Kosova pranon 67.5 milionë euro nga BE-ja si mbështetje ndaj krizës energjetike

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar sot se Thesari i Kosovës ka pranuar tranzhin e parë prej 67.5 milionë eurove nga Bashkim Evropian, nga 75 milionë sa është mbështetja totale ndaj krizës energjetike.

Këto fonde, sipas njoftimit të ministrisë, do të përdoren për zbatimin e masave mbështetëse për energji, të cilat përfshijnë mbështetjen ndaj familjeve më në nevojë, nxitjen e kursimit për konsumatorët familjar, mbështetjen për energji efiçiente për banesa e shtëpi, mbështetjen për blerjen e paisjeve shtëpiake efiçiente, si dhe nxitjen e kursimit nga ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.

Mbështetja nga Bashkimi Evropian kanalizohet përmes programit IPA 2023 për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë, program i cili këtë vit është dedikuar në plotëni për financim në fushën e energjisë.

Reklama e sponzorizuar

“Gjatë vitit 2022 mbështetja nga Qeveria në tejkalimin e krizës energjetike ka kaluar vlerën mbi 80 milionë euro”, thuhet në njoftimin e MFPT-së.

Me disbursimin e tranzhit të parë nga BE, do të i hapet rrugë vazhdimësisë së mbështetjes ndaj qytetarëve. Ndërtkohë, tranzhi i dytë në vlerë prej 7.5 milionë euro do të disbursohet në vitin 2024.