Duket jo bindës justifikimi i paraqitur nga kreu i ZRRE-së se “janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për këtë shqyrtim të tarifave” dhe kërkesa e KEDS-it me justifikimin për “rritjen e çmimit të rrymës së importuar, si dhe me pamundësinë e KEK-ut për të prodhuar rrymë të nevojshme, sidomos gjatë sezonit të dimrit”. Sepse, ka muaj që nuk është rritur fare çmimi i rrymës nga importi, madje ky çmim është ulur ndjeshëm, dhe prodhimi nga termocentralet e vendit dhe burimet e energjisë së rinovueshme është shumë më stabil se sa vitin e kaluar në këtë kohë, ndërsa nga Shqipëria me muaj të tërë vjet dhe sivjet po vie një sasi e imponueshme e rrymës si kthim borxhi.
Mehmet GJATA
Si gjithnjë deri më sot, pa paralajmëruar paraprakisht dhe pa e diskutuar, praktikisht, më askend për aq sa është bërë publike deri tani, anëtarët e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) kanë njoftuar më 7 shkurt para Komisionit Parlamentar për Ekonomi se janë duke shqyrtuar një kërkesë të jashtëzakonshme për shqyrtimin e tarifave të energjisë elektrike për vitin 2023, të bërë nga Kompania Kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS, muajin e kaluar.
Ymer Fejzullahu, kryetar i Bordit të ZRRE-së, ka thënë me këtë rast se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për këtë shqyrtim të tarifave. Dhe, ky njoftim i ZRRE-së përkthehet saktësisht si paralajmërim për shtrenjtim të energjisë elektrike në Kosovë, sado që kreu i ZRRE-së nuk dha detaje për asnjë kusht ligjor që, sipas tij qenkan plotësuar, sikundër që nuk paraqiti numra për të treguar se sa mund të shtrenjtohet energjia elektrike. Të kontaktuar nga mediet e vendit, zyrtarë të ZRRE-së thanë shkurtimisht se janë në “fazën e vlerësimit” të kërkesës dhe se nuk mund të deklarohen për tarifat përfundimtare. Ndërsa KEDS-i e ka justifikuar kërkesën për rritje të tarifave të energjisë elektrike me rritjen e çmimit të rrymës së importuar, si dhe me pamundësinë e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për të prodhuar rrymë të nevojshme, sidomos gjatë sezonit të dimrit.
Por, që në lexim sipërfaqësor dhe pa ndonjë analizë më komplekse bëhen të diskutueshme justifikimi i paraqitur nga kreu i ZRRE-së se “janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për këtë shqyrtim të tarifave” dhe kërkesa e KEDS-it që e ka justifikuar kërkesën për rritje e çmimit të energjisë elektrike “me rritjen e çmimit të rrymës së importuar, si dhe me pamundësinë e KEK-ut për të prodhuar rrymë të nevojshme, sidomos gjatë sezonit të dimrit”. Do të ishte e udhës që ZRRE-ja të apostrofojë një kusht të vetëm që qenka plotësuar për të rritur çmimin e rrymës edhe sivjet. Cilat janë këto kushte të plotësuara, dhe pse nuk nuk i shpërfaqë në publik ato ZRRE-ja? Ndërkohë që dihet se çmimi i rrymës në Kosovë është ngritur saktësisht para një viti, madje edhe mbi kërkesat e shtruara nga ZRRE-ja dhe KEDS-i.
Me tarifat e çmimit të ngritur në shkurt të vitit 2022 konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në orë, brenda një muaji, paguajnë 12.5 centë për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta, ndërsa 5.9 centë gjatë tarifave të ulëta. Konsumatorët që shpenzojnë më pak, paguajnë 7 centë për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta dhe 3 centë gjatë tarifave të lira.
Në fakt, sipas analizave më komplekse të bëra vjet me rastin e ngritjës së çmimeve të rrymës, doli se në shkurt të 2022-tës, praktikisht pati 2 çmime të ngritura. Sepse, vjet karahas çmimit të ngritur konkretisht, siç dihet, janë rikthyer edhe bllok-tarifat dhe kjo bëri që numri dërmues i konsumatorëve kosovarë ishte ai që paguajti dy herë çmimin e ngritur të rrymës. Një herë nga rritja e pritshme dhe e paralajmëruar nga KEDS-i dhe thuaja nga shumica absolute e institucioneve shtetërore vendimmarrëse dhe së dyti nga çmimi i ngritur, mbase edhe më shumë nga rivendosja e bllok-tarifave. Ndërsa, krahas çmimit të ngritur ZRRE-ja dhe KEDS-i paskan harruar shpejt subvencionimin rreth 100 milionësh që është bërë nga Qeveria për ta kompensuar importin e shtrenjtë të rrymës.
