Nuk nevojitet të bëhet ndonjë analizë e thelluar dhe e detajuar për të parë se edhe arsyetimi i ri për rritje të kamatave “si pasojë e rritjes së normës se EURIBOR-it në tregun evropian”, është fare i paqëndrueshëm për bankat kosovare.
Mehmet GJATA
Po jetësohet paralajmërimi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) se në një të ardhme të afërt në Kosovë do të rriten normat e interesit në kredi, edhe ashtu më të lartat në Europë dhe në shtetet e rajonit. Dhe tashmë arsyetimi për ngritje të reja të kamatave është tjetër dhe shumë i ndryshëm nga arsyetimet që bënte më herët BQK-ja për çmimet e reja.
Më as BQK-ja, as bankat komerciale që kërkojnë pareshtur ngritje të çmimeve të produkteve bankare, siç ndodhi këtyre ditëve me kërkesën për ngritjen e re të interesave bankare, nuk e bëjnë me arsyetimin se gjoja risku i lartë në këto vite në Kosovën e pasluftës, qenka shkaku i kamatave të ngritura, i gjithë kësaj “loje” jashtë normave të “ferplay-it” të afarizmit bankar. Nuk “pi ujë më ky arsyetim bezdisës dhe i paqëndrueshëm fare, as në opinionin e brendshëm as në atë të jashtëm. U dëshmua katërcipërisht, dhe jo një herë, se në Kosovë nuk ka rrisk të lartë, madje as të ulët.
Kosova, në bazë të standardeve të matjes së rriskut, është vendi më i sigurtë në rajon: në Kosovë në gishta i numëron rastet të ketë ndodhur ndonjë vjedhje, ose thyerje e ndonjë institucioni bankar. Ndërkohë, në këto periudha, anembanë në shtetet e rajonit dhe gjithandej, kanë ndodhur X raste të vjedhjeve të bankave. Edhe kreditë jo-performuese, ose siç quhen ndryshe kreditë e këqija, janë fare të vogla “në Kosovën me rrisk të madh të sigurisë”. Ato, sipas pohimeve të guvernatorit të BQK-së, Fehmi Mehmetit, janë gjithsej diçka mbi 2 për qind dhe këtë përqindje do ta lakmonin edhe shtetet me traditë qindravjeçare në kreididhënie dhe përgjithsisht afarizëm bankar. Shi për këtë, vrojtuesit e jashtëm që i shikonin me realizëm zhvillimet te ne, jo njëherë thanë, shkruan dhe njoftuan se Kosova edhe në rrethana të tranzicionit dhe shumë pak vite pas luftës ishte fare e sigurtë dhe ndër vendet më të sigurta edhe për funksionimin e bankave komerciale.
Tani, kërkesat për kamata të larta bankat në Kosovë pretendojnë t’i arrijnë me arsyetimin “si pasojë e rritjes së normës së EURIBOR-it në tregun evropian”. EURIBOR-i (shkurt për Euro InterBank Offered Rate ose përkthyer si Norma NdërBankare e Afatizimeve të Eurove) është norma e interesit mbi depozitat/afatizimet me afate të ndryshme maturimi (përfundimi) që përcaktohen nga një panel i disa bankave elitare të mëdha në tregjet e parasë (kryesisht evropiane).
Buletini Ekonomik ka siguruar dëshmi për një rast në bankën Raiffeisen, e cila ka njoftuar konsumatorët e saj se që nga ky muaj (shkurt) do të zbatojë vendimin e ri për rritjen e normave të interesit në kreditë ekzistuese. Pra, rritja e kamatave bankare që u përfol nga ana e BQK-së, nuk do të vlejë vetëm për kreditë e reja, por do të vlejë edhe për kreditë ekzistuese, me ç’rast do të preken edhe të gjitha familjet që tashmë kanë marrë kredi në ndonjërën prej bankave komerciale në Kosovë. Sipas njoftimit që ka lëshuar për klientët e saj, Raiffeisen do ta rrisë normën e interesit për 2% dhe kjo do të vlejë edhe për kreditë ekzistuese, tek klientët që në kontratën e kredisë e kanë të përfshirë edhe kaluzolën e EURIBOR-it.
Buletini Ekonomik ditë më parë, ka krahasuar normën mesatare të interesit në kredi në Kosovë për muajin korrik, që ishte 6.1 për qind, krahasuar me muajin maj kur kjo normë ishte 5.9 për qind. Rritja është vërejtur sidomos tek norma e interesit për kreditë konsumuse që kishte shkuar në 6.3 për qind, prej 6.2 për qind sa kishte qenë në maj. Edhe paralajmërimi i Bankës Qendrore të Kosovës për rritjen e normave të interesit në sektorin bankar, siç dihet, ishte bërë duke u mbështetur në vendimet e fundit të Bankës Qendrore Evropiane (BQE) për rritjen e normave të interesit në kredi, me synimet për ta përballuar inflacionin e lartë (lexo “Raporti i Stabilitetit Financiar” të BQK-së).
