Turistët në Shqipëri sollën 167 milionë euro më pak, qytetarët kursyen rreth 300 milionë euro

Ndonëse turizmi u gjallërua në gjysmën e parë të këtij viti, sërish ai mbetet nën nivelet e parakrizës së pandemisë COVID-19.

Sipas statistikave të Bilancit të Pagesave të publikuar nga Banka e Shqipërisë, që mat bilancin e udhëtimeve, shpenzimet e të huajve në këtë vend arritën në 687 milionë euro në 6-mujorin e parë të vitit, me një rënie prej 20 për qind ose 167 milionë euro më pak, në krahasim me janar-qershor 2019, që deri tani mban rekordin si viti më i mirë deri tani për turizmin.

Reklama e sponzorizuar

INSTAT raportoi se për të njëjtën periudhë në vend hynë rreth 1.7 milionë shtetas të huaj, me një tkurrje prej 21 për qind në krahasim me janar-qershor 2019. Pesha e turistëve nga Kosova u rrit në rreth 50 për qind nga mbi 30% që ishte në periudhën kur lëvizja ishte normale, duke amortizuar disi mosardhjen e turistëve nga shtetet e Evropës Perëndimore e Lindore.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjithsesi hendeku me parakrizën ka filluar të ngushtohet që në tremujorin e dytë të vitit, teksa tkurrja ishte 11.6 për qind në raport me periudhën përkatëse nga 31 për qind në tremujorin e parë.

Vera ka sjellë një panoramë tjetër për turizmin në vend, duke e tejkaluar nivelin e 2019-së. Të dhënat e fundit nga Tirana International Airport (TIA), nga vijnë një pjesë e konsiderueshme e turistëve nga Evropa bënë të ditur se për periudhën korrik-gusht 2021 kanë udhëtuar rreth 983 mijë pasagjerë, me një rritje prej 21.3 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-së, që deri tani kishte qenë viti më i mirë i turizmit. Ndërsa në raport me korrik-gusht 2020, kur vendi po vuante pasojat e krizës, zgjerimi është 76 për qind.

Vetëm në korrik, trafiku i pasagjerëve ishte 9.6 për qind më i lartë se në të njëjtin muaj 2019 apo 70 për qind me vitin 2020, ndërsa në gusht rritja ishte më e fortë në gati 32 për qind apo 82 më shumë me të njëjtin muaj të 2020-së.

Vetëm në muajt e verës së këtij viti, shtetet e Bashkimit Evropian filluan të hiqnin gradualisht kufizimet e udhëtimit për shtetasit shqiptarë. Ndërsa në 6 mujorin e parë, daljet e shtetasve shqiptarë ishin rreth 36 për qind më të ulëta se e njëjta periudhë e 2019-së.

Si rrjedhojë edhe shpenzimet e shqiptarëve jashtë kanë shënuar një tkurrje të ndjeshme. Ato ishin rreth 400 milionë euro për periudhën janar- qershor 2021, me një tkurrje prej 43 për qind në krahasim me 6-mujorin 2019 ose rreth 300 milionë euro më pak.

Si rrjedhojë e hyrjeve më të larta të të huajve, në raport me daljet e shqiptarëve, bilanci neto i udhëtimeve, që nënkupton valutën që mbetet në Shqipëri, u përmirësua ndjeshëm në gati 290 milionë euro, që është rezultati më i mirë historik që kur raportohen të dhënat në 2008-në. /Monitor/