KEDS reagon ndaj artikullit: “Skema” e tenderëve me dy kompanitë që dyshohen për ‘afërsi’ me shefat e KEDS-it
Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) ka reaguar ndaj artikullit të publikuar në Buletini Ekonomik me tiutull: “Skema” e tenderëve me dy kompanitë që dyshohen për ‘afërsi’ me shefat e KEDS-it, i datës 4 nëntor 2025.
Më poshtë reagimi i plotë nga KEDS dhe në fund përgjigja e Buletini Ekonomik
KEDS:
Të nderuar,
Ju drejtohem si përfaqësues sipas autorizimit i Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (tutje si KEDS), lidhur me një lajmë të rremë dhe shpifës i cili është publikur me dt. 04 Nëntor 2025, në mediumin e juaj Buletini Ekonomik me titull: “Skema” e tenderëve me dy kompanitë që dyshohen për ‘afërsi’ me shefat e KEDS-it.
Artikulli i publikuar është tërësisht i pavërtetë dhe shpifës, e i cili bie ndesh me kapitullin II (raportimi i së vërtetës) dhe II.1 (lajm i rremë) i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, kjo për faktin se i gjithë artikulli nuk është i bazuar në fakte dhe në burime të identifikueshme të informacioneve, siç e përcakton Kodi.
Mediumi juaj i’u është referuar një “Letre” dhe disa bisedave të punëtorëve të KEDS, por pa u vërtetuar se informacioni është i vërtetë, i bazuar në fakte dhe i besueshëm.
Në artikullin e publikuar nga ana juaj theksoni se: “Ajo që dihet është se dhënia e tenderëve nga KEDS-i nuk i është nënshtruar deri më tani rregullave të prokurimit publik të Kosovës, edhe pse për këtë e obligon licenca” – e që një gjë e tillë është e pavërtetë dhe një shpifje, sepse në linkun i cili është bashkangjitur nga ana juaj, mund të vërtetohet qartë se KEDS në faqen e sajë publikon të gjitha tenderët në përputhje të plotë me procedurat e Prokurimit Publik fakt të cilin mediumi juaj ka mundur fare lehtë të vërtetojë.
Tutje, KEDS i kundërshton pretendimet e artikullit të publikuar nga ana juaj se: Kryeshefi Ekzekutiv i KEDS, Alpin Dogan, Këshilltari Ekzekutiv, Fidan Dushi dhe Bujar Jupaj, ish-drejtor i Sistemit të Operimeve “qëndrojnë prapa” kompanive “As Poëer” dhe “Lurn Sh.p.k”, dhe se këto kompani kanë mbështetje sa i përket tenderëve që këto kompani marrin në KEDS.
Këto pretendime janë tërësisht të pavërteta, informacioni (Letra) të cilit i’u keni referuar është i pavërtetë, nuk është i bazuar në asnjë fakt të vetëm që e vërteton lidhje/afërsinë e menaxhmenit të KEDS apo personave të lartëcekur me kompanitë në fjalë, dhe si i tillë nuk mund të pëdoret si informacion apo fakt i besueshëm.
Andaj, lajme të tilla që nuk raportojnë të vërteten dhe paraqesin lajme të rreme, dëmtojnë rëndë imazhin e personave të akuzuar dhe reputacionin e kompanisë KEDS, për këto arsye kërkojmë nga ju që artikulli i publikuar të hiqet dhe të publikoni një deklaratë korrigjuese si vijon:
“Me dt. 04 Nëntor 2025, Buletini Ekonomik ka publikuar artikullin me titull: “Skema” e tenderëve me dy kompanitë që dyshohen për ‘afërsi’ me shefat e KEDS-it, ky lajmi i publikuar, nuk është i mbështetur në fakte dhe burime të identifikueshme, që vërtetojnë lidhjet/afërsinë e menaxhmenit të KEDS, apo personave të lartëcekur me kompanitë “As Poëer” dhe “Lurn Sh.p.k, redaksia e Buletinit Ekonomik, kërkon falje publike personave të përmendur në artikull dhe Kompanisë KEDS për shqetësimet e shkaktuara nga publikimi i artikullit”
Duke marrë parasyshë seriozitetin e kësaj çështje, ju njoftojmë se rezervojmë të drejtën për ta ndjekur këtë çështje pranë institucioneve përkatëse në Republikën e Kosovës.
Besojmë në profesionalizmin tuaj, duke respektuar parimet etike dhe profesionale të gazetarisë, se kërkesa jonë do të mirret parasyshë dhe do të demantohet lajmi i rremë dhe shpifës, sipas kësaj kërkese në afat prej 3 diëve nga data e marrjes të së njejtës.
