Shqipëria dhe Mali i Zi në mbledhjen e përbashkët kanë arritur dhjetë marrëveshje, përfshirë edhe atë për ndërtimin e urës mbi Lumin Buna.
Pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, në konferencën për media kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se projekti mbi Bunë do të kushtojë më shtrenjtë sesa ishte menduar fillimisht, përkatësisht ishte menduar se do të kushtonte 9 milionë euro.
“Projekti do të kushtojë rreth 20 milionë euro, nëse ndahet mes dy shteteve nuk është shumë. Pala shqiptare e ka gati projektin e vetë, ndërsa ne duhet ende të punojmë. Është me rëndësi të fillohet sa më shpejt ndërtimi i saj dhe kjo do të sjellë jetësim të krejt kësaj zone”, tha Abazoviq.
“Marrëveshja është që ta paguajmë 50 për qind me 50 për qind. Shpejt do të hapim tenderin që të gjejmë ofertuesin më të mirë. Për tre vjet, një projekt të tillë mund ta paguajë administrata vendore dhe jo më ajo shtetërore”, shtoi ai.
Kjo urë do të lidhë Ulqinin, komunë në jug të Malit të Zi, me Velipojën në Shqipëri. Aktualisht, distanca mes këtyre dy vendeve është 70 kilometra dhe ndërtimi i urës do ta shkurtojë rrugën në vetëm disa sosh.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se vonesat në nisjen e këtij projekti të rëndësishëm për dy vendet vjen për shkak të moskoordinimit dhe mungesës së bashkëpunimit, që sipas tij, vihet re në përgjithësi në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ura do të jetë e gjatë rreth 310 metra dhe e gjerë 17 metra, si dhe do të përfshijë trotuare dhe shtigje për biçikleta.
Projekti ishte prezantuar nga Rama dhe Abazoviq, gjatë një takimi të mbajtur në Ohër në kuadër të iniciativës “Ballkani i Hapur”, në qershor të vitit të kaluar.
Përveç marrëveshjes për ndërtimin e urës, janë nënshkruar edhe nëntë marrëveshje dhe memorandume në disa fusha me interes të përbashkët që kanë të bëjnë me: energjinë, peshkimin, mbrojtjen e bimëve, mbrojtjen sociale, sportin, kulturën dhe median, në fushën e mbrojtjes dhe shëndetësisë.