Kryetari i Bordit të Bankës Qendror, Bashkim Nurboja i cili është edhe anëtar i LVV-së është emëruar përkohësisht guvernator, kjo pasi Fehmi Mehmetit i ka përfunduar mandati si guvernator. Ky vendim është marrë në mbledhjen e mbajtur sot nga bordi, shkruan Insajderi.
Ndërkohë është bërë me dije se edhe dy anëtarë jo ekzekutivë të bordit do t’i marrin pozitat e zëvendësguvernatorëve.
Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 29 mars 2023, mori vendimin si në vijim: Duke marrë parasysh rrethanat e krijuara si rezultat i përfundimit të mandatit të Guvernatorit të Bankës Qendrore, si dhe në mungesë të Zëvendësguvernatorëve me mandat të plotë (për shkak të përfundimit të mandatit), Bordi i Bankës Qendrore në mbledhjen e mbajtur më 29 mars 2023, në pajtim me nenin 46 të Ligjit nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, mori vendim që posti i Guvernatorit të merret përkohësisht nga Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore, ndërsa dy (2) anëtarët joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore, do të marrin përkohësisht postet e Zëvendësguvernatorëve“, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Theksohet se vendimi si më lartë është marrë, me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së përmbushjes së objektivave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës siç është përcaktuar me Ligjin për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.
Gazeta Insajderi ekskluzivisht ka shkruar për ndikimin që partia në LVV ka pasur në emërimin e anëtarit të saj Bashkim Nurboja në Bordin e BQK-së.