Memorandumi për t’i dhënë Maqedonisë së Veriut qymyr, në këmbim të energjisë elektrike, i ngutshëm dhe i diskutueshëm

Mehmet Gjata

Nëpërmjet këtij Memorandumi Mirëkuptimi, që në fakt, pak a shumë, është një transaksion tregtimi energjetik, siç kanë njoftuar mediet, palët janë pajtuar që të shqyrtojnë të gjitha opsionet e disponueshme për shkëmbimin e qymyrit me energjinë elektrike, pra Kosova do t’i jepte Maqedonisë së Veriut qymyr meqë ka rezerva të mëdha, e në këmbim do të merrte energji elektrike. Askush nga zyrtarët e Kosovës, as kreu i KEK-ut, i cili pos që kishte deklaruar se “kjo besoj se do të jetë një kontratë e volitshme (lexo Memorandumi i Mirëkuptimit në mes të KEK-ut dhe ShA ESM (Centralet Elektrike të Maqedonisë së Veriut – EMV) , ne kemi rezerva të mjaftueshme të qymyrit”, nuk ka saktësuar fare asnjë detaj të vetëm të kësaj kontrate eventuale të tregtimit të qymyrit kosovar.

Mehmet GJATA

Memorandumi i Mirëkuptimit, i riaktualizuar në Shkup në ditën e fundit të muajit mars 2023 në mes të KEK-ut dhe ShA ESM (Centralet Elektrike të Maqedonisë së Veriut – EMV), (një herë i nënshkruar në shtator të 2021-tës) me të cilin, siç ka njoftuar KEK-u, “palët synojnë të fokusohen në shqyrtimin e të gjitha opsioneve të disponueshme për shkëmbimin e qymyrit me energjinë elektrike”, me t’u analizuar fare pak dhe përciptazi, del të jetë i ngutshëm, i diskutueshëm dhe i realizueshëm me sfida jo të pakta reale gjatë tregtimit eventual të qymurit kosovar në këtë vend fqinj.

Reklama e sponzorizuar

Nëpërmjet këtij Memorandumi Mirëkuptimi, që në fakt, pak a shumë, është një transaksion tregtimi energjetik, siç kanë njoftuar mediet, palët janë pajtuar që të shqyrtojnë të gjitha opsionet e disponueshme për shkëmbimin e qymyrit me energjinë elektrike, pra Kosova do t’i jepte Maqedonisë së Veriut qymyr meqë ka rezerva të mëdha, e në këmbim do të merrte energji elektrike. Më tutje në njoftimin e KEK thuhet se ky Memorandum do të ndikoj pozitivisht në uljen e varësisë nga importi i energjisë elektrike për të dyja vendet dhe se “e gjithë kjo me qëllim të sigurimit të furnizimit të pandërprerë me energji elektrike në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

Por, duhet thënë se ky Memorandum KEK-SHA ESM, që me të bërë publik sërish në ditën e parë të prillit 2023 , asocon në marrëveshjet e shumta që Kosova dhe autoritetet kosovare nënshkruan pa i analizuar mirë e mirë, e mbase edhe pa i lexuar fare e symbylltazi, për vite me radhë me partner dhe shtete të ndryshme, dhe që sot vendi ynë po sheh “të zitë e ullirit”, për t’i sanuar dëmet dhe për t’I riparuar pasojat e dëmeve që sollën këto marrëveshje. Prandaj, edhe pse dikush mund të thotë se është vetëm një Memorandum Mirëkuptimi, dhe nëpërmjet të tij, hë për hë nuk mund të obligohen palët, meqenëse në fokus të tij ka transaksionin tregtar energjetik, ka shumë nevojë të studiohet dhe të analizohet deri në imtësinë më të vogël, për shumë e shumë arsye, që tani dhe akoma pa u obliguar palët, nëse me këtë nënshkrim të bërë në Shkup nuk obligohen ende ato. Para se gjithash, duhet analizuar pa nguti dhe gjithanshëm mënyra, apo rrugët e transportit të sasisë të madhe të qymyrit.

