhe aktiviteteve të lidhura” kishte një pagë mesatare gati 3 mijë euro, që është më e larta nga të gjitha kategoritë e tjera që raportohen në Serbi, duke ia kaluar transportit ajror që mbante më parë rekordin, sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave i Serbisë.
“Që Serbia po përparon dhe ka një model të mirë biznesi, këtë e tregojnë të dhënat për rritjen e eksportit të shërbimeve TIK në vitin 2022 prej mbi 2.5 miliardë euro”, pohoi për “Monitor”, Marko Vučetić, analist i sektorit të IT në Serbi.
Ai shton se ajo që duhet të theksohet gjithashtu është se zhvilluesit në Serbi mund të fitojnë paga prej 8,500 eurosh, që është paga më e lartë e regjistruar në faqen e internetit HelloWorld.rs, e cila është uebfaqja më e madhe serbe për rekrutimin e kandidatëve për IT”.
“Mendoj se në vitin 2023 do të jetë shumë e rëndësishme të zhvillohen sa më shumë kompani, që të kenë produktin e tyre. Në krizën aktuale në botën e IT-së, kompanitë që punojnë për të tretët do të kenë shumë probleme.
Në të ardhmen, Serbia duhet të investojë edhe më shumë në ekipet e startup dhe në këtë mënyrë të krijojnë kompani të reja si Nordeus etj.”, thotë Vučetić. “Po ashtu, një numër i madh i ekspertëve rusë kanë ardhur në Serbi dhe ne duhet të përfitojmë nga kjo, duke zgjeruar njohuritë, duke tërhequr projekte të reja, por edhe me investime”, shton ai.
Ndërhyrja që nga shkollat fillore
Suksesi i Serbisë, si një qendër e shërbimeve IT, mund t’i atribuohet ndërhyrjes së suksesshme shtetërore në nivelin e shkollave fillore dhe një regjimi mbështetës për investimet dhe taksimin – sipas një raporti të FMN-së, “Nxitja e rritjes në Ballkanin Perëndimor”.
Në gjimnaze ka klasa të specializuara IT me programe të avancuara, ndërsa në universitete diplomohen çdo vit 3300 inxhinierë, që përfaqëson 25% të të gjithë të diplomuarve në vend.
Krijimi i Qendrës së Zhvillimit të Microsoft në Serbi (MDSD) në vitin 2005 ishte një pikë kthese. Qendra është përfshirë në zhvillimin e aktiviteteve kyçe për Microsoft, ku përfshihen: LiveSearch, njohja e shkrimit të dorës, analizim imazhi dhe menaxhim databaze.
Një tjetër efekt pozitiv i qendrës është se të tjera kompani ndërkombëtare kanë hyrë në treg, duke blerë firma serbe që mundësojnë shërbime programimi, zhvillim softuerësh dhe testim, si dhe ueb dizajn.
Një qasje e shumëfishtë politikash ka ndihmuar në suksesin e sektorit të IT. Qeveria serbe ka përfshirë “Informatikën” si lëndë të detyrueshme në shkollat fillore dhe ka rritur kuotat e regjistrimit në departamentet e TI-së në universitete në vitin 2017 me 20%.
Më shumë se një e katërta e të diplomuarve në universitet çdo vit kryesojnë në lëndë teknike, më shumë se në çdo vend tjetër të Ballkanit Perëndimor, duke krijuar një grup të fortë talentesh për shkenca kompjuterike.