Gati 15 milionë euro në një muaj. Kaq para ka fituar Korporata Elektroenergjitike Shqiptare pas 6 procedurave tenderuese për shitje të energjisë elektrike gjatë janarit. KESH ka eksportuar më shumë se 135 mijë megavat orë energji.
Në po të njëjtin hark kohor Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka depozituar në Kosovë gati 164 mijë megavat/orë energji, për ta marrë pas gjatë qershorit.
Shitja e mbiprodhimit ven si pasojë e përmirësimit të situatës hidrike në Kaskadën e Drinit, kryesisht nga reshjet e javëve të fundit që bashkë me dëmet, rikthyen edhe ekuilibrat në sektorin energjetik.
Niveli i ujit në liqenin e Fierzës ka arritur në rreth 288 metër, nga 296 që është kuota maksimale. Komani ka arritur në pak më shumë se 172 metër, ndërsa Vau i Dejës në 74.5 metër, rreth 1 metër më pak nga pika maksimale.
Bashkë me parashikimet optimiste për një vit të lagësht, ndonëse me luhatje, dhe çmimi i energjisë në bursë paralajmëron për fitime të kënaqshme të KESH.
Në Bursën hungareze, një megavat/orë energji u shit të martën për gati 152 euro, çmim ky i lartë në raport me periudhën.
Nëse viti do të rezultojë vërtetë i lagësht, me çmimet aktuale në bursë, Shqipëria mund ta lë shpejt prapa krahëve gjendjen e krizës në furnizim me energji e cila mbetet në fuqi deri në qershor.