A kanë arsye që qytetarët e Kosovës të shqetësohen nga kriza bankare e shkaktuar nga dy banka, njëra amerikane – Silicon Valley Bank dhe tjetra zvicerane – Credit Suisse? A mund të reflekohet në gjendjen ekonomike në vendin tonë dhe në sistemin bankar të Kosovës? Banka Qendrore e Kosovës dhe ekspertët tregojnë gjendjen.
Tashmë këto dy banka kanë kolapsuar dhe të tjera janë “dridhur” nga luhatjet në tregjet botërore.
Por cili mund të jetë efekti i tyre në Kosovës dhe a mund të kemi arsye të shqetësohemi?
BQK: Nuk përbën shqetësim
Lidhur me këtë ne pyetem, institucionin më të lartë bankar në vend – Bankën Qendrore të Kosoëvs – të cilët theksuan se nuk ka arsye për shqetësim.
Në një deklarim për Nacionale nga BQK kanë thënë se dështimi i bankës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka ndonjë rrezik për sektorin bankar në Kosovë.
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ju informon se problemet financiare të bankave të caktuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk përbën shqetësim dhe nuk paraqet asnjë rrezik direkt apo indirekt në shëndetin financiar të sektorit bankar në Kosovë. Sektori bankar në vend vazhdon të jetë i sigurtë dhe i shëndoshë në të gjithë treguesit e saj.” – kanë thënë nga BQK.
Bile, BQK njoftoi se me të dhënat e fundit trendi i depozitave si burim kryesor i financimit është i mirë dhe se deri në fund të muajit shkurt depozitat kanë arritur 5.6 miliardë euro.
“Po ashtu, treguesit e likuiditetit vazhdojnë të jenë në nivele mjaft të larta. Treguesi i mbulimit me likuiditet (LCR-Liquidity Coverage Ratio) është në nivelin prej 229 përqind, që është shumë më lartë se niveli i kërkuar prej 100 përqind (në tremujorin e tretë të vitit 2022, treguesi i LCR në vendet e Eurozonës ishte në nivelin prej 162 përqind), derisa treguesi i likuiditetit (mjetet likuide/detyrimet afatshkurtra deri në 1 vit) vazhdon të jetë i lartë në nivelin prej 36.3 përqind.” – thuhet tutje në përgjigjen e BQK-së.
“Jemi në fillim të stuhisë”
Ndërkaq, për ekonomistin dhe ekspertin e tregjeve ndërkombëtare, Emanuel Bajraj, ka thënë për Nacionalen se “tregjet globale ne tri javët e kaluara humbën konfidencen në banka dhe në mekanizmat kryesore te likuiditetit duke tërhequr një masë të madhe te investimeve nga indekse te ndryshme gjithandej stoqeve.”
Tutje, ai ka thënë se bankat në Kosovë nuk janë në gjendje të mirë, pasi sipas tij, ato nuk janë imune ndaj krizave.
“Bankat kosovare janë në një pozicion te veshtire pasi qe nuk jane imune ndaj krizave bankare ne kontinent dhe me gjerë. Problemi me i madh qe une e shoh për bankat ne Kosovë është se ato nuk janë te sinkronizuara me interesin e publikut, pra konsumatorin e shohin me shume si simbol i parase se sa si qenie qe duhet trajtuar me dinjitet por edhe te ndihmohen kur ka nevojë.” – ka thënë ai.
Bajraj për Nacionalen ka thënë se tash është veç fillimi i stuhisë teksa ka bërë thirrje ndaj BQK-së që të reformojnë sistemin bankar në vend.
“Momentalisht nuk shoh ndonjë nevojë paniku, por tashme jemi në fillim te stuhisë dhe unë u bej thirrje autoriteteve regullatore bankare te vendit qe te jene me proaktive, me dinamike dhe me te perkushtuar për të reformuar sistemin bankar ne vend dhe per te ofruar garanci ndermarrjeve, bizneseve dhe konsumatorit ne përgjithësi që ata do t’i gjinden prane nese ndonjera nga bankat komerciale ne Kosove falimentojnë. Asgjë nuk duhet të merret me indiferencë dhe duhet të jemi të vëmendshëm. Unë parashikoj që bankat e Kosovës mbartin rrisk sistemik dhe strukturor.” – ka theksuar ai.
Mbetet të shihet se cili mund të jetë efekti i falimentimit të këtyre bankave në Kosovë. /Nacionale/