Në një lëvizje që mund të jetë dukur si një shaka e fundprillit, përdoruesit që kontrolluan Twitter këtë javë zbuluan se logoja e njohur me një zog ishte zëvendësuar me një Shiba Inu – qeni i famshëm në internet që është gjithashtu simboli i kriptomonedhës Dogecoin.
Kriptomonedha u rrit në vlerë, gjegjësisht gati 30 për qind brenda natës pasi Twitter ndryshoi logon e saj të hënën – megjithëse mbetet shumë nën kulmin e saj të vitit 2021 (0.7 dollarë). Pronari i Twitter, Elon Musk, ka qenë një nxitës prej kohësh i Dogecoin dhe aktualisht po përballet me një padi që e akuzon atë për manipulim të vlerës së tij.
Nuk dihej nëse ndryshimi i logos do të ishte i përhershëm ose kur “Larry T. Bird” origjinal i Twitter – i quajtur sipas Larry Bird of the Celtics – do të rishfaqej në rrjetin social.
“Siç u premtua”, shkroi Musk të hënën në Twitter, duke iu referuar një shakaje që një përdorues bëri një vit më parë ku sugjeronte ndryshimin e logos, raporton cbsnews.
Ndryshimi i logos tërhoqi vëmendjen e përdoruesve pasi Musk përballet me një padi që pretendon se ai përdori Twitter si një skemë “pomp-and-dump” për të rritur Dogecoin dhe për të përfituar në kurriz të investitorëve të tjerë. Avokatët e tij po kërkojnë pushimin e gjykimit.
Ata pretendojnë se Musk dhe kompanitë e tij, SpaceX dhe Tesla, bënë miliarda dollarë fitime ndërsa investitorët e tjerë vuajtën, dhe e akuzojnë atë se “pohon në mënyrë të rreme dhe mashtruese se Dogecoin është një investim legjitim kur nuk ka fare vlerë”.
“Si rezultat i kësaj sipërmarrjeje mashtruese,” pretendon padia, investitorët “kanë humbur rreth 86 miliardë dollarë”.
Avokatët e Musk i kundërshtuan këto akuza, “kjo gjykatë duhet t’i japë fund fantazisë së paditësve dhe të rrëzojë ankesën”. /Telegrafi/