Kryeshefi i KEK, Nagip Krasniqi aktualisht po intervistohet në Policinë e Kosovës. Insajderi merr vesh që një ndër kontratat për të cilat është duke u kryer hetimi është edhe ajo me kompaninë Litwin SA, një tender mbi 3.4 milionë euro me procedurë të negociuar.
Në fillim të shkurtit të këtij viti Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nënshkroi kontratë mbi 3.4 milionë euro me kompaninë “Litwin SA”. Puna që duhej të kryente kjo kompani dhe partneri vendor “Bujar B. Shala B.I.”. ishte për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”.
Kontrata ishte e negociuar dhe u bë shpejt. Derisa vet thirrja u shpall më 27 janar, 2023, njoftimi që është lidhur kontrata u bë më 3 shkurt.
Me këtë kontratë pritej që të ktheje në punë ky bllok në fillim të muajit prill 2023.
Derisa konpania “Litwin SA” ishte në garë edhe në një tender të anuluar më herët po për riparimin e bllokut A5, kpmpania Bujar B. Shala B.I. , sipas përditësimit më të fundit në Agjencinë e Bizneseve del që është regjistruar më 25 janar të vitit 2022 dhe aktivitet primar e ka “Tregtia tjetër me pakicë, jo në dyqane, tezga ose tregje”. Madje nuk ka as numër kontaktues.
Blloku A5 i termocentraleve “Kosova A” kishte dalë jashtë funksionit që nga 19 korriku 2022.
Përpjekja për remontin e Njësisë A5 kishte filluar që nga gushti i 2022. Tenderi me procedurë të hapur për remont kapital të njësisë A5, i shpallur në fund të muajit gusht kishte dështuar pasi nuk kishte pasur ofertues andaj tenderi i dytë ishte hapur me procedurë të negociuar.
Për remontin e njësisë A5, KEK-u ka zhvilluar procedurën e negociuar me disa operatorë. Blloku A5 i termocentralit “Kosova A” ka kapacitet prej 210 megavatë për orë.
KEK gjatë vitit 2022 ka hapur dy tenderë për remontin kapital të këtij blloku i cili është jashtë funksionit por që vetëm më hapjen e tenderit me procedurë të negociuar ka arritur të nënshkruajë kontratë. /Insajderi/