Raportohet se është zhdukur dosja e 11 aplikimeve për pozitën e drejtorit të Bordit në Stacionin e Autobusëve

Pas kompanisë “Pastrimi”, Prokuroria ka nisur hetime edhe ndaj një ndërmarrjeje tjetër të Prishtinës. Humbja e disa dokumenteve gjatë procesit së rekrutimit të Bordit të drejtorëve në Stacionin e Autobusëve ka shtyrë organet e rendit për fillim të hetimeve.

Bëhet fjalë për zhdukjen e njëmbëdhjetë aplikimeve për pozitën e drejtorit të Bordit, në mënyrë që të fshihen dokumentet e personave që kanë kandiduar dhe i kanë plotësuar kriteret e kërkuara.

Të përfshirë në këto hetime janë asamblistë të LDK-së, Amir Simnica dhe Donjeta Dragusha, si aksionarë në këtë ndërmarrje, si dhe kryeaksionari Arton Shabani.

Reklama e sponzorizuar

Nisjen e hetimeve e ka konfirmuar Prokuroria Themelore e Prishtinës duke thënë se në këtë fazë nuk mund të japë më shumë detaje.

“Aktualisht mund t’iu njoftojmë se rasti është duke u trajtuar nga ana e Prokurorit të Shtetit, andaj në këtë fazë nuk mund të japim më shumë informata lidhur me këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Donjeta Dragusha për KOHËN ka thënë se hetimet kanë nisur ndaj Komisionit Komunal të Aksionarëve dhe jo specifikisht ndaj tyre si asamblistë.

“Është një rast që ka ndodhur për shkak të humbjes së disa dokumenteve gjatë procesit së rekrutimit të Bordit të drejtorëve, por mendoj se do të dëmtohet procesi në rast se ne e komentojmë. Nuk e dimë se si ka ndodhur, edhe ne dëshirojmë ta dimë e për atë e kemi lënë në dorën e organeve të rendit. Hetimet kanë nisur ndaj Komisionit Komunal të Aksionarëve, nuk është ndaj nesh si asamblistë, sepse jemi 3 anëtarë të Komisionit Komunal, janë edhe zyrtarët e ndërmarrjes që kanë qenë pjesëmarrës, pra nuk është specifikisht ndaj dy personave, ka pasur më shumë të përfshirë”, ka thënë Dragusha.

Me opinion të Zyrës Ligjore konkursi në fjalë është anuluar dhe është rishpallur përsëri.

Në fund të vitit të kaluar Prokuroria Themelore e Prishtinës nisi hetime ndaj kompanisë “Pastrimi” nën dyshimin për dallavere gjatë një tenderi për blerje të kamionëve.

Përderisa ka kohë që hetime ka edhe në Ndërmarrjen Publike Banesore për projektin e dyshimtë në vlerë prej 120 milionë eurosh, për ndërtimin e një kompleksi banesor në lagjen “Lakërishte”.