Kosotoja e jetesës dhe ngritja e çmimeve, një tjetër shqetësim madhor në Kosovë

Tani edhe Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI) në raportin për Kosovën për muajin maj 2024, të publikuar këto ditë, konstaton se “problemi më i rëndësishëm me të cilin ballafaqohet vendi ynë, është kostoja e jetesës apo çmimet e larta si dhe papunësia”. Ditë më parë, konstatim identik të shqetësimeve të kosovarëve kishte bërë edhe Përmbledhja e Pulsit Publik,(progam i UNDP-së).

Mehmet GJATA

Pas regjistrimit nga Përmbledhja e Pulsit Publik,(progam i UNDP-së), i bërë publik këto ditë, se “varfëria (me 16.6%), papunësia (16.3%) dhe çmimet për furnizimet thelbësore (12.7%), dalin të jenë tre çështjet – shqetësimet kryesore të kosovarëve” tani edhe Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI) në raportin për Kosovën për muajin maj 2024, të publikuar këto ditë, konstaton se “problemi më i rëndësishëm me të cilin ballafaqohet vendi ynë, është kostoja e jetesës apo çmimet e larta si dhe papunësia”.

Reklama e sponzorizuar

Më konkretisht, raporti i IRI-it vë në pah se problemet me të rëndësishme të kosovarëve vazhdojnë të mbesin kostoja e jetesës, përkatësisht çmimet e larta e papunësia, që thuaja se shqetësimet kryesore të kosovarëve dalin të identifikohën përafërsisht njësoj si të IRI, si te Pulsi Publik. Mbase dallimi mund të jetë pak a shumë te emërtimi i problemit të potencuar nga dy asociacionet (te Pulsi Publik i UNDP-së ndër shqetësimet kryesore të renditura apostrofohet problemi me emërtimin “çmimet për furnizimet thelbësore”, ndërsa te raporti i IRI-t, “ kostoja e jetës dhe çmimet e larta”, që në fund të fundit, është i njëjti problem. Në pyetjen e IRI-it për anketuesit se “cili është problemi më i rëndësishëm me të cilin përballet vendi ynë sot, dhe cili është problemi i dytë më i rëndësishëm?”, 33 për qind të anketuesve janë përgjigjur se problemi kryesor është kosotja e jetës dhe çmimet e larta, ndërsa 32 për qind e tyre kanë renditur si problem të dytë.

Në përgjithësi, pra 65 për qind të respondentëve kanë identifikuar koston e jetesës dhe çmimet e larta si problemet kryesore. Ndërsa, papunësia, sipas raportit të IRI-t, është problemi i parë më i rëndësishëm për 44 për qind të të anketuarve, ndërkaq 13 për qind e kanë konsideruar si problem të dytë dhe në përgjithësi me 57 për qind.

Dhe në Kosovë, kostoja e jetës, në radhë të parë si rrjedhojë e çmimeve të larta të shumicës absolute të mallrave dhe të produkteve të domosdoshme për jetesë normale dhe sidomos çmimet për furnizimet thelbësore, është goxha një kohë të gjatë dhe akoma vazhdon të jetë problem shqetësues për shumicën e qytetarëve dhe në veçanti për shtresat e varfëra, që janë me shumicë në Republikën tonë. Çmimet vazhdimisht të ngritura të shumicës së produkteve elementare ushqimore janë bërë sfidë thuaja e papërballushme për pensionistët, për familjet me probleme sociale dhe për të papunët por edhe për kategori të tjera qytetarësh që të ardhurat e tyre mujore nuk u mjaftojnë për ta përmbyllur muajin me muaj. Edhe në këtë vit, kur realisht pritej të ketë zbritje çmimesh, sikundër në të gjithë globin, këtu, në Kosovë, çmimet e konsumit kanë shënuar ngritje, ç’është e vërteta jo në nivelet e ngritjes së çmimeve në vitet e para pos-pandemisë dhe të shpërthimit të luftës ruso-ukrainase, por, megjithatë ka pasur dhe vazhdon të ketë ngritje çmimesh edhe të produkteve elementare ushqimore edhe të mallrave të tjera. Edhe në bazë të të dhënave statistikore, brenda një muaji janë çmimet e produkteve të shumta vazhdojnë të jenë ndjeshëm më të larta se sa në muajin paraprak. Pra, nuk bëhet fjalë për periudhë tre mujore, gjashtëmujore apo një vjet, por është evidencuar me të dhëna zyrtare ngritja e çmimeve të konsumit në janar, krahasuar me muajin paraprak, dhjetorin e 2023-të dhe kështu me radhë në shkurtin e sivjetshëm çmimet janë më të larta se në janar.

