Turqia ka vendosur të zbatojë një tarifë prej 130 për qind për importin e disa drithërave, duke përfshirë grurin, misrin dhe elbin, me synim për mbrojtjen e prodhuesve vendas, një vendim që parashikohet të hyjë në fuqi nga 1 maji e në vijim.
Autoritetet filluan gradualisht të ulin tarifat e importit për këto tre produkte dy vite më parë për shkak të thatësirës, duke i ulur ato fillimisht në 45 për qind, pastaj në 35 për qind dhe 25 për qind, derisa e hoqën totalisht.
Me vendimin e fundit të publikuar në Fletoren Zyrtare më 25 Prill, u rikthye tarifa e mëparshme prej 130 për qind e importit.
Zyrtarët thanë se vendosja e një tarife importi për këto produkte përpara korrjes, e cila do të fillojë më 15 maj, është vendimi i duhur për të mbrojtur fermerët.
Çmimet e ushqimeve u rritën globalisht në vazhdën e pandemisë së COVID-19 për shkak të kërkesës së lartë.
Turqia hoqi të gjitha tarifat e importit për grurin, elbin dhe misrin në një përpjekje për të parandaluar rritjen e mëtejshme të çmimeve të ushqimeve bazë, si buka, ushqimi i kafshëve, mishi, qumështi dhe vezët.
Por këtë herë, zyrtarët vendosën të rifusin tarifat e importit për të mbrojtur kultivuesit vendas.
Prodhimi i grurit vlerësohet të jetë rreth 19 milionë tonë në vitin 2023, thanë zyrtarët, duke shtuar se nuk presin probleme në tregun vendor falë tarifave të vendosura. /Hurriyet daily news/