Inspektorati merr masa ndaj operatorit “VisaMetric”, pasi qytetarët u ankuan për shërbimet e tyre

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), njofton se ka pranuar ankesa nga konsumatorët, për pagesat e realizuara në llogari të Operatorit Ekonomik “VisaMetric” L.L.C në Prishtinë. Si rrjedhojë, ministria ka vizituar këtë Operator Ekonomik.

MINT njofton se për shkeljet e konstatuara, Inspektorati i Tregut ka ndërmarrë veprime konform ligjeve të aplikueshme në Republikën e Kosovës dhe se “VisaMetric” ka pranuar se do të bëjnë ri-mbursimin e konsumatorëve që janë ankuar.

Njoftimi i plotë i ministrisë:

Reklama e sponzorizuar

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), gjatë muajve të fundit ka pranuar një numër të madh të ankesave nga konsumatorët, të cilët  janë ankuar ndaj shërbimeve dhe pagesave të realizuara në llogari të Operatorit Ekonomik “VisaMetric” L.L.C në Prishtinë, në emër të shërbimeve për aplikim për Viza Schengen për të udhëtuar në Gjermani.

Inspektorati i Tregut në MINT, ka shqyrtuar të gjitha ankesat e pranuara nga konsumatorët, ka inspektuar edhe Operatorin Ekonomik “VisaMetric” L.L.C në Prishtinë dhe ka trajtuar të gjitha ankesat e pranuara, duke janë vendosur në favor të konsumatorëve.

Inspektorati i Tregut në MINT ka bërë vizitë dhe është takuar edhe me drejtuesit e Operatori Ekonomik “VisaMetric” L.L.C në Prishtinë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe ofrim të shërbimeve për konsumatorët, në pajtim me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës, duke pranuar se do të bëjnë ri-mbursimin e konsumatorëve që janë ankuar. Për shkeljet e konstatuara, Inspektorati i Tregut ka ndërmarrë veprime konform ligjeve të aplikueshme në Republikën e Kosovës.

Duke marr parasysh që mund të ketë numër të madh të qytetarëve/konsumatorëve që kërkojnë shërbime për aplikim për Viza Schengen te Operatorët Ekonomik, realizojnë edhe pagesa të cilat i konsiderojnë se mund të jenë  të paarsyeshme apo edhe në rastet tjera që i vlerësojnë si shkelje të të drejtave të tyre, i inkurajojmë që gjithherë të drejtohen në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Për çdo rast qytetarët ftohen të raportojnë në:

Tel: 0800 11000 ose

E-mail: konsumatori@rks-gov.net

Të gjitha kërkesat dhe raportimet tuaja do të shqyrtohen me kujdes.