Duhet sqaruar që në fillim si, në ç’mënyrë dhe me çfarë tranporti do të transportohet e gjithë kjo sasi qindra-mijrash tonelatash qymyri kosovar. A do të bëhet nëpërmjet rrugëve automobilistike, që i bie nëprmjet Autostradës së re “Arbër Xhaferi”, si e vetmja alternativë rrugore që ndërlidhë të dy vendet, apo nërpermjet transportit hekurudhor. Gjithsesi, synimi për tu bërë transporti i gjithë këtij qymyri nëpërmjet hekurudhës Kosovë – Maqedoni, do të ishte procesi i transportit shumë më i thjeshtë. Por, në gjendjen që është aktualisht kjo linjë hekurudhore dhe numri i vagonëve trasportues që ka sot e kësaj dite Kosova, vështirë se mund të realizohet ky operacion kolosal transporti nëpërmjet hekurudhave kosovare.

Por, edhe po të hamendsojmë se hekurudha Kosovë-Maqedoni, mbase edhe do të modernizohet ndonjë ditë dhe me këtë do krijoheshin kushtet për të transportuar thëngjillin kosovar në shtetin fqinj, shtrohet pyetja tjetër, po aq e rëndësishme dhe e domosdoshme në raste të ndodhjes eventuale të marrëveshjeve të mëdha tregtare: Kush do ta ndërtojë pjesën e infrastrukturës hekurudhore të domosdoshme për ndërlidhjen e minierave sipërfaqësore të thënëgjillit në Kosovë me stacionin hekurudhor (qiftë në Obiliq, apo në Fushë – Kosovë), ku do të ngarkohej thëngjilli i këmbyer.

A do të investojnë me këtë rast të dy partnerët tregtarë, pra edhe Kosova, edhe Maqedonia që kërkon me aq ngulm thëngjillin kosovar, apo, si gjithmonë prapë ‘do të laget” vetëm Kosova. Dhe nëse nuk mund të realizohet transporti i gjithë këtij qymyri për në Maqedoni nëpërmjet hekurudhës, alternativë e vetme e transportit mbetet autorruga Kosovë-Shqipëri, e posandërtuar dhe me fare pak vite që është lëshuar në qarkullim. Këtu, ndërlikohen gjërat, gjithsesi. Sepse, nuk bëhet fjalë me këtë rast për qindra kamionë të peshave të rënda, që do të peshojnë rëndë nëpër rruget e Kosovës, pra edhe në autostradën e sapondërtuar dhe në urat e shumta të sajë. Sasi e madhe e qymyrit nënkupton mijëra e mijëra kamionë të peshave të rënda, të cilat do të transportonin këtë qymyr deri në shtetin fqinj. Kjo nënkupton se mijëra e mijëra kamionë të tonazheve “shumë të rënda” do të kalojnë brenda ditës, ndoshta edhe për muaj të tërë, nëpër autostradën e re Kosovë-Maqedoni, duke respektuar dhe më shumë duke mos respektuar fare standardet e ngarkimit të autostradës, dhe sidomos të urave të shumta, të gjata dhe të larta, të cilat siç dihet nga përvojat e shumta të deritashme, fare lehtë mund të dëmtohen, edhe në përmasa me pasoja dhe dëme të mëdha, nëse tejkalohen peshat që kalojnë mbi to, por edhe standardet e parapara nga projektuesit dhe ndërtuesit.

