Dërrmimi nga puna e natës

Mijëra punëtorë kosovarë punojnë në ndërrimin e natës, të paguar keq e në shpërputhje me Ligjin e Punës dhe me pak shpresë për ndonjë intervenim nga dora e shtetit.

Ngadhnjim Avdyli

Fillimverën e kaluar, Ajet Alshiqit i erdhi në konak motra me ftesën e dasmës së djalit të saj në duar. Në poterat e urimeve të ndërsjellta, familjarët nisën planifikimet për festën. Ajeti nisi të fiqironte se në çfarë dite të javës i binte data e dasmës. Përkundër dëshirës, kalendari i tregoi se ai s’do e shijonte dëfrimin e asaj nate, pasi ai do të ishte në vendin e tij të punës.

Reklama e sponzorizuar

‘‘Asnjë zijafet s’mundesh me shku, je në punë krejt natën e lume, qe sa vjet u banën ma qështu. Na ka mbetë veç me naj të pame me shku’’, thotë ai me një ton ankues për Buletinin Ekonomik.

Ajeti ka punuar si sigurim fizik gjatë natës në 8 vitet e fundit. Ndërroi disa kompani, por në tri vitet e fundit punon në vendin e njëjtë të punës. Nga e hëna në të premten, ai niset nga shtëpia në Kolovicë të Prishtinës dhe rrugëton në këmbë për rreth një orë për tek vendi i punës në lagjen Ulpiana në Prishtinë – ku nis punën disa minuta para orës 22:00.

‘‘N’dasmën e nipit shkova, nejta sa veç me marr ngryk [nipin] edhe me i thanë përhajr nusja, edhe më ofrun [me veturë] n’punë’’, thotë Ajeti, përderisa shton se ‘‘shpirti jem e di qysh jam kanë [ndje] kur jam qu [nga ahengu], dyqysh njeri në kafe ka qejf me nejt e le’ ma…’’, ndërpret heshtja fjalinë e tij.

Anipse vazhdimisht flet, Ajeti çuditet me pyetjet, pasi për të qejfi dhe shëndeti janë sinonim i luksit e jo nevojave njerëzore. Hallet e tij janë tek paga. Përgjatë një muaji, ai paguhet vetëm 270 euro. Shumë, të cilën ai e sheh si pension më shumë se sa si pagë.

‘’A s’pe sheh ku jena t’u jetu a?’’, përgjigjet ai me pyetje, gati në çdo pyetje që merr, përderisa insiston se së paku tash e merr pagën me rregull dhe se më nuk punon nga 12 orë në natë, e se më në fund i ka dy ditë pushim në javë.

‘‘A me punu për autobusë a?’’, përgjigjet përsëri me pyetje Ajeti, kur pyetet rreth rrugës së tij në udhëtimin prej 6 kilometrave në punë.  Në maje të gjuhës shton “phhh [dikur] punojsha prej 7:00-ve në 7:00, edhe qysh ju ka tek të ka thirrë”, duke të kujtuar se për të, tash ta mendojë rrugën drejt punës është një luks.

Në Kosovë janë mijëra punëtorë që punojnë natën sikurse Ajeti.

Orari i punës gjatës natës rregullohet me veçanti ligjore prej marrëdhënieve të punës së zakonshme të orëve të ditës. Veçantitë rregullohen nëpërmjet disa ligjeve e akteve nënligjore, e ku punëtorët e natës përfitojnë shtesa ligjore nga puna e natës – kjo pasi puna e natës përllogaritet se ndikon dhe ka rreziqet e veta tek punëtori, duke përfshirë ato shëndetësore.

Sipas studimeve të ndryshme, dëmet nga puna në ndërrimin e natës janë të shumëfishta, prej shëndetit mendor e deri tek rreziku i sëmundjeve kronike, e pengesave në gjumë tek ata individë që punojnë gjatë ndërrimit të natës.

Çdo punë prej orës 10 të mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit llogaritet si punë e natës. Tek Ligji i Punës, ndër tjera, obligohet çdo kompani që në rast se zhvillon punën natën, ta ketë të ‘’domosdoshme të sigurohen për ndërrimet të atilla që i punësuari të mos punojë natën pa ndërprerë më gjatë se një (1) javë të punës’’.  Aty, ndër tjera, obligohet se ‘‘Në qoftë se të punësuarit gjatë punës së natës, për shkak të punës së bërë sipas vlerësimit të organit kompetent shëndetësor, i përkeqësohet gjendja shëndetësore, punëdhënësi është i detyruar ta caktojë në punë të përshtatshme gjatë orarit të ditës”.

