Drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermane: Jostabiliteti politik po ndikon që gjermanët s`po investojnë te ne

Kompanitë e fuqishme gjermane nuk kanë investuar në Kosovë sikurse në rajon, veçanërisht në Serbi, ku kanë hapur me mijëra vende pune. Drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare Nora Hasani ka thënë në një intervistë për Radio Kosovën se shkak i kësaj mund të jetë jo-stabiliteti politik, e imazhi jo aq i mirë i Kosovës në sytë e investitorëve.

Zonja Hasani, sa anëtarë i ka Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, kush mund të bëhet anëtarë, edhe sa është fuqia financiare e tyre?

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare është themeluar para 11 viteve me një iniciativë të Ambasadës Gjermane. Aktualisht i kemi 200 kompani anëtare. Kompanitë tona anëtare janë gjermane që veprojnë në Kosovë por janë edhe kompani të Kosovës të cilat qoftë eksportojnë shërbime ose mallra për Gjermani ose importojnë një produkt gjerman në tregun e Kosovës. E gjithë anëtarësia jonë punëson diku 25.000 persona për të cilët jemi shumë krenarë dhe të gjithë së bashku e kanë një qarkullim deri në 1 miliard euro. Kjo është ajo fuqia e anëtarëve tanë.

Reklama e sponzorizuar

Keni më shumë anëtarë në kompani gjermane, kosovare, apo kompani të përbashkëta, Joint Venture?

Kryesisht janë kompani gjermane që veprojnë këtu. Janë edhe kompani të cilat ne i kemi asistuar që të hapin degë ose kompani të reja këtu, kështu që fokusi ynë është më të vërtetë te këto kompani gjermane po edhe kosovare të cilat e kanë synim tregun gjerman.

Po hyjmë në muajin e pestë të vitit, si është ecuria e marrëdhënieve ekonomike e tregtare ndërmjet Kosovës e Gjermanisë në këtë vit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar?

Gjermania është partneri kryesor për Kosovën, këtë  e dimë të gjithë e besoj edhe dëgjuesit tanë. Gjermania është investitori më i madh në vend, është një prej partnerëve kryesor tregtar të Kosovës, diasporën më të madhe e kemi në Gjermani. Kështu që këtë afërsinë e kemi padyshim. Ajo që na ka gëzuar neve që edhe përkundër rrethanave të vështira gjatë kohës së pandemisë, eksporti prej 2020 ka filluar çdo vit të rritet. Mesatarisht kemi 40 për qind rritje të eksportit për secilin vit dhe këtu e shohim që kompanitë tona kanë qenë të gjindshme që të kyçen në rrjete të furnizimit te kompanitë blerëse gjermane. Do të thotë se nëse i analizojmë të dhënat statistikore e vërejmë këtë trend të rritjes, mirëpo në total nëse mbledhim edhe eksportin edhe importin nuk i kemi as një miliard euro qarkullim tregtar akoma e që do të thotë se ky vëllim tregtar lë për të dëshiruar. Kishim pasur dëshirë që të kemi më shumë eksport për Gjermani por njëkohësisht të importojmë edhe më shumë produkte gjermane në tregun këtu. Nëse krahasojmë Kosovën me vendet e rajonit e shohim se ka potencial i cili duhet të shfrytëzohet akoma më shumë, mirëpo nismat janë bërë, kompanitë kosovare kanë arritur që ta rrisin eksportin në drejtim të Gjermanisë e kjo gjë neve na gëzon.

Kjo do të thotë se tashmë ka filluar zhvillimi më i hovshëm i bizneseve kosovare, se për të eksportuar në Gjermani duhet plotësuar disa standarde të kualitetit të rëndësishme apo jo?

Me patjetër, do të thotë që përpos cilësisë së produktit, kompanitë eksportuese duhet që të plotësojnë edhe disa kritere të tjera, mirëpo edhe të kenë standarde të implementuara. Kjo varet shumë edhe prej kërkesave që i kanë vetë blerësit gjermanë, e duke qenë se ata kanë kritere të ashpra shumica e kompanive kosovare që janë veç të gatshme dhe kanë dëshirë  të bashkëpunojnë me tregun gjerman, duhet të shohin se ku janë në ketë drejtim dhe cilat procese duhet t’i përmirësojnë ashtu që të mund të fillojnë të eksportojnë qoftë shërbime, qoftë mallra..

Gjermania është një partner I rëndësishëm i Kosovës në ekonomi, megjithatë nëse krahasojmë me vendet e rajonit, posaçërisht me Serbinë, kompanitë e fuqishme gjermane investojnë shumë më tepër në Serbi, ku hapin me mijëra vende të reja pune, pse ndodh kjo, pra, pse nuk investojnë në Kosovë kompani të fuqishme gjermane?

