Kryeministri Rama krahason pagën minimale me shtetet e rajonit, Kosova në fund të listës

Euro

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se Qeveria e tij po punon për të rregulluar skemën e pagave, pas rritjes së pagës minimale.

Rama tha se do të zhvillojë takime me sipërmarrësit për të diskutuar lidhur me rritjen e pagës minimale në sektorin privat.

“Nisim takimet me sipërmarrjen për domosdoshmërinë e rritjes së mëtejshme të pagave në sektorin privat, ku tanimë nga prilli minimumi i detyrueshëm është 40 mijë lek. Ndërkohë që qeveria po bën gati korrektimin e krejt skemës së pagave pas rritjes së ndjeshme të pagës minimale, si reagim ndaj vështirësive të paparashikuara të krijuara kudo prej agresionit të Putinit dhe inflacionit të luftës”, njoftoi kryeministri shqiptar.

Reklama e sponzorizuar

Për ta bërë një krahasim me shumën e pagës minimale në Shqipëri, ai listoi pagat minimale të shteteve të rajonit, përfshirë Kosovën.

Nga kjo renditje, Shqipëria figuron e treta në rajon, së shpejti me pagë minimale 352 euro, pas Malit të Zi që e ka 532 euro dhe Serbisë që e ka 460 euro pagën minimale.

Ndërkaq, Shqipëria lë pas Maqedoninë e Veriut, me një pagë minimale 327 euro, Bosnjë-Hercegovinën, me 304 euro dhe në fund renditet Kosova.

Paga minimale në Kosovë vazhdon të jetë 130-170 euro, meqë Projektligji që do ta rriste në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, s’është sjellë ende në Kuvend për lexim të dytë. Ky projektligj ka kaluar vetëm në lexim të parë.

Për të hyrë në fuqi, projektligj duhet të kalojë edhe leximin e dytë dhe të tretë dhe të nënshkruhet nga Presidentja Vjosa Osmani.