Kjo e pret Kosovën, nëse nuk analizohet deri në detaje marrëveshja eventuale për eksportin e “një sasie të madhe “ të qymyrit tonë në shtetin fqinj. Nëse ndodhë dëmtimi eventual (që realisht është i mundshëm) i vetëm një ure të Autostradës “Arben Xhaferi”, atëherë lehtësisht do të mund “barra qiranë”. Thënë më troq, Kosova do të humb më shumë se sa do të fitonte nga eksporti eventual i kësaj sasie të madhe të qymyrit. Prandaj, që tani ky eksport i qymyrit tonë, qoftë edhe si parashikim, duhet të angazhojë ekspertë e autoritete të institucioneve tona, në radhë të parë të qeverisë (Ministrisë së infrastrukturës) për të analizuar të gjitha imtësitë, përfitimet eventuale, por edhe dëmet e lartpërmendura si të mundshme, nëse nuk saktësohen të gjitha detajet, edhe ato më margjinale të mundshme, ndryshe do të ndodhë siç ka ndodhur me shitjen e energjisë elektrike të Hidrocentalit të Ujmanit nga “Ibër- Lepenci”, ku kjo ndërmarrje (bordi i vjetër i saj) “kokë në vete” me një marrëveshje të pa konsultuar me askënd, “Ibër-Lepenci” ka shitur rrymën me çmim prej 38.11 euro për megavatë- orë, ndërsa gjatë vitit të kaluar Kosova dihet se me çfarë çmimi e ka importuar energjinë e nevojshme.

Ka pasur jo pak raste që gjatë fundit të 2021-tës dhe fillimit të 2022-tës kosova ka paguar edhe 300 e 400 euro për një megavat-orë të importuar. Prandaj, duhet parë gjithanshëm shitjen e qymyrit të Kosovës në Maqedoni. Ndryshe, me nguti dhe kontrata të arritura shpejtë e shpejtë, qoftë edhe nga KEK-u, ka mundësi të pësojmë më shumë se sa të përfitojmë, eventualisht. Duhet theksuar se interesim për blerje të thëngjillit, Maqedonia e Veriut kishte shfaqyr qysh në fund të vitit 2021. Dhe edhe në atë kohë pati negociata rreth këtij këmbimi.

Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, në fund të 2021-tës ishte takuar me homologen kosovare, Artane Rizvanolli dhe drejtorin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, për të diskutuar për këtë punë. Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, në prag të ndërrimit të motmoteve (2021-2022), kishte paralajmëruar në njëfarë mënyre se pas pranverës do t’i shitet një sasi e madhe e qymyrit (linjitit kosovar) Maqedonisë së Veriut. Ai, në konferencën për medie të fundvitit, siç patën transmetuar mediat e shumta kosovare, kishte thënë se “pas pranverës janë duke parë mundësinë e furnizimit me qymyr Maqedoninë e Veriut”.

“Maqedonia e Veriut ka shprehur interes për të blerë një sasi të caktuar mjaft të madhe të qymyrit nga Kosova, mirëpo për ne është gjithmonë prioritet furnizimi i njësive tona të operimit. Ne nuk do të hymë në obligime për periudhën dimërore për shkak se e kemi me prioritet operimin e njësive tona. Sigurisht pas pranverës kur kushtet klimatike janë më të volitshme, dhe kërkesa për energji fillon të bie pak, ne jemi duke parë mundësinë që t’i furnizojmë ata me sasi të konsiderueshme të qymyrit, për çka kanë nevojë dhe mungesë në Maqedoni. Kjo besoj se do të jetë një kontratë e volitshme, ne kemi rezerva të mjaftueshme të qymyrit”, kishte thënë Krasniqi.

Disa medie kosovare, para një viti e më shumë, madje kishin raportuar se Kosova planifikon që Maqedonisë së Veriut t’ia shesë 3 milionë tonë thëngjill. Fillimin e negociatave mes dy vendeve për shitjen e thëngjillit e kishte bërë të ditur edhe ministri i Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut, Kreshnik Bekteshi.

