Feim Mehmeti, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, dhe Adrian Zalli, drejtori i Trustit, janë dy njerëzit më të paguar të shtetit.
I pari e ka pagën 4 mijë e 430 euro në muaj apo 53 mijë e 165 euro në vit, derisa i dyti merr 4 mijë 128 euro në muaj ose 49 mijë e 536 euro në vit, shkruan Gazeta Insajderi.
Mehmeti dhe Zalli nuk janë përfshirë në Ligjin për Paga, në të cilin vlera e koeficientit më të lartë ishte 18, vlerë kjo me të cilin do të paguhej pozita e Presidentit.
Që i bie se paga më e lartë do të ishte 1 mijë e 890 euro, kur shumëzohet me vlerën prej 105 eurove që është caktuar në Ligj, shkruan Gazeta Insajderi.
Rrjedhimisht, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës dhe drejtori menaxhues i Trustit, Adrian Zalli, do të vazhdojnë të mbesin ndër njerëzit më të paguarit në vend, pasi këto pozita nuk janë përfshirë në Ligjin për Paga.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, Armend Muja ka treguar arsyet përse këto dy institucione të pavarura nuk janë përfshirë në Ligjin për Pagat.
“Nuk e përfshin BQK-në dhe Trustin, sepse kanë rregullim specifik kushtetues ato institucione, por iu ka dhënë mundësia atyre. Në vitin 2019, Gjykata Kushtetuese mes tjerash e ka rrëzuar ligjin pikërisht për shkak se draftligji i propozuar në vitin 2019, ka interferuar edhe në rregullimin e brendshëm të BQK-së, pra me Kushtetutë këtyre iu lejohet rregullimi i brendshëm, i cili duhet të ndjekë disa margjina, por ato e kanë të drejtën e rregullimit të brendshëm”, ka thënë Muja për KP, shkruan Gazeta Insajderi.
Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, me 22 dhjetor 2022, ndërsa, presidentja e Kosovës e ka dekretuar më 5 janar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.
Ky ligj ka hyrë në fuqi më 5 shkurt.
Ndërkohë, në Institucionin e Avokatit të Popullit janë adresuar mbi 35 ankesa nga sindikatat dhe disa institucione për dërgimin e Ligjit të pagave në Kushtetuese.