Nuk mund të justifikohet kërkesa për rritjën e çmimit të rrymës me “rritjen e çmimit të rrymës së importuar”, kur thuaja të tërin këtë import e ka kompensuar shteti i Kosovës gjatë tërë vitit të kaluar kur çmimet në tregun ndërkombëtar ishin të larta dhe kur kishte probleme reale në sistemin elektroenergjetik të Kosovës, sidomos në zingjirin prodhues. Por, siç u pa deri tani, dhe siç po paraqitën zhvillimet energjetike në tregjet ndërkombëtare, sivjet po “këndohet tjetër këngë”.
Energjia elektrike në tregjet ndërkombëtare po tregtohet me çmime ndjeshëm më të ulëta, madje disa fish më të ulëta se në vitin që shkoi. Çmimi i rrymës në bursën hungareze HUPX, nga ku importon Kosova, bie fjala, që nga vera e deri në këto ditë nuk e ka kaluar thuaja në asnjë ditë 200 euro për një megavat (vjet në raste kishte shkuar çmimi i një megavati edhe 500-600 euro). Por, në të shumtën deri tani kur po mbajnë temperatura më të ulëta, megavati në këtë bursë nga vera e vjetshme dhe deri tani, është tregtuar 100 euro, me raste edhe nën dhe mbi këtë çmim.
Në anën tjetër, sivjet KEK-u, termocentralet e tij, në sajë të freskimit më të detajuar teknik të blloqeve B 1 dhe B2 të Kosovës B dhe A3 dhe A4 të Kosova A, gjatë vitit të kaluar ka ndikuar shumë në punën e mirë dhe në prodhimin kontinuel dhe tashmë të standardizuar të këtyre kapaciteteve të stërvjetëruara realisht, duke arritur kuotat e planifikuara të prodhimit, madje edhe përtej tyre edhe gjatë këtyre ditëve të dimrit. Me fjalë të tjera, ka kohë që nga termocentralet e Kosovës që gjenden në prodhim, respektivisht nga blloku B1 dhe B2 të Kosovës B, që kanë bashkarisht kapacitet mbi 600 megavatë në gjenerator, ndërsa në rrjet fuqia e secilit bllok është 260 megavat-orë dhe A3 dhe A 4 të Kosova A, me gjithsej 260 megavatë-orë, prodhohen diku afër 800 megavatshit. Kësaj sasie të energjisë elektrike të prodhuar nga TC-të, duhet shtuar këtyre ditëve me të reshura dhe me erë goxha intensive plus më së paku rreth 100 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme (hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës). Por, sasisë së energjisë elektrike të prodhuar në termocentralet e KEK-ut në vazhdimësi me javë dhe muaj thuaja në sasi standarde (rreth 800 megavatë-orë), duhet shtuar edhe një sasi të konsiderueshme të energjisë elektrike që po vie nga Shqipëria në bazë të marrëveshjeve të këmbimit të rrymës, gjegjësisht që KESH po ia kthen borxhin KEK-ut, që ky i fundit gjatë maujve të verës dhe në orët e natës ka deponuar në sistemin elektroenergjetik shqiptar.
KEK-u, siç ka raportuar disa herë Buletini Ekonomik, gjatë ditëve të verës dhe sidomos gjatë orëve të natës, kur nevojat e Kosovës ishin më të vogëla se konsumi, i ka dhënë hua, ose ka deponuar në KESH diku afro 150 mijë megavatë-orë. Zyrtarë të KEK-ut në vazhdimësi në muajt e fundit kanë njoftuar për Buletinin Ekonomik, se nga KESH-i, gjatë 24 orëve kanë ardhur, ose do të vijnë në KEK si kthim i borxhit diku rreth 180 deri në 230 megavat-orë energji elektrike, ose nga 1.500 deri në mbi 2.000 megavatë gjatë 24 orëve. Dhe e tërë sasia, edhe prodhimi nga kapacitetet vendore edhe energjia e rikthyer si borxh nga Shqipëria iu ka ofruar KEDS-it. Duke pasur shumë energji dhe përtej nevojave të konsumit të vet, Korporata Energjetike Shqiptare (KESH), ka javë e ditë që po vazhdon t’ia kthej borxhin Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK-ut). Dhe në këtë mënyrë Kosova edhe po ka thuaja se energji të mjaftueshme për konsumin e vet të shtuar ndjeshëm, edhe nuk ka shumë nevojë për import në sasi të mëdha edhe në rastet e rritjes deri në 1.300 megavatë orë të konsumit në këto ditët më të ftohta.
