Shumë agjenci të paluajtshmërive në Kosovë ankohen, duke shpërfaqur shqetësimet e tyre për rënie drastike të aktivitetit afarist si pasojë e rënies së shitblerjeve të paluajtshmërive, pronave dhe banesave në veçanti. Ndikim të madh në ç’ekuilibrimin e afarizmit të agjencive të paluajtshmërive në vend ka edhe paraqitja e numrit të madh të agjentëve imobiliarë të egër, “sekserëve” të palicencuar dhe të paregjistruar gjëkundi si subjekte ekonomike, të cilët ka kohë që janë numerikisht shumë dhe po shtohen dita-ditës.
Buletini Ekonomik
Pas disa vitesh afarizmi të suksesshëm dhe rendimentesh të lakmueshme financiare, muajt e fundit të vitit të kaluar dhe sidomos në periudhën e deritashme të këtij viti, shumë agjenci të paluajtshmërive në Kosovë ankohen, duke shpërfaqur shqetësimet e tyre për rënie drastike të aktivitetit afarist si pasojë e rënies së shitblerjeve të paluajtshmërive, pronave dhe banesave në veçanti.
Në gjendjen e keqësuar afariste të agjencive të tregtimit të paluajtshmërive kanë ndikimin e tyre jo të vogël edhe ca zhvillime dhe dukuri të tjera që në këto vite kanë “bashkëjetuar” me këtë sektor.
“Ndikim të madh në ç’ekuilibrimin e afarizmit të agjencive të paluajtshmërive në vend ka paraqitja e numrit të madh të agjentëve imobiliarë të egër, të palicencuar dhe të paregjistruar gjëkundi si subjekte ekonomike, të cilët ka kohë që janë numerikisht shumë dhe po shtohen dita-ditës. Ata nuk respektojnë dhe nuk përfillin asnjë rregull dhe asnjë normë, as ligjore, por as morale, në aktivitetet e tyre të shitblerjes së paluajtshmërive. Përdorin edhe makinacione të palejuara për të gjetur klientelë, por edhe në raporte me klientët. Gjithsesi, për shkak se nuk i paguajnë shtetit asgjë për shërbimet ilegale të tyre, dalin të jenë më të lirë sesa shërbimet e agjencive të licencuara dhe të regjistruara të paluajtshmërive”, i kanë thënë Buletinit Ekonomik pronarë të shumtë të agjencive, të cilët kanë preferuar të mbesin anonimë.
Ndërsa, Sherif Spahija, pronari i Agjencisë së tregtimit të paluajtshmërive “Era”, me seli në lagjen “Pejton” të Prishtinës, ka thënë për Buletinin Ekonomik se praktikisht ka muaj që ka rënie drastike të shitblerjeve në përgjithësi të paluajtshmërive në Prishtinë, dhe në veçanti të banesave, dhe ai personalisht po mendon seriozisht t’ia vë dryrin biznesit të tij, për shkak të mungesës së punës.
Në anën tjetër, sipas tij, shpenzimet për mbajtjen e biznesit vazhdojnë të jenë të njëjta dhe po bëhen thuajse të papërballueshme.
“Pagesa e qirasë për ambientet afariste dhe shpenzimet e tjera janë objektivisht të rënda për t’u përmbushur në rrethanat e rënies tash e sa muaj të shitblerjes së banesave”, ka thënë ai.
Edhe Spahija, ndër shkaqet e rënies së punës te agjencitë e paluajtshmërive, krahas stërngopjes së tregut me banesa, çmimeve enorme të larta të tyre dhe përcaktimit të kosovarëve për të blerë banesa në bregdetin shqiptar, apostrofon numrin e madh të “sekserëve” ilegalë, të palicencuar dhe të paregjistruar, të cilët kanë çrregulluar ndjeshëm tregun e paluajtshmërive në vend.
Në rrethanat aktuale, nën kushtet e rënies së madhe të shitblerjes së banesave dhe paluajtshmërive të tjera dhe rritjes enorme të “sekserëve” të egër, sipas pronarëve të këtyre agjencive në Prishtinë, e ardhmja e tyre është fare e paqartë, është e diskutueshme dhe me perspektivë të zymtë.
“Po duket se ka kaluar bumi dhe hovi afarist i agjencive të paluajtshmërive në Kosovë. Nuk ka më shitje si në vitet e mëparshme të banesave, kështu që nuk ka as aktivitet të qëndrueshëm afarist të agjencive. Ndërsa numri i stërmadh i ‘sekserëve’ të egër dhe rritja e vazhdueshme e tyre e bëjnë edhe më të mjegullt të ardhmen e agjencive të licencuara”, thonë shumica e pronarëve të anketuar.
Ata nuk e kanë të qartë të ardhmen e tyre afariste./Buletini Ekonomik