Fund
————————————————————————————————————–
Përgjigja nga Buletini Ekonomik:
Artikulli në fjalë për të cilin ka reaguar KEDS është vazhdimësi e disa artikujve që pritet të publikohen në Buletini Ekonomik në kuadër të një hulumtimi 6 mujor rreth investimeve kapitale të KEDS. Si fillim, qëndrojmë tërësisht prapa gjetjeve në artikull, ku dëshmohen me fakte problemet në mënyrën se si KEDS menaxhon me tenderët.
Në pikën e parë të reagimit KEDS citon një paragraf nga artikulli:“Ajo që dihet është se dhënia e tenderëve nga KEDS-i nuk i është nënshtruar deri më tani rregullave të prokurimit publik të Kosovës, edhe pse për këtë e obligon licenca”. Për këtë pjesë në reagimin e KEDS, thuhet:“Një gjë e tillë është e pavërtetë dhe një shpifje, sepse në linkun i cili është bashkangjitur nga ana juaj, mund të vërtetohet qartë se KEDS në faqen e sajë publikon të gjitha tenderët në përputhje të plotë me procedurat e Prokurimit Publik fakt të cilin mediumi juaj ka mundur fare lehtë të vërtetojë”.
Konstatimi jonë për këtë mbështetet nga dy dokumente zyrtare si dhe nga gjetjet që dalin nga hulumtimi jonë. Të shkojmë me radhë. Dokumenti i parë është një vendim zyrtar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, i datës 27.11.2019, i cili kishte derivuar pas një monitorimi të kryer nga ZRRE për investimet kapitale të KEDS. Ja se cka thuhet në këtë vendim të ZRrE-së për pjesën e prokurimit të KEDS. Citim nga vendimi i ZRRE:“Gjatë monitorimit të investimeve kapitale, grupi monitorues ka përzgjedhur dhe analizuar disa projekte. Gjatë vlerësimit të projekteve të përzgjedhura, është vërejtur se procesi i prokurimit ka mangësi në KEDS dhe nuk është bërë sipas Nenit 11 të Licencës së OSSH-së, procedurave të parapara në Ligjin e Prokurimit Publik, përkatësisht, është konstatuar se KEDS nuk ka publikuar shprehjen e interesit në web-faqen elektronike dhe në ndonjë nga gazetat zyrtare, nuk është bërë evidentimi i pjesëmarrësve në kuadër të procesit dhe më pastaj përzgjedhja e fituesit në kriteret teknike dhe ekonomike të definuar paraprakisht”. Linku i vendimit të ZRRE: https://ero-ks.org/2019/Vendimet/V_1205_2019.pdf
Buletini Ekonomik ka cituar në artikull një raport të Institutit GAP të vitit 2020 i cili thirret në vendimin e ZRRE-së, si më lartë. Në raportin e GAP, thuhet decidivisht:“ZRrE duhet të angazhojë kompani për të bërë auditimin e investimeve kapitale të bëra veçanërisht nga KEDS e cila, sipas ZRrE, deri më tani nuk e ka zbatuar Ligjin për prokurimin publik të Kosovës siç e obligon licenca e saj. Po ashtu, nevojitet një raport i auditimit të përformacës së këtyre investimeve pasi që nuk dihet se si kanë ndikuar ato në uljen e humbjeve teknike dhe komerciale të energjisë të cilat mbulohen nga qytetarët”. Linku i raportit të GAP: https://www.institutigap.org/documents/36564_rekomandimet.pdf
Buletini Ekonomik gjatë hulumtimit ka shikuar se a ka ndryshuar ndonjë gjë nga vitit 2020, prej vendimit të ZRRE-së, ku konstatohen shkelje serioze nga KEDS dhe shmangien nga licenca të fusha e prokurimit. Nga hulumtimi, sic thuhet edhe në artikull, kemi gjetur se KEDS publikon vetëm shprehjen e interest në uebfaqen e saj, por nuk i publikon edhe dokumentet tjera sic kërkohet me Ligjin për Prokurimin Publik, e që janë: Njoftimi për dhënie të kontratës, vendimin për shpalljen e fituesit, dokumentin për pjesëmarrësit në garë etj. Të gjitha këto nuk publikohen në uebfaqen e KEDS.
Në mungesë të këtyre dokumenteve në uebfaqe, Buletini Ekonomik nuk ka arriur t’i identifikojë në uebfaqen e KEDS tenderet që janë dhënë për kompanitë Lurn Sh.p.k dhe As Power, kompani këto që kanë qenë pjesë e hulumtimit. Për këtë me 1 korrik 2025, kemi dërguar në emailin zyrtar të KEDS Kërkesë për Qasje në Dokumente Publike me këto dy kërkesa si më poshtë:
-
Qasje në të gjithë tenderët (emrat e tyre), që kompanitë Lurn Sh.p.k dhe As Poëëer sh.p.k kanë përfituar nga KEDS dhe KESCO përgjatë viteve;
-
Vlerën e secilit tender të përfituar nga këto dy kompani sipas emrit të tenderit;
-
Procedurat që janë ndjekur për angazhimin e këtyre dy kompanive.