Për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe zbatimeve të dispozitave ligjore ekzistojnë disa dispozita ligjore, por kryesisht bien mbi Inspektoratin e Punës.

Disa nga nenet prekin edhe mundin e Ajetit, ama për të të gjitha këto janë luks.

Bile ai bëhet çdoherë e më shumë cinik nëse insistohet t’i përmenden rregullimet ligjore.

A s’pe sheh ku jena t’u jetu a?”, përsëri përgjigjet me pyetje ai.

Mungesa e të dhënave zyrtare

As Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) dhe as Inspektorati i Punës (IP) nuk janë përgjigjur në pyetjet e Buletinit Ekonomik se sa është numri i punëtorëve në Kosovë që punojnë gjatë ndërrimit të natës.

Shifra zyrtare s’ka as ‘‘Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK)’’ dhe kjo, sipas tyre, jo vetëm që kallëzon mosseriozitetin e institucioneve, por edhe vështirësitë e punëtorëve.

Sindakalistët e sektorit privat ku besohet janë shumica e atyre që punojnë gjatë natës, thonë se nëse institucionet shtetërore dështojnë të mbledhin të dhëna rreth punëtorëve – kjo nga bisedat e sindikatës me institucionet – atëherë le të llogaritet sa është ndikimi i angazhimit të institucioneve në zbatim të ligjeve për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve – sidomos punëtorëve që punojnë gjatë natës.

Megjithatë, sindikata ka disa të dhëna të mbledhura nga intervistat me punëtorët, sidomos për llojet e profesioneve që janë të angazhuar në punën e natës, e që kryesisht punojnë në institucionet publike.

‘‘E dimë se punëtorët që punojnë gjatë natës janë të sigurimeve fizike dhe që punojnë kryesisht nëpër spitale apo Qendra të Mjekësisë Familjare. Këtu shtohen punëtorët e bizneseve private”, thotë Jusuf Azemi, kryetar i SPSPK-së.

Sindikalisti Azemi menjëherë sqaron se gjithë këta punëtorë janë nën kontrata me kompani private. Ai thekson se të dhënat e sindikatës tregojnë se brenda natës në Kosovë të paktën 400 punëtorë punojnë brenda një nate, dhe kjo kryesisht si sigurim fizik në spitale apo qendra mjekësore.

Sindikalisti Azemi thekson se ankesat më të shpeshta të punëtorëve që punojnë natën janë rreth pagave. Në matjet e sindikatës del që paga mesatare e këtyre punëtorëve është tek 300 euro në muaj. Mirëpo, theksojnë se në shumë raste tek këta punëtorë hasin edhe në paga më të ulëta se 170 euro në muaj.

‘‘Ne kemi parë që mosha e punëtorëve të sigurimit fizik, në shumicë, është afër pensionimit apo vet të pensionuar. Pra, në mungesë të punëtorëve, kemi një fenomen që është punësimi i pensionistëve në këtë sektor të ekonomisë’’, thotë Azemi.

Këta punëtorë, sipas sindikalistit, janë të detyruar të punojnë, për shkak të jetës së vështirë, dhe për këto fajet janë tek [institucionet e] shtetit dhe tek pronarët e bizneseve, pasi vazhdimisht “i kanë shfrytëzuar dhe i kanë trajtuar si mos-më-keq”.

Në bazë të ligjit të punës, bizneset obligohen që puna gjatë natës të paguhet 30 për qind më shumë për orë.

Naim Bajraktari, Ekspert i Sigurisë dhe Shëndetit në punë, thekson se në Kosovë anipse është shënuar në legjislacionin që rregullon marrëdhënien e punës, ‘‘megjithatë është e nevojshme që këto ligje dhe rregullore here pas here të rishikohen dhe ndryshohen, me qëllimin që t’i përshtaten ndryshimeve shoqërore’’.

Bajraktari beson se rrezikshmëria e një vendi të punës duhet të ndërlidhet me kompensim të veçantë monetar, por në këtë kategori duhet të përcjellen edhe me përfshirje më të madhe të Mjekut të punës në çdo ambient pune, qoftë sektor ndërtimtarie, prodhimi.

