Ministria e Financave: Sot dalin pagat dhe shtesat prej 300 euro të parapara në Pakon Emergjente

Ministria e Financave dhe Transfereve thotë se pagat e punëtorëve në sektorin publik dhe shtesat për disa kategori do të kryhen gjatë ditës së sotme.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i MFT-së, Muharrem Shahini, duke shtuar se së bashku me ekzekutimin e pagave do të përfshihet edhe shtesa prej 300 euro për disa kategori që janë përfitues sipas Pakos Emergjente Fiskale.

Reklama e sponzorizuar

“Së bashku me pagat do të përfshihet edhe shtesa prej 300 euro e paraparë për të gjithë ata përfitues sipas Pakos Emergjente Fiskale”, tha Shahini.

Nga kjo pako, sigurim shtesë në vlerë prej 300 euro mbi vlerën e pagës do të kenë të gjitha ata punëtorë në terren që janë të ekspozuar drejtpërdrejtë nga rreziku i infektimit me Coronavirus.

“Sigurimi i shtesës mbi pagë në vlerë prej treqind (300) euro për punëtorët në terren dhe që janë të ekspozuar drejtpërdrejt rrezikut të infektimit në punën e tyre (jo i gjithë stafi i institucionit): Stafi mjekësor (mjekët dhe infermierët), policët e Policisë së Kosovës, zyrtarët (gardianët) e Shërbimit Korrektues, zyrtarët (zjarrfikësit) e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, personeli (ushtarët) i FSK-së, punëtorët që punojnë në Karantinë – Qendra e Studentëve të Prishtinës, zyrtarët (inspektorët) e Inspektoratit të Punës, zyrtarët (inspektorët) e Administratës Tatimore të Kosovës, Zyrtarët (doganierët) e Doganës së Kosovës, zyrtarët (inspektorët) e Inspektoratit të Tregut, zyrtarët (inspektorët) e inspektorateve përkatëse komunale, zyrtarët e Inspektorati të Mjekësisë së Punës, për muajin prill dhe maj deri në vlerë prej pesëmbëdhjetë milionë (15,000,000) euro”, thuhet në masën e gjashtë të Pakos Emergjente Fiskale, përcjell Telegrafi.

Vlera totale financiare e kësaj pakoje është 179.65 milionë euro.

Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje.