Ramosaj: Zhvillimin ekonomik të Kosovës më së shumti e ka penguar pasiguria politike dhe niveli i ulët i shtetndërtimit

Berim Ramosaj, ligjërues shumëvjeçar në Fakultetin Ekonomik të UP-së dhe njohës i vlerësuar i zhvillimeve ekonomike nuk beson shumë në masat administrative për zhvillim ekonomik, por në lirinë e madhe ekonomike që duhet dhënë bizneseve dhe personave si investitorë potencialë. Ai me këtë mendon se duhet të ketë një rregullativë ligjore të thjeshtë dhe të qëndrueshme, pa implikime politke, duke u shprehur se “liria ekonomike dhe siguria bëjnë çudira në thithjen e investimeve”. Sipas tij, pasiguria politike dhe ekonomike po shkakton edhe ikjen e kuadrit më të mirë nga Kosova, gjë që do të ketë impakt negativ për zhvillim edhe në të ardhmen.

Mehmet GJATA

Mundësitë e zhvillimit ekonomik të Kosovës do të krijoheshin më shpejtë dhe do të bëheshin më të prekshme, vetëm nëse kosovarët bëhen më koshientë, më të vetëdijshëm dhe më atraktiv në synimet e vizionet e tyre për zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme, dhe nëse arrihet të ketë më shumë investime nga jashtë si investime direkte, apo PPP, ka thënë për Buletinin Ekonomik, profesor Berim Ramosaj, ligjërues shumëvjeçar në fakultetin Ekonomik të UP-së dhe njohës i vlerësuar i zhvillimeve ekonomike.

Ndryshe, sipas tij, kapacitetet ekzistuese të Kosovës për zhvillim të shpejtuar janë relativisht të ulëta edhe për pasojë të mungesës së mjeteve buxhetore të vendit për sektorë të rëndësishëm siç janë minierat dhe ifrastruktura. Prandaj, vlerëson profesor Ramosaj, Kosova duhet ta ketë vizion me prioritet të domosdoshëm – inkurajimin e investimeve nga jashtë. Objektivi zhvillimor nëpërmjet prurjes më të efektshme të investimeve të jashtme, do të përmbushej nëse arrihet që sa më shpejtë Kosova të joshë kapitalin e huaj, projektet konkrete atraktive nga jashtë që gjenerojnë vende të reja pune dhe të ardhura reale.

Reklama e sponzorizuar

Ngecjet evidente dhe relativisht të shumta sa i përket zhvillimit ekonomik të Kosovës në këtë vit, profesor Ramosaj i sheh si rezultat i ndikimit te mjedisit makro-ekonomik, që domethënë impakti nga pasojat e pandemisë Covid 19 dhe Luftës në Ukrainë. Ndërsa, ndikimet nga mjedisi i brendshëm në ngecjet e zhvillimit ekonomik, vijnë si rrjedhojë e dobësive të brendshme të qeverisjes (nga mungesa e kapaciteteve kuadrovike të Qeverisë Kurti dhe tendencës për të ulur korrupsionin e trashëguar nga qeveritë e mëparme).

Duke u përgjigjur në pyetjen e Buletinit Ekonomik se çka duhet bërë më shpejtë dhe çka në afat më të gjatë për t’u “zgjuar nga gjumi” tepër i gjatë për t’u përqëndruar te zhvillimi ekonomik dhe për të qenë më rezultativ në arritjen e ndonjë objektivi zhvillimor, Berim Ramosaj vuri në dukje se “faktori politik në procesin e shtet-ndërtimit ka ndikim në shkallën e ulët të zhvillimit. Padyshim, thotë ai, edhe mungesa e kapitalit nga sektori privat paraqet pengesë për zhvillim më të hovshëm ekonomik. Prandaj, siç vuri në dukje Ramosaj, në këtë rast (kur ka mungesë të kapitalit nga sektori privat) shtrohet nevoja e stimulimit apo iniciativave stimuluese per investime, sidomos në sektorët që gjenerojnë rritje ekonomike dhe në sektorët që prodhojnë për eksport, aq më parë, duke marrë parasysh strukturën e pavolitshme sektoriale në ekonominë kosovare dhe bilancin negativ tregtar të Republikës.

Gjatë përgjigjes në interesimet e Buletinit Ekonomik rreth çështjeve zhvillimore, më konkretisht se si ai i vlerëson politikat aktuale ekonomike të Kosovës dhe se a ka ndonjë ndryshim nga ato të qeverive të deritashme të pasluftës, ai theksoi se “politikat ekonomike në Kosovë nuk kanë ndryshuar fare nga qeveritë e mëparme (edhe pse kjo aktualja është qeveri e majtë). Ndaj, sipas tij, dobësitë në këtë fushë janë vazhdimësi.

Ndërsa, rreth dështimeve si shtet dhe si shoqëri që 22 vjet e sa pas luftës që mos të kemi mjaft energji elektrike megjithë këto resurse natyrore që i kemi në prag të derës, profesori ka theksuar se “dobësitë në furnizimin me energji elektrike janë të natyrës objektive, pasi që nuk kemi bërë investime plotësuese qoftë në rindërtimin, apo freskimin rrënjësor në kapacitetet ekzistuese, qoftë në ndërtimin e kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme”.

Ai mendon se në zhvillimin ekonomik, Kosovën e ka penguar më së shumti pasiguria politike dhe niveli i ulët i shtetndërtimit, pastaj vijnë edhe faktorët e natyrës qeveritare dhe më në fund, paaftësia e bizneseve vendore për t’u zhvilluar. Kjo pasiguri politike dhe ekonomike po shkakton edhe ikjen e kuadrit më të mirë nga Kosova, gjë që do të ketë impakt negativ për zhvillim.

Zgjidhjet për të tejkaluar ngecjen ekonomike dhe për të gjetur kahet e duhura zhvillimore, sipas Ramosajt, nuk janë edhe aq të lehta. Por, një hapje ndaj bizneseve të huaja dhe shfrytëzimi i të gjitha mundësive për orientimin e investimeve në sektorët strategjik të industrisë përpunuse dhe asaj të minierave mund të japë impakt pozitiv në afat të gjatë, thotë ai, duke sugjeruar përqendrimin e vëmendjes në këta sektorë, si prioritete zhvillimore të vendit.

“Unë nuk besoj shumë në masat administrative për zhvillim ekonomik, por kam besim në lirinë e madhe ekonomike që duhet të ju jepet bizneseve dhe personave si investitor potencial. Këtu po mendoj për një rregullativë ligjore të thjeshtë dhe të qëndrueshme pa implikime politike, pasi që liria ekonomike dhe siguria bëjnë çudira në thithjen e investimeve”, thotë i bindur Ramosaj, duke shtuar se tregu pastaj i rregullon të gjitha aspektet nëpërmjet konkurrencës dhe zhvillimit. /Buletini Ekonomik/