Një nga problemet kryesore të parqeve me erë është ndikimi i turbinave në shpezë. Kjo fushë merr vëmendje mjaft të madhe gjatë studimeve të ndikimit ambiental të projekteve me erë.
Kritikët e energjisë së erës shpesh përmendin rrezikun e përplasjes me zogjtë si një argument kundër përdorimit të energjisë së erës.
Por një studim i ri i kryer nga kompania evropiane e energjisë Vattenfall tregon se turbinat me erë në det të hapur në një fermë me erë në Mbretërinë e Bashkuar janë shumë më pak të rrezikshme për zogjtë sesa mendohej më parë, një hap drejt kundërshtimit të pretendimeve të zakonshme se turbinat janë një kontribues i madh në vdekshmërinë e shpendëve, raporton Kosovo.Energy.
Studimi i Vattenfall shqyrtoi sjelljen e zogjve detar për një periudh dyvjeçare në fermën e erës në det të hapur, Aberdeen, që ndodhet në Detin e Veriut në bregun lindor të Skocisë.
Kompania e përshkruan studimin si analizën më gjithëpërfshirëse dhe teknologjikisht më të avancuar në këtë fushë deri më sot, duke përdorur radarë dhe kamera për të monitoruar se si sillen zogjtë.
Çfarë gjeti studimi?
Nuk u regjistrua asnjë përplasje e vetme mes një zogu dhe një tehu. Në fakt, zogjtë shmangin qëllimisht tehet e rotorit të turbinave.
“Kjo është gjetja më e rëndësishme,” thotë Henrik Skov, i cili drejtoi projektin.
“Njerëzit kanë sugjeruar se do të nevojiteshin zgjidhje shumë të kushtueshme për t’u siguruar që zogjtë të shmangin përplasjet (me tehet e turbinave me erë), por speciet që ne kemi gjurmuar bëjnë një punë të shkëlqyer për t’i shmangur vetë ato. Ata duken shumë të aftë për të mbijetuar në një mjedis ku janë implementuar parqet e erës.”
Studimi shqyrtoi në detaje lëvizjet e disa specieve të shpendëve në këtë zonë nga prilli deri në tetor, kur aktiviteti i tyre është më i madhi. Rezultatet tregojnë se modelet e lëvizjes së zogjve përshtaten me tehet e rotorit në afërsisht 120 metra dhe përshtaten gjithnjë e më shumë sa më shumë që zogjtë i afrohen rotorëve, raporton Kosovo.Energy.
Studiuesit kombinuan të dhënat e radarit me kamera për të identifikuar speciet e zogjve të detit dhe për të krijuar një imazh tredimensional të modelit të fluturimit të zogjve dhe se si ata shmangin tehet e rotorit.
“Pas turbinave, krijohen turbulenca gjithashtu, që ndikojn në sjelljen e zogjve. Pra, ky është një tjetër faktor për t’u përfshirë në llogaritje, përveç motit dhe erës. Ky lloj studimi i detajuar nuk është bërë kurrë më parë,” shton Skov.
Vattenfall tha se rezultatet potencialisht mund të hapin rrugën për thjeshtësimin e proceseve për licensimin e projekteve të energjisë së erës në det të hapur.
“Deri më tani një qasje e panevojshme dhe tejet e kujdesshme është aplikuar ndaj çështjes dhe pak a shumë çdo projekt ka ekzagjeruar rrezikun e përplasjes së zogjve me tehet. Në botën e studimeve, besohet se ky ndikim kumulativ i përplasjeve është më i madh se sa mund të përballojë popullata e këtyre shpendëve të detit, gjë që dukshëm ka një ndikim negativ në proceset e lejeve.
Me këtë projekt, ne kemi qenë në gjendje të mbledhim të dhëna që shpresojmë se mund të përdoren për të përmirësuar aftësinë tonë për të parashikuar më saktë rreziqet e përplasjeve dhe kështu të lejojmë që të nxirren shifra më realiste për vlerësimet e efektit kumulativ të fermave me erë në Detin e Veriut.” Ka thënë Robin Cox, menaxher i projektit të Vattenfall për këtë studimi, raporton Kosovo.Energy.
Cox shpjegon se modelimi i rrezikut të përplasjes deri më sot ka përdorur të dhëna statike të bazuara në supozime, por studimi i ri ka qenë në gjendje të fokusohet më në detaje në sjelljen e fluturimit të zogjve individualë. Projekti u krye gjithashtu për një periudhë më të gjatë kohore për ta bërë atë sa më të saktë.
Ndërsa Vattenfall pranon se studimi shikoi vetëm katër lloje zogjsh në një park të vetme të erës në det të hapur, modeli i përdorur mund të zbatohet për më shumë lloje zogjsh detarë ose për energjinë e erës në tokë.
“Kjo është hera e parë që çdo lloj zogu është studiuar nga afër dhe në detaje në një fermë me erë në det të hapur. Dhe këta zogj janë vërtet të mirë në shmangien e turbinave. Tani na duhen studime për më shumë varietete,” thotë Skov.