Termokosi nga java e ardhshme vazhdon instalimin e matësve të ngrohjes

Ngrohtorja e qytetit Termokos njofton se projekti për instalimin e matësve të nxehtësisë, valvulave termostatike dhe termokokave do të vazhdojë nga java e ardhshme.

Sipas njoftimit, ekipet e kompanisë punëkryese nga mëngjesi i të hënës së ardhshme do të fillojnë instalimet e këtyre pajisjeve në objektet banesore te Bulevardi “Nëna Terezë” në lagjen “Qendër”.

“Nëpërmes këtyre pajisjeve konsumatorët do të kenë mundësi të kontrollojnë shpenzimet e tyre për ngrohje, përkatësisht nëpërmes kursimit të energjisë ngrohëse do të kenë mundësinë, që të zvogëlojnë edhe shpenzimet e tyre për ngrohje. Instalimi i këtyre pajisjeve do t’i paraprijë ndryshimit të mënyrës së faturimit nga metoda bazuar në sipërfaqen ngrohëse te metoda më e re dhe më e saktë, sipas konsumit”, thuhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar

Të gjitha pajisjet, që instalohen në radiatorët e konsumatorëve tanë do të jenë falas, në saje të një donacioni në vlerë të 10 milion dollarëve të ndarë nga SHBA-ja. /Telegrafi/