Ndërsa, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë për medie se operatorët e energjisë mund të kenë kërkesa të ndryshme por për rritje vendos ZRrE-ja dhe Qeveria.
“Përderisa kërkesa mund të kenë operatorët, dhe gjithë ata që janë pjesë e sektorit të energjisë dhe pastaj varet nga vendimi i ZRrE dhe nga veprimet e qeverisë. Ne kemi pasur kërkesë të tillë edhe më herët megjithatë ka intervenuar Qeveria me subvencion. Mbi 208 mijë familje janë përfitues jo vetëm të subvencionit përmes qeverisë që ka paguar por tash drejtpërdrejt në xhepin e qytetarëve tashmë ka zbritje të faturave tek ata që kursejnë dhe subvencionohen. Është shumë e rëndësishme që në këtë proces të kemi komunikimin e rregullt, të kemi gjithë akterët në këtë sektor në kryerje të detyrës. Edhe ne dje kemi kërkuar llogari nga ZRrE mbi borxhet në sektor që janë në mes të operatorëve”, tha ajo.
Këto janë fakte që i bëjnë të dikskutueshme dhe të papranueshme justifikimet e ZRRE-së dhe të KEDS-it për të rishtrenjtuar energjinë elektrike në Kosovë. Prandaj, bëhet fare jo bindës paralajmërimi i ZRRE-së për shqyrtimin e tarifave të rrymës dhe kërkesa e KEDS-it për të ngritur sërish çmimin e energjisë elektrike. Gjithsesi, do të ishte më e udhës dhe do të ishtë mirë, që para se të bëhej kërkesa e KEDS-it për të shtrenjtuar sërish çmimin e rrymës, të bëhet publike sa është shuma e saktë e mjeteve financiare të shpenzuara për të importuar rrymën e munguar, sa po ua shet një megavatë-orë të energjisë elektrike konsumatorëve kosovarë që KEDS-i e blen nga KEK-u për 29,6 euro, që i bie për ta blerë jo rrallë edhe nën koston e përgjithshme që i kushton vet KEK-ut për të prodhuar këtë megavat të rrymës. Ky çmim sipas drejtorit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi, “ndonjëherë është nën koston e përgjithshme prodhuese të megavatit”.
Ndërsa, ZRRE në gjithë komunikimin me puplikun për të justifikuar paralajmërimin për shqyrtim të tarifave të rrymës, sikur ka harruar që në një rast të vetëm, të thotë se çka ka bërë kjo kompani në këtë ndërkohë pas ngritjes së çmimeve të vjetshme për të siguruar ndonjë sasi të munguar të energjisë elektrike, cilin projekt konkret e ka ideuar, apo sugjeruar për ta realizuar me qëllim të zbutjes sadopak të mungesës së rrymës, cilin projekt me emër dhe shpresëdhënës nga energjia rinovuese ia ka imponuar Qeverisë aktuale, e cila poashtu, pos retorikës shterpe, nuk është se po bënë diçka konkrete për të siguruar energjinë e munguar. ZRRE, po kështu, duhet t’i tregojë publikut edhe për nivelin e pagave të punonjësve të vet, që për rrethanat kosovare janë stratosferike, dhe nuk janë shumë larg atyre perëndimore, sikundër që është dashur bile një një fjali, të thuhet se si u menaxhuan gjithë këto subvencione të Qeverisë së Kosovës, para të kosovarëve të varfër, për ta stabilizuar sistemin elektroenergjetik të Kosovës.
ZRRE duhet ta thotë ndonjë fjalë edhe për paratë e fituara nga eksporti i energjisë elektrike, si janë menaxhaur ato, kah kanë shkuar përveç rritjes së rrogave në KEK dhe në hallkat e tjera të sistemit elektroenergjetik të Kosovës etj. Kur të dalin në dritë të gjitha këto fakte, atëherë do të shihet qartë se a janë të justifikueshme paralajmërimi i ZRRE-së për shqyrtimin e tarifave ekzistuese të rrymës dhe kërkesa e re e KEDS-it për të shtrenjtuar edhe më rrymën në Kosovë. /Buletini Ekonomik/