“Është e nevojshme që ky Ligj të harmonizohet me Ligjin për Inspektoratin e Punës në atë mënyrë që inspektorët e punës të jenë në numër proporcional me numrin e bizneseve me qëllimin që të mund të realizohen inspektime më të shpeshta dhe më efektive’’, thotë eksperti i Sigurisë dhe Shëndetit në Punë.

Zero inspektime për 8 vjet

Punëtori Ajet Alshiqi thotë se gjatë punës së tij në 8 vitet e fundit asnjëherë nuk është inspektuar nga ndonjë inspektor i punës. Në anën tjetër, Inspektorati i Punës nuk është përgjigjur në pyetjet e Buletinit Ekonomik për numrin e inspektimeve gjatë natës.

Inspektorati i Punës kryesisht punën e vet e rregullon në orarin zyrtar të punës, nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 16. Mirëpo, në raste, inspektorati zhvillon inspektime, siç njihen, të jashtëzakonshme në kuadër të ndonjë fushate, apo edhe kur marrin informacione nga palët e treta.

Për Bajraktarin, duke parë gjendjen në terren, Inspektorati duhet të riorganizojë punën e vet dhe inspektimet t’i kryejë në forma tjera.

‘‘Duke qenë se shumë punë kryhen natën dhe mundësia për shmangie nga zbatimi i dispozitave ligjore është e madhe, konsideroj se Inspektorati i Punës duhet që të ndërtojë një ekip të brendshëm që monitoron punën natën, dhe duke gjobitur konform ligjit subjektet që identifikohen si shkelës të Ligjit etj. Mund të themi se për shkak të mungesës së Inspektorëve të punës, puna gjatë natës ka qenë shumë pak e inspektuar’’, thotë ai.

Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti kishte premtuar pesëfishimin e numrit të inspektorëve të punës, si një nga premtimet kryesore në reformimin e Inspektoriatit të Punës. Por, derisa gjysma e mandatit ka kaluar, asnjë inspektor ende nuk është rekrutuar.

E Bajraktari shton se duke i parë vështirësitë e deritanishme, atëherë Inspektorati duhet të konstatojë të gjitha bizneset që organizojnë punën edhe gjatë natës dhe pastaj të fillojë inspektimet e vazhdueshme nëpër ato kompani.

“Puna natën duhet trajtuar me një seriozitet të veçantë nga shteti, duke i lexuar dokumentet mbi kontrollimet shëndetësore të atyre të punësuarve, duke i lexuar Aktet për Vlerësim të Riskut, duke konstatuar nëse ata të punësuar janë të trajnuar për tejkalimin e rreziqeve që sjell puna natën, duke konstatuar nëse pajisjet e tyre të punës janë inspektuar dhe testuar mbi rregullsinë e tyre’’, thotë Bajraktari.

Ndërkohë, sindikalisti Azemi e sheh si një hap të rëndësishëm shtimin e numrit të inspektorëve të punës. Ai thekson se kjo do të ndihmonte që inspektimet të kryheshin në mënyrë të rregullt edhe për vendet e punës që punojnë gjatë natës.

‘‘Do të duhej të ishte e natyrshme që edhe kompanitë që punojnë gjatë mbramjes të monitoroheshin [nga inspektorët], pasi në të kundërtën po i bie që pas orës 16 kompanitë kanë komoditetin që të bëjnë çka të duan me punëtorët e tyre’’, thotë sindikalisti.

Ai është çuditur që ende nuk janë punësuar inspektetorët e rinj, anipse buxheti për rreth 100 inspektorë të rinj veçse është ndarë. Sipas tij, kjo tregon qasjen shpërfillëse që ka qeveria e Kosovës karshi punëtorëve të sektorit privat, anipse Qeveria veçse e ka kaluar gjysmën e mandatit.

‘’Kjo qeveri ka shafitur punëtorin privat’’, insiston me mllef ai. /Buletini Ekonomik/

(Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diskriminim e mospërfshirje: Shkeljet ndaj punëtorëve në sektorë të ndryshëm në Kosovë”. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Buletinit Ekonomik dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, ATRC-së ose BIRN KOSOVË.)