Dje pas protestës, përmes një postimi Sindikata e Re e KEK ka paralajmëruar fillimin e grevës më 3 prill.
‘Sot ishte një Protestë madheshtore e punëtorëve të KEK-ut me kërkesën ngritja e pagave për të gjithë punëmarrësit e KEK-ut. Me 3 Prill më nuk do të ketë vendim për protesta por do të jetë Greva’, kanë shkruar nga Sindikata.
Ndryshe, qindra punëtorë të Korporatë Energjetike të Kosovës (KEK) kanë protestuar dje duke kërkuar rritje të pagave.
Para zyrave qendrore të KEK-ut në Prishtinë, ata kërcënuan menaxhmentin aktual se në rast se nuk përmbushin kërkesat e tyre do të hyjnë në grevë, duke lënë siç thanë, Kosovën në terr.
Kryetari i Sindikatës së punëtorëve në KEK, Nexhat Llumnica tha se krahas rritjes së pagës duhet të paguhet edhe rrezikshmëria në punë, shujta e ushqimit dhe pagesa për punën në vikend, sipas Ligjit të punës.
Më kërcënues ndaj menaxhmetit të KEK-ut për rritje të pagave ishte përfaqësuesi tjetër i sindikatës, Xhelal Jashari. Ai tha se rritja e pagave nuk ka alternativë në KEK, pasi në të kundërtën do të hyjnë në grevë.
Përkrahje kërkesave të punëtorëve të KEK-ut dha edhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli.
Ndërkaq, kryetar i Sindikatës së Administratës Publike, Ali Gashi tha se kërkesat për rritje pagash në KEK janë legjitime.
Punëtorët e KEK-ut marshuan edhe para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku potencuan nevojën e pranimit edhe të 2000 mijë punëtorëve të rinj në KEK.