Vazhdon rritja e çmimeve të artikujve ushqimor, inflacioni shkon në 12.1 për qind

Çmimet e produkteve kryesore për jetesë në Kosovë, po vazhdojnë të rriten dita-ditës. Norma vjetore e inflacionit në vend tashmë gjatë janarit (në krahasim me janarin 2022) është shënuar në vlerë të 12.1 për qind, ka bërë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Produktet që shënuan rritjen më të lartë në çmim gjatë kësaj periudhe ishin vajërat dhe yndyrnat e ndryshme për ushqim, buka dhe drithërat, për të vazhduar pastaj me mishin, produktet higjienike dhe karburantet, përcjell Buletini Ekonomik.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 12.1% në vitin 2022, krahasuar me vitin 2021″, thuhet në raportin e ASK-së.

Reklama e sponzorizuar

Kjo rritje sipas ASK-së, është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: vajra dhe yndyra që u rritën me 26.0%; bukë dhe drithëra 21.2%; mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 20.5%; mishi 18.9%; sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira 18.9%; prodhime ushqimore 16.5%; mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit 16.3%; energji elektrike 15.4%; karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal 13.3%; perime 10.8%; vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht 10.7%; mirëmbajte dhe riparim i pajisjeve personale të transportit 10.6%; peshk 10.4%; qumësht, djathë dhe vezë 10.4%; pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë për pajisjet e transportit personal 9.9%; mbrojtje sociale 9.5%); pije alkoolike 9.4%; kafe, çaj dhe kakao 9.0%; dhe pemët me 8.8%.

Ndërkohë, inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.9 për qind më i lartë në muajin janar të këtij viti në krahasim me muajin dhjetor 2022.

ASK-ja këtë rritje e shpjegon me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it, si: perimet që u rritën me 10.4%; energjia elektrike me 3.1%; duhani 2.6%; mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 2.2%; pemë 1.9%; shërbime financiare 1.8%; pajisje shtëpiake 1.8%; shërbime rekreative dhe kulturore 1.6%; shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit 1.6%; qumësht, djathë dhe vezë 1.5%; pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë për pajisjet e transportit personal (1.5%); bukë dhe drithëra (1.2%); prodhime ushqimore (0.8%).

Ndryshe, Qeveria e Kosovës kishte përpiluar edhe Ligjin për vendosjen e çmimeve tavan për produktet bazë për jetesë, madje i njëjti ishte miratuar edhe në Kuvendin e Kosovës, mirëpo opozita e Kuvendit mas miratimit e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese, dhe si i tilë nuk ka gjetur ende zbatim në vendin tonë. /Buletini Ekonomik/