“Për ta tejkaluar çdo krizë sigurisht se kërkohet bashkëpunim dhe me ministren Rizvanolli u dakorduam që bashkëpunimin tonë të shkëlqyeshëm ta thellojmë edhe më shumë në të ardhmen dhe ta tejkalojmë sa më shpejtë edhe sfidën me krizën energjetike! Nga sot ne filluam edhe negociatat për importin e thëngjillit nga Republika e Kosovës, ku paraqitëm edhe një draft verzion të Memorandumit për bashkëpunim! Shpresoj që pas shqyrtimit të të gjithë kapaciteteve dhe nevojave të të dyja vendeve të arrijmë deri te një marrëveshje konkrete me çka do të ndikojë drejtpërdrejt në tejkalimin e krizës energjetike në të dy vendet”, kishte shkruar në një postim në Facebook Bekteshi.

Tashmë draft verzioni i Memorandumit për Bashkëpunim është bërë Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe ShA ESM (Centralet Elektrike të Maqedonisë së Veriut – EMV) dhe në përmbajtjën e tij do të ketë: Shkëmbimin e njohurive dhe përvojës në lidhje me diversifikimin e teknologjive për prodhim, ndërsa palët synojnë të fokusohen në shqyrtimin e të gjitha opsioneve të disponueshme për shkëmbimin e qymyrit me energjinë elektrike. Në memorandum parashihet edhe bashkëpunimi profesional, sigurimi i shkëmbimit sa më efikas të energjisë dhe burimeve në lidhje me prodhimin e energjisë elektrike përmes optimizimit të prodhimit dhe përgatitja e planeve të përbashkëta për tejkalimin e situatave të jashtëzakonshme energjetike dhe në fusha të tjera me interes të përbashkët. Me këtë Memorandum Mirëkuptimi për sektorin energjetik, ndërmjet ShA ESM (CEMV) dhe KEK-ut, siç thuhet, synohet të krijohet një bazë shtesë për bashkëpunim afatgjatë me qëllim të përmirësimit të sigurisë energjetike dhe sigurimit të furnizimit të qëndrueshëm me energji në të dy vendet.

Ndërsa kreu i KEK-ut, pos që kishte deklaruar se “kjo besoj se do të jetë një kontratë e volitshme, ne kemi rezerva të mjaftueshme të qymyrit”, nuk ka saktësuar fare asnjë detaj të vetëm të kësaj kontrate eventuale të tregtimit të qymyrit kosovar, sado që do të ishte e udhës ta bënte këtë dhe të ishte më i bindshëm dhe i besueshëm për qytetarët e këtij vendi, pronarët e vërtetë të thëngjillit që synohet të këmbehet me shtetin fqinj. Duhet thënë se Kosova përgjatë shumë viteve në ish-Jugosllavi ka pasur përvoja shumë të këqia dhe të disfavorshme në shitjen e energjisë elektrike në Maqedoninë e atëhershme, për shkak të kontratave tepër të dëmshme dhe të disfavorshme për Kosovën. Siç dihet, KEK-u i tanishëm që në ato kohë është quajtur Elektroekonomia e Kosovës, për decenie të tëra ka furnizuar me energji elektrike Metalurgjikun e Shkupit me një çmim përbuzës dhe jashtë çdo logjike të tregut. Megjithë kërkesat e parreshtura për t’u reviduar ky çmim ( një bllok i termocentraleve Kosova A për vite të tëra praktikisht ka prodhuar vetëm për nevojat e Metalurgjikut të Shkupit) Kosova, thuaja deri në pak vite para se të shkatrrohej RSFJ-ja, nuk ia arriti që të ndryshojë çmimin për energjinë dedikuar Maqedonisë. Prandaj, këto dhe çështje të tjera më pak të rëndësishme, duhet t’i sqarojë KEK-u, drejtori ekzekutiv i Korporatës Energjetikë të Kosovës, i cili nuk ka ngurruar të marrë poza me autoritete nga Maqedonia e Veriut, pa dhënë paraprakisht asnjë hollësi rreth synimit për të këmbyer qymyrin për energji elektrike. /Buletini Ekonomik