Sipas Bankës Qendrore Evropiane, kur çmimet në ekonomi rriten shpejt, domethënë kur inflacioni është shumë i lartë, rritja e normave të interesit ndihmon në rikthimin e inflacionit në objektivin prej 2 për qind, në një periudhë afatmesme. Mirëpo, nuk nevojitet të bëhet ndonjë analizë e thelluar dhe e detajuar për të parë se edhe arsyetimi i ri për rritje të kamatave si pasojë e rritjes së normës së EURIBOR-it në tregun evropian”, është i paqëndrueshëm fare për bankat kosovare. Sepse, siç konstaton BQK-ja vet në “Raportin e Stabilitetit Financiar”, EURIBOR (ose Norma NdërBankare e Afatizimeve të Eurove) janë norma të interesit mbi depozitat/afatizimet me afate të ndryshme maturimi (përfundimi) që përcaktohen nga një panel i disa bankave elitare të mëdha në tregjet e parasë (kryesisht evropiane). Ndërsa, në Kosovë, asnjëra nga 11 bankat komerciale ekzistuese nuk janë as elitare, as për t’u vlerësuar të mëdha në tregjet ndërkombëtare të parasë.
Me fjalë të tjera, siç konstatoi këto ditë një vrojtues dhe njohës i proceseve bankare, bankat e Kosovës shpërfaqin në mënyrë të kamufluar, por edhe haptazi pretendimet për ta shfrytëzuar rastin për të plaçkitur kosovarët e varfër të Kosovës, të zhytur në kredi me rritje të reja të kamatave.
“Është kamuflim dhe farsë thirrja në Euribor”, thotë ai.
Sipas tij, për kreditë hipotekare rritja e kamatës është enorme, nga 4 në 6 për qind, apo 50 për qind e kamatës, që shprehur në para i bie mijëra euro më shumër për secilin. Shi për këtë “Banka Qendrore duhet të ndërhyjë menjëherë, pasi e gjithë kjo është e tëra e paligjshme dhe jashtë rregullave. Sepse, siç shpjegoi ai, “Euribori paraqet kamatat që bankat e aplikojnë kur iu japin kredi njëra-tjetrës. Nëse një bankë kosovare ka marrë kredi për t’i kredituar klientët e vet, Euribori është legjitim.”
Por, këto banka (bankat komerciale të Kosovës, pra) jo vetëm që nuk kanë marrë kredi, por kanë para të depozituara me thasë (mbi 5,3 miliardë depozita të kosoarëve, ka raportuar BQK-ja deri në nëntor të vitit të kaluar), të cilat rrinë për shkak të kamatave të larta që i kishin për kredi, edhe kur Euribori ishte në minus.
Së dyti, sipas njohësit të zhvillimeve bankare të vendit, bankat nuk e zbritën Euriborin nën zero, edhe kur ai kishte vlerë negative.
“Pra, në kushtet që të ofron një bankë kosovare, vlera minimale e Euriborit është zero, edhe kur në tregjet evropiane ishte me vlerë negative, siç qëndroi shumë vite. Sikur bankat tona të huazonin në Euribor dhe t’u jepnin kredi me kamata të volitshme bizneseve tona, sot ekonomia jonë do të ishte më e zhvilluar. Por, nuk e bënë këtë dhe tash duan t’i vjelin benefitet vetëm pse vlera e tij është rritur. Kështu nuk ndodhë askund në botë, prandaj kjo thënë troç është plaçkë e bankave”, ka konstatuar njohësi i rrethanave bankare.
Thënë ndryshe, bankat komerciale në Kosovë (gjithsesi me suportim të BQK-së) duan të pasurohen edhe tani, në këto rrethana krizash, pa zgjedhur mjetet dhe pa “ferplay-in” e domosdoshëm edhe në “lojërat” afariste dhe biznesore. Thjesht, me çdo kusht duan të fitojnë para më shumë, duke mbajtur nivele të larta interesash mbi çdo parashikim dhe më të larta se kudo në ndonjë shtet të botës dhe duke ngritur çmimin e shërbimeve në stratosferë, përtej çdo parashikimi dhe krahasimi me të tjerët. Në këtë mënyrë, bankat komerciale në Kosovë nuk ndiejnë për krizën globale, që ka bërë shtrat edhe në Kosovë, as për varfërinë e madhe të shumicës së kosovarëve, klientë permanentë të këtyre bankave, as për çmimet e këtoditëshme gjithjë në ngritje enorme. Ato, krizë e pa krizë, duan thjeshtë të fitojnë shumë, të rrisin profitin e tyre.
