Shyqyri Haxha është liruar nga akuza se kishte lidhur kontratë sa ishte kryeshef i Postës dhe Telekomit të Kosovës.
Aktgjykimi lirues është shpallur nga Gjykata Themelore e Prishtinës, me arsyetimin se Haxha nuk kishte kurrfarë detyrimi për PTK-në.
“Gjykata në këtë përfundim ka ardhur pasi që duke u bazuar në Ligjin për Prokurim Publik 2003/17 i vitit 2008, i cili ka qenë në fuqi në kohën e lidhjes se kontratës, me nënshkrimin nga zyrtari i prokurimit të PTK-se dhe përfaqësuesi i ‘Amdocs’ kontrata hynte në fuqi ndërsa nënshkrimi nga kryeshefi Shyqyri Haxha nuk kishte kurrfarë detyrimi për PTK-në”, thuhej në arsyetimin e gjykatës.
Në aktakuzë thuhet se më 16 prill 2010, Haxha, në cilësinë e personit përgjegjës me dashje dhe me qëllim që të shkaktojë dëm material, duke vepruar në kundërshtim me autorizimet e tij ligjore, duke mos marrë aprovim nga Qeveria e Kosovës, më 8 mars 2010, PTK i dërgon planin e biznesit për vitin 2010, së bashku me projektin “PTK Building Platforme Lot 1 dhe Lot 2”, dhe në ndërkohë derisa plani i biznesit ka qenë duke u shqyrtuar nga Qeveria, i akuzuari ka lidhur kontratë për faturim të ri dhe atë të Vala dhe Telekomit të Kosovës “PTK Building Platforme-Lot 1 dhe Lot 2” me kompaninë “Amdocs Development Limited”.
Lidhur më këtë ka reaguar Telekomi i Kosovës, duke thënë se kjo ndërmarrje është dëmtuar në vlerën prej mbi 100 milionë euro.
“Fatkeqësisht ky nuk është i vetmi nënshkrim ‘ceremonial’ për të cilin Haxha nuk pranon përgjegjësi edhe pse nga një kontratë tjetër e tillë, Telekomi i Kosovës është dëmtuar në vlerën prej mbi 100 milionë euro. Edhe për këtë kontratë (ajo me Z-Mobile), e cila për pak e fundosi Telekomin e Kosovës, deri më sot drejtësia kosovare jo vetëm që nuk arriti të nxjerrë përfundime, por as të hetojë seriozisht, edhe pse Telekomi i Kosovës tashmë i ka dorëzuar paditë/kallëzimet penale në institucionet përkatëse të drejtësisë”, theksohet në reagimin e TK-së.
Telekomi pohon se askush nuk duhet të amnistohet për nënshkrimin e hedhur mbi një dokument që sjell pasoja të rënda.
“Telekomi i Kosovës, konsideron se askush nuk mund dhe nuk duhet të amnistohet për nënshkrimin e hedhur mbi një dokument me pasoja të rënda, apo për mospengimin e kryerjes së krimit, pa e konstatuar nëse i njëjti ishte i vetëdijshëm apo ishte në gjendje të pengonte kryerjen e krimit”, pohon Telekomi.
Në fund, kjo ndërmarrjen publike shprehet se është në dorën e sistemit të drejtësisë të reagojë dhe hetojë këtë rast.
“Është në dorën e sistemit të drejtësisë të reagojë dhe hetojë krimin, të zbulojë kryerësit dhe të dënojë ata për dëmet që ia shkaktuan një kompanie publike, me veprimet apo mosveprimet e tyre, qofshin ato individuale apo të organizuara. Mbi bazën e këtyre aktgjykimeve pastaj mund të iniciohet procedura zyrtare për kompensimin e dëmit qoftë nga kompanitë apo nga pasuria e individëve e krijuar në mënyrë të paligjshme”, përfundon reagimi. /Telegrafi/