Nuk është një pyetje ku mund të jepet një përgjigje e thjeshtë ose e lehtë, për shkak se është e ndërlikuar arsyeja pse nuk kemi më shumë investime në Kosovë. Ndoshta është interesant për dëgjuesin të thuhet se prej 2007 deri tash, investimet direkte gjermane janë 1 miliard e 143 milionë euro, edhe vetëm vjet kemi pasur një rritje prej 60% të investimeve direkte gjermane dhe kanë qenë diku 200 milionë euro investime vetëm vitin e kaluar. Mirëpo, nëse analizojmë me rajonin është e vërtetë, investime direkte në Kosovë janë më shumë në patundshmëri, në sektorin e Ict-së, apo edhe financiar, nuk është prodhim, nëse e marrim si shembull direkt Serbinë ose Maqedoninë e Veriut. Por çka ka ndodh në Kosovë? Ne deri tash nuk kemi pasur stabilitet politik, imazhin nuk e kemi edhe aq të mirë jashtë, nuk kemi bërë aq shumë sa vendet tona fqinje në fusha për të tërhequr investitorët, mirëpo realiteti është komplet ndryshe. Ne si Odë çdo vit e bëjmë një sondazh bashkë me 16 shtete të tjera të Evropës juglindore edhe të mesme, edhe aty është një pyetje specifike që unë gjithmonë e marr si shembull, kompanitë që veç kanë investuar në Kosovë, a do të investonin përsëri këtu, edhe besoni se çdo vit është 80% ose 85% që përgjigjen po, do të thotë imazhin e kemi më të keq sesa realitetin këtu. Normat tatimore i kemi të ulëta, nuk është vështirë të bësh biznes në Kosovë, edhe në veçanti për sa i përket raporteve me Gjermani, investitorët gjermanë janë shumë  të mirëseardhur. Këtë e vërejmë qoftë në nivel qeveritar, qoftë në nivel komunal, kur kemi delegacione të ndryshme, kështu që një element është përmirësim i imazhit e kjo bëhet më së mirë duke ndarë histori të suksesit të investimeve të suksesshme këtu, çfarëdo qofshin ato. Mund të jenë edhe vendore jo vetëm gjermane ose të huaja, kjo është njëra edhe tjetra të vazhdohet të punohet në reformim të sistemit arsimor këtu, për arsye se nëse kemi dëshirë të kemi investitorë të huaj këtu duhet të kemi edhe fuqinë e kualifikuar por gjithashtu edhe largimin e burokracisë së tepërt për investitorë, dhe natyrisht që kjo vlen edhe për kompanitë kosovare që duan t’i zgjerojnë bizneset e tyre.

Sa do të ndikojë liberalizimi i vizave në marrëdhëniet tregtare e ekonomike në përgjithësi ndërmjet Kosovës e Gjermanisë?

Duke qenë se Kosova nuk është akoma e liberalizuar por jemi gëzuar shumë. Pra e mirëpresim lajmin që do të ketë liberalizim të vizave e kjo ka qenë gjithsesi pengesë për kompanitë kosovare. Do të thotë, kompanitë kosovare është dashtë që të presin gjatë derisa ta marrin një termin për të aplikuar për vizë  dhe pastaj ky ka qenë një lloj hendeku për ta që të mos mund të kenë kontakte sikur kompanitë serbe ose ato të Maqedonisë së Veriut me partnerët e tyre potencialë dhe kjo është vërejtur në secilin sektor. Nuk po flasim vetëm për kompanitë kosovare që kanë pas dëshirë me u qas në tregun gjerman por edhe kompanitë kosovare që kanë importuar prej Gjermanisë. Kjo është se në të dy anët gëzohemi që do të ketë tani lëvizje të lirë edhe për qytetarët e Kosovës në veçanti për në Gjermani sepse do të na ndihmojë që t’i intensifikojmë edhe këto marrëdhënie bilaterale – ekonomike.

A ka ndonjë interesim kohën e fundit, për të investuar në Kosovë nga bizneset e fuqishme gjermane, eventualisht?

Ky është fati në fatkeqësi ose mund të themi kur është një situatë e vështirë, lindin mundësi të ndryshme veçanërisht për bizneset. Unë e përmenda më herët pandeminë. Atëherë kompanitë evropiane, veçanërisht gjermane kanë qenë në kërkim të furnitorëve të rinj, rrjedhimisht edhe është rrit eksporti. Pastaj duke pasur parasysh që çmimet e transportit prej Kinës për në Evropë janë shtrenjtuar shumë edhe lufta në Ukrainë, i ka detyruar kompanitë gjermane që të analizojnë se a ka ndonjë mundësi, jo vetëm të furnizohen diku që është më afër Evropës, mirëpo edhe të gjejnë lokacione të reja për të ndërtuar fabrika. Kështu që kemi vërejtur prej vitit 2020 deri tani, interesim shumë më të rritur të kompanive gjermane për Kosovën. Vetëm këtë vit, kemi pasur 8 delegacione që kanë qenë të interesuar veçanërisht për energji të ripërtërishme, mirëpo vitin e kaluar kemi pasur edhe delegacione kompani prodhuese gjermane. Një lajm të mirë që mund të ndajë me ju, një kompani e cila do të prodhojë për sektorin e automobilistikes ka vendosur të hapë prodhimin në Kosovë, dhe ky është një fillim i mirë, meqenëse kjo industri ende nuk është prezent këtu, por në vendet fqinje me vetë faktin që është hapur një fabrikë pastaj ka pasur efekt zinxhir që edhe kompanitë e tjera furnizuese gjermane të sektorit të automjeteve të investojnë këtu.

Sa parashihet punësimi nga kompania që e përmendet?

Kjo kompani fillimisht do t’i punësojë 150 persona mirëpo pastaj varësisht si do të ecin fazat e investimeve gjithsesi do të punësojnë edhe më shumë. Mirëpo nuk është vetëm ky ne jemi në kontakt me shumë kompani gjermane që janë duke mbledhur informacione për Kosovën. Këtu po flasim jo për produkte që do të plasohen në tregun e Kosovës, por që do të prodhohen këtu, e që pastaj do të eksportohen nga Kosova në vende të tjera.

Edhe cili është qëndrimi i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare për Ballkanin e Hapur, a keni ndonjë qëndrim në lidhje me këtë?

Ne si Odë jemi shumë ngushtë duke e përcjellë Procesin e Berlinit, ndërsa për sa i përket Ballkanit të Hapur, nuk kemi dalë akoma me ndonjë qëndrim! /Radio Kosova/