Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të premten një përllogaritje nga masat mbështetëse që ka ofruar Qeveria e Kosovës.
Sipas Muratit, nga ndihmat një çift profesionistësh, që punon në sektorin publik dhe që ka tre fëmijë, ka përfituar në total 3 mijë e 220 euro mbështetje financiare.
Ai ka thënë se nëse llogaritet edhe ndihma që prindërit marrin pas lindjes së bebes së re, mbështetja shkon në 3 mijë e 970 euro.
Këtë postim Murati e bëri disa orë pasi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftoi se ka vizituar një familje që burim të ardhurash kanë pagat nga sektori publik.
Abdixhiku tha se pagat e tyre sot vlejnë 50 për qind më pak se para dy viteve.
“Propozimi ynë për koeficient 125 lehtëson përballueshmërinë e familjeve si kjo. Propozimi ynë për heqje të TVSH-së në produkte bazë – bukë, miell, vaj, sheqer, qumësht e vezë – do të bënte jetën e tyre shumë më të lehtë”, shkroi i pari i LDK-së në Facebook. /Telegrafi/