Në vitin 2022 janë regjistruar mbi 11 mijë biznese të reja në Kosovë

Nga gjithë vitet e pasluftës, 2022 ishte viti më me bereqet sa i përket regjistrimit të bizneseve në Kosovë.

Gjatë 12 muajve u legalizuan 11 mijë e 24 kompani të reja. Gjatë vitit të kaluar janë evidentuan 375 biznese më shumë se më 2021.

Viti 2023 ka nisur mbarë për sa i përket regjistrimit të bizneseve të reja në Kosovë sipas Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë, përderisa viti i kaluar konsiderohet me numrin më të madh të regjistrimit të bizneseve që nga pavarësia.

Reklama e sponzorizuar

Vetëm gjatë janarit të vitit 2022, në Kosovë janë regjistruar 313 biznese të reja, ndërsa janë mbyllur 38.

Ministria e Industrisë dhe Tregtisë ka treguar se në vitin 2022 janë regjistruar gjithsej 11 mijë e 51 biznese e janë mbyllur 1 mijë 775.

Një shifër të tillë e ka bërë publike edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës.

“Gjatë 12 muajve u legalizuan 11 mijë e 24 kompani të reja. Më 2022 u evidentuan 375 biznese më shumë se më 2021, ku dominon tregtia me shumicë e pakicë, riparimi i mjeteve dhe makinerive motorike, ndërtimtaria. Pjesa dërrmuese e bizneseve janë regjistruar deri në 4 punëtorë, teksa nga komunat, dominon Prishtina pasuar nga Ferizaj e Prizreni”.

Kurse, gjatë katër mujorit të fundit të vitit 2022 janë regjistruar mbi 2 mijë e 600 ndërmarrje.

“Në TM4 2022, gjithsej janë regjistruar 2.636 ndërmarrje, ku krahasuar me tremujorin paraprak (TM3 2022) ka një rënie për 3.15% të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM4 2021) ka një rritje për 9.10% të ndërmarrjeve të regjistruara”.

Por sipas një studimi të Aleancës Kosovare të Bizneseve, mbi trendin e sipërmarrjes për tri vitet e kaluara, vitin më të rëndë të pandemisë janë mbyllur më shumë se 20 mijë biznese.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se viti 2022 ishte më i mirë për sa i përket regjistrimit të bizneseve të reja në vend që nga paslufta. Por ai thotë se në listën e bizneseve figurojnë edhe ato biznese të cilat nuk janë aktive por që për shkak të procedurave nuk e kanë shuar ende biznesin.

“Ky vit është shumë më i mirë se viti 2020. Është vit ku më së shumti kemi pasur biznese të hapura që nga pavarësia e këndej. Por sipas analizave tona ka disa studime dhe hulumtime të bëra se numri i bizneseve të shuara është më i lartë se sa figuron. Ka më shumë se 3 mijë e 500 biznese të shuara në tërë Kosovën, nga sektorë të ndryshëm e që ata nuk kanë hyrë në procedura të shuarjes së biznesit në mënyrë zyrtare për shkak se proceduarat janë të stërzgjatu”.

E numri i bizneseve që janë mbyllur po konsiderohet së është i lartë. Njohësi i fushës së ekonomisë, Safet Gerxhaliu, në një deklarim për media ka thënë institucionet e vendit duhet marrë masa për të ndihmuar biznesin nga kriza, në mënyrë që të mos mbyllen.

“Vërtet kemi një situatë e cila meriton respekt por është edhe obligim që të shpëtohen biznese të cilat kanë sfida. Në vitin 2023 besoj të ketë më tepër dialog e fushata ndërgjegjësimi dhe nuk do të shikohet biznesi për t’u penalizuar por për t’u mbështetur dhe zhvilluar”, tha ai.

Administrata Tatimore e Kosovës ka bërë të ditur se 57 mijë e 480 është numri i bizneseve të cilët kanë paguar tatim për vitin 2022.