Leku shënoi pozitat më të forta historike në kursin e këmbimit kundrejt valutave kryesore vitin e kaluar.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kursi nominal efektiv i këmbimit (KNEK) të lekut kundrejt valutave të partnerëve kryesorë tregtarë të vendit shënoi nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë.
Ky tregues preku nivelin 78.6, në rënie me 8.9% krahasuar me vitin 2021. Kontributin kryesor në rënien e kursit nominal efektiv të këmbimit e ka dhënë rënia e mëtejshme e euros, që është valuta me peshën kryesore në këmbimet tregtare të vendit.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye vitin e kaluar me mesatarisht 119 lekë, në rënie me 2.8% krahasuar me një vit më parë.
Rënia e euros ka qenë veçanërisht e theksuar në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, ndërsa po vijon edhe në katër muajt e parë të këtij viti, duke prekur minimum të reja historike.
Ndërkohë, kursi mesatar i dollarit amerikan vitin e kaluar shënoi një rritje të ndjeshme në 113 lekë, në rritje me 9.2% krahasuar me vitin 2022.
Megjithatë, forcimi i lekut ndaj valutave të tjera dhe sidomos ndaj euros bëri që, në terma mesatarë, monedha vendase të shënonte pikën më të fortë në kursin e këmbimit me valutat e tjera.
Sipas Bankës së Shqipërisë, forcimi i lekut mund të shpjegohet me përmirësimet në bilancin e llogarisë korrente, rritjen e investimeve të huaja direkte, por edhe me efektet e normalizimit monetar dhe rritjes së normave të interesit.
Deficiti i bilancit të llogarisë korrente vitin e kaluar u përmirësua, ndërkohë që të ardhurat nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja direkte shënuan vlerën më të lartë në të paktën 15 vitet e fundit.
Duke shtuar edhe prurjet nga kanalet informale, kjo situatë ka rritur ndjeshëm ofertën e euros në tregun e brendshëm valutor. Kjo provohet në mënyrë të tërthortë edhe nga rritja e vazhdueshme e depozitave bankare në euro, që po vazhdon edhe në muajt e parë të vitit 2023.
Nga ana tjetër, natyra shtrënguese e politikës monetare dhe fiskale për vitin 2022 dhe muajt e parë të vitit 2023 teorikisht e mbështesin një mbiçmim të lekut në kursin e këmbimit me euron.
Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, rritja e normave të interesit ka pasur një ndikim edhe në kursin e këmbimit valutor. Në mungesë të ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë, kursi i këmbimit të lekut kundrejt euros do të ishte 1.6% më i nënçmuar gjatë vitit 2022 dhe mesatarisht 11% më i nënçmuar për vitet 2023-2024.
Forcimi i lekut në kursin e këmbimit valutor ka luajtur një rol të ndjeshëm në zbutjen e inflacionit vitin e kaluar. Madje, Banka e Shqipërisë ka nënvizuar se, në mungesë të mbiçmimit të lekut, ndoshta rritja e normave të interesit do të kishte qenë më e lartë.
Sipas statistikave zyrtare, inflacioni mesatar vjetor vitin e kaluar arriti nivelin 6.7%, në rritje të fortë prej nivelit 2% të shënuar një vit më parë.
Ndër arsyet që Shqipëria pati inflacion relativisht më të ulët krahasuar me shumicën e ekonomive të Europës ishte edhe forcimi i lekut në kursin e këmbimit, përveç subvencionimit të çmimeve të energjisë elektrike për konsumatorët e vegjël. /Monitor.al/