Dhe për këto veprime nuk i japin askujt asnjë llogari të vetme. As Bankës Qendrore të Kosovës, e cila sipas legjislacionit në fuqi tani e shumë vjet me herët, është “kupola” bankare e vendit, dhe si e tillë, do të duhej të monitorojë ngritjen e çmimeve të produkteve bankare kurdoherë dhe në të gjitha rastet kur atakohet dhe vihet në vështirësi klientela bakare kosovare.
Banka Qendrore e Kosovës, “BQK-ja famoze”, është sovrane vetëm kur bëhet fjalë për ta injoruar mbrojtjen e interesit të klientelës, dhe asnjëherë sovrane deri më tash kur është fjala te “mbyllja e syve” ndaj shkeljes së “ferplay-it”, por në raste jo të rralla edhe të legjislacionit, të miratuar nga vet “kupola bankare”.
Heshtja permanente e BQK-së ndaj ngritjes kaq të shpeshtë të çmimeve të shërbimeve bankare nga bankat komerciale dhe mikroorganizmat financiarë të instaluar në vitet e pasluftës në Kosovë, deshëm-s’deshëm ne, e bënë të diskutueshme këtë “tolerancë” të BQK-së, veçmas të stafit udhëheqës të saj. Në asnjë rast të vetëm, deri më tani, BQK-ja nuk ka qenë e prerë kundrejt ngritjeve të shpeshta të çmimeve të shërbimeve bankare. Ndërsa, as që bëhet fjalë për ndonjë rast të tërheqjes së ndonjë vije të kuqe karshi bankave komerciale kosovare për këto çmime rekorde, ose për t’ua anuluar ndonjëherë vendimet për çmimet e produkteve bankare. Pra, Kosova, që nga paslufta e këtej është dëshmuar dhe po vazhdon të dëshmohet si një parajsë bankare në rajon dhe përtej për shkak të fitimeve enorme të bankave komerciale dhe të institucioneve mikrofinanciare dhe ngarendjes së këtyre bankave pas fitimeve me çdo kusht dhe pa pasur edhe pengesën më të vogël për të realizuar synimin zhvatës. Dhe për shkak të shërbimeve frikshëm të shtrenjta, dhe interesave akoma shumë të larta, bankat komerciale në vendin tonë, këto që janë (11 sosh), gjatë vitit 2022, deri në nëntor, kanë arkëtuar mbi 131,9 milionë euro neto fitim. Këtë shumë, nuk ka dyshim do ta lakmonte edhe banka më prestigjiioze dhe më kredibile në akcilin shtet të botës.
Krejt në fund, sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës “Ngarkesa me borxh e ekonomive familjare në Kosovë”, 1.8 për qind e kosovarëve me të hyrat që kanë, nuk mund ta mbulojnë këstin e kredisë që e kanë në bankat komerciale në Kosovë, ndërkaq 3.8 për qind të qytetarëve, kredia ua merr 75 për qind deri në 100 për qind të të hyrave.
Sipas këtij raporti, në fazën e parë të mbingarkesës me borxh – në rrezik për mbingarkesë janë 21.8 për qind të huamarrësve, pra qytetarëve, për shkak se kësti mujor i huasë përbën 50 deri në 75 për qind të të hyrave mujore. Ndërkohë që në në fazën kritike të ngarkesës me borxh (në këtë fazë, kreditë ua marrin qytetarëve 75 deri në 100 për qind të të hyrave mujore), po sipas këtij raporti të BQK-së, janë 3.8 për qind e qytetarëve, ndërsa rastet kur shpenzimet e kësteve të huamarrësit tejkalojnë plotësisht të hyrat mujore, përbëjnë 1.8 për qind të mostrës së huamarrësve. Dhe, sipas ekspertëve, borxhi i ekonomive familjare është duke u rritur çdo vit për shkak të interesit të lartë të bankave dhe inflacionit në vend. Prandaj, Kosova mbetet parajsë e bankarëve. Dhe me këtë parajsë bankat e instaluara këtu nuk po kënaqën dot, por ngarendin ditë e përditë, vrullshëm dhe egërsisht pas shansit të ofruar për fitime të reja më të shumta dhe gjithnjë të shpejta.
Pa humbur kohë, shpesh dhe disa herë edhe brenda një viti, ato ngritën çmimet e produkteve bankare, sidomos të shërbimeve, dhe megjithë presionin nga brenda dhe jashtë opinionit, të njëjtat mbajtën nivelin enorm të interesave dhe tani po pretendojnë të rrisin akoma ato. Këto janë faktet. /Buletini Ekonomik/