Banka UBS kërkon të sigurojë aksionerët se blerja e rivalit Credit Suisse ka qenë “shpëtimi” më i madh që nga kriza e fundit financiare botërore.
Muajin e kaluar, autoritetet zvicerane njoftuan se UBS do të blinte Credit Suisse për të frenuar krizën e mëtejshme bankare pasi kjo e fundit kishte ardhur në prag të kolapsit financiar.
Qeveria zvicerane i është drejtuar UBS-it për të blerë Credit Suisse për mbi 3 miliardë euro, ndërsa shteti alpin dha më shumë se 200 miliardë euro si garanci financiare.
Ky veprim zemëroi jo vetëm aksionarët, por shumë qytetarë në Zvicër. Një sondazh nga kompania kërkimore GFS Bern zbuloi se shumica e zviceranëve nuk e mbështesin marrëveshjen.
Aksionerët e bankës më të madhe të Zvicrës do të kenë mundësinë të paraqesin pikëpamjet e tyre. Për vitin 2022, UBS raportoi një fitim neto prej 7.6 miliardë euro.
Javën e kaluar, UBS njoftoi se kishte ripunësuar Sergio Ermottin si shef ekzekutiv për të drejtuar blerjen – një veprim i papritur për të përfituar nga përvoja e bankierit zviceran në rindërtimin e bankës pas krizës botërore financiare.
Shefi ekzekutiv në largim Ralph Hamers, i cili ka udhëhequr bankën për më pak se tre vjet do të prezantohet para aksionerëve, së bashku me kryetarin Colm Kelleher.
Mbledhja e përgjithshme vjetore e bankës vjen një ditë pasi drejtuesit e Credit Suisse u përballën me aksionerët e tyre dhe kryetari Axel Lehmann kërkoi falje që e çoi bankën në prag të falimentimit. /Telegrafi/