Ndërsa realisht, të dhënat statistikore të qershorit, tani në gusht dalin të jenë të vjetëruara, sepse deri në këto ditë të gushtit, kanë ndodhur edhe një varg çmimesh të ringritura të produkteve të konsumit. Sivjet, duhet thënë, së paku në muajt e verës, çmimet e disa perimeve, e domatës, specit, lakrës, karrotës etj, janë paksa më të ulura se sa dy tre muaj më parë. Ndërsa, çmimet e tjera të produkteve esenciale ushqimore dhe të jetesës, janë të gjitha të ngritura edhe në këtë vit, kur mbështetur nga informacionet që vinin nga bota, pritej të ketë zbritje çmimesh. Edhe në këto ditë po dëshmohet njëtrajtshmëria e ngritjës artificiale të çmimeve të shumë produkteve. Ndërsa, në statistikat e ASK-së, këto që janë bërë publike ditë më parë, nuk figurojnë fare çmimet e ngritura me përqindje të mëdha të artikujve të higjienës. Tani, çmimi i një sapuni të ngurt të prodhuesit italian “Palmolive”, që është bërë popullor në Kosovë, para se gjithash për shkak të çmimit të pranueshëm, ka shkuar në startosferë. Vjet deri vonë ky sapun tregtohej në marketet dhe supermarketet e Kosovës me 40 centë, ndërsa sot çmimi i tij ka arritur në 69-75 dhe 80 e sa centë. Por, nuk është vetëm ky produkt me çmim kaq vrullshëm të ngritur. Edhe shumë artikuj të tjerë të higjienës kanë çmime të reja ndjeshëm më të larta se sa para një muaji. Këtu nuk mund të bëhet fjalë, pra për ngritje çmimesh 1, 2, apo 3 për qind brenda një muaji. Llogaritë e thjeshta tregojnë se ngritja e këtij produkti është te 40 për qind e përtej. Nuk figurojnë në statistika as ngritja e çmimit të mishit të të gjitha llojeve, as të shumë produkteve të tjera të domosdoshme si ujit, barnave të shumta dhe në të gjitha farmacitë, të shumë shërbimeve.

Në Kosovë, pra, ka ngritje çmimesh, sidomos në produktet e konsumit, të cilët edhe kanë ndikimin më të madh në ç’ekulibrimin e mirëqenies dhe të ekuilibrit social të shtetit. Tregtarët kosovarë, fundja, asnjëherë në këto vitet e pasluftës, nuk e kanë pasur ndjenjën për gjendjen sociale të kosovarëve të varfër numerikisht. Ata, në radhë të parë, kanë bërë llogari për t’u pasuruar sa më shumë dhe sa më shpejtë edhe me marzha enorme dhe jashtë logjikës të larta të fitimit. Në anën tjetër, institucionet shtetërore, me vëmendje të përqëndruar me përparësi të situatat politike të ndërlikuara në veri të vendit dhe në tensionimet me Serbinë, gjithnjë, sikundër edhe tani kanë margjinalizuar tërësisht komsumatorët kosovarë si dhe mbrojtjen e tyre nga çdo tentativë dhe përpjekje abuzive të tregtarëve të prirur për manipulime dhe keqpërdorime tregtimi, qoftë me çmime, sasi apo cilësi të produkteve të tyre.

Kosova ka miratuar Ligjin mbrojtjen e konsumatorëve në qershor të 2004-tës dha ai i përfshin të drejtën e informimit, sigurisë, të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u dëgjuar. Por, edhe legjislacioni në fuqi në Kosovë, akoma, sot e kësaj dite, janë shumë larg së bashkëjetuari me konsumatorin kosovar. Ata akoma, sot e këtu, as që i pyet ndokush për ndonjë gjë, për ndonjë proces të ecurive të konsumit, të ecurive të çmimeve, të tregtimit të produkteve me afate të skaduara dhe me cilësi të diskutueshme.

Sipas Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), objektiva e dytë e BQK-së është ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Por, që nga fillimi i pandemisë e deri tani as BQK nuk ka bërë asgjë në stabilizimin e çmimeve. Nuk ka bërë asgjë thuaja për të ndalur kaosin dhhe anarkinë në ecuritë e çmimeve në Kosovë, as Agjencia Kosovare e Konkurrencës, dhe asnjëra nga ministritë, që e kanë detyrë dhe mision ta bëjnë këtë. Dhe, konsumatori i varfër kosovar, vazhdon të përballet me çmimet rekorde, të cilat i aplikojnë tregtarët e Kosovës me pranimin në heshtje të dorës së shtetit. Dhe të gjitha këto kanë mundur të bëjnë diçka dhe jo vetëm të konstatojnë problemin, siç është bërë tashmë praktikë e institucioneve tona.

Institucionet e shtetit kanë pasur mundësi, që me shkëndijat e para të shpërfaqjes së ‘shpërthimit” nga ngritja artificiale dhe e vrullshme të çmimeve, t’i zbusin, diku-diku edhe t’i parandalojnë dhe t’i frenojë, së paku ato. Përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekonomistë, nuk është që nuk kërkuan bukur herët nga Qeveria e Kosovës të vendosë masa për t’i mbrojtur qytetarët nga rritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe karburanteve në tregun vendor dhe për të rritur angazhimin për monitorimin e tregut. E kërkuan ndërmarrjen e masave edhe ekspertët dhe njohësit e rrethanave të ecurisë së lëkundjes së çmimeve. Por, këto kërkesa, praktikisht ranë në “vesh të shurdhër”. Nuk u ndërmorrë asgjë, dhe prandaj, Kosova vazhdon të ketë çmimet më të larta në Ballkan dhe përtej, por edhe varfërinë më të madhe në rajon. Dhe prandaj, “problemi më i rëndësishëm me të cilin ballafaqohet vendi ynë, del të jetë kostoja e jetesës apo çmimet e larta dhe çmimet për furnizimet thelbësore qoftë nga ”regjistrimi nga Përmbledhja e Pulsit Publik, qoftë nga raporti i fundit për Kosovën i Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI). /Buletini Ekonomik