Sa dhe pse po vonohet të ndërtohet autostrada Prishtinë – Gjilan?

Më 30 mars 2023, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, duke paraqitur detaje të reja për autostradën Prishtinë-Gjilan, ka thënë se “janë duke punuar me intensitet të shtuar këtë vit”. “Mendoj që gjatë këtij viti do të arrijmë bukur shumë, se nuk premtoj që do ta përfundojmë këtë vit. Planin e kemi mbase që vitin tjetër të përfundojë. Por, përpjekje jemi duke bërë që sa më shpejt ta realizojmë”, ka deklaruar Liburn Aliu, i cili në njëfarë mënyre, ka përgnjeshtruar parashimkimet e zëvëndësministrit të vet, Hysen Durmishi, i cili ka thënë jo njëherë se autostrada Prishtinë ­- Gjilan do të përfundojë më 2023.

Mehmet GJATA

Autostrada Prishtinë- Gjilan, një projekt i infrastrukturës rrugore, i cili që në nismë të tij, kishte shkaktuar goxha divergjenca dhe polemika, sidomos rreth pikënisjes së tij, është vonuar shumë së finalizuari në krahasim me afatet e caktuara fillimisht dhe po vazhdon të vonohet akoma sot e kësaj dite. Tashmë, në bazë të deklaratave të zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, kjo autostradë nuk do të përfundojë sivjet, më 2023 pra, siç u kumtua jo njëherë, por mbase në vitin 2024, sado që edhe për këtë afat nuk ka asgjë të sigurtë.

Akoma, edhe nga zyrtarët e Qeverisë aktuale, nuk ka transparencë të mjaftueshme rreth punëve të zhvilluara dhe të atyre të mbetura, kostos së ndërtimit, tejkalimit evident të çmimit fillestar të kontraktuar dhe shumë zhvillimeve të tjera rreth ndërtimit të kësaj autostrade, që shumëkush janë të prirur ta quajnë me emërtimin Autostrada Lipjan-Gjilan, për shkak të pikënisjes shumë të largët nga kryeqyteti.

Reklama e sponzorizuar

Sidoqoftë, edhe pse pati jo pak zëra kundër nisjes së autostradës Prishtinë-Gjilan dhe sidomos kundër shtrirjes së linjës së saj dhe ngutisë për ta nisur sa më shpejtë këtë autoudhë, në fund të shkurtit të vitit 2018, ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj (saktësisht më 27 shkurt 2018, pas takimit të tij me Lutfi Hazirin, kryetar i komunës së Gjilanit në atë kohë), pati deklaruar se edhe pse ka pasur kundërshtime për autostradën Prishtinë-Gjilan, punimet e ndërtimit do të fillonin brenda disa javësh. Sipas tij, kjo autorrugë do të ndikonte pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe do ta lehtësonte lëvizjen e qytetarëve.

“Ka pasur zhurmë, por ne kemi qenë të vendosur bashkë me kryetarin (e kishte fjalën për Lutfi Hazirin) dhe bashkë me kabinetin, që ky projekt të zhvillohet dhe tanimë merr fund dhe është nënshkruar kontrata dhe fillojnë punimet. Falënderoj kryetarin e komunës, por edhe gjithë qytetarët e kësaj ane që kanë qenë këmbëngulës që ky projekt të zhvillohet dhe të jetë realitet dhe ne brenda disa javësh do të fillojmë punimet dhe mendoj që kjo anë më nuk do të ketë probleme sa i përket lëvizjes së lirë, korridoreve, lidhjeve të korridoreve dhe sidomos këto rrugë të kenë impakt pozitiv në zhvillimin ekonomik”, pati thënë Lekaj më 18 shkurt të 2018-s, i cili pak ditë më parë, po më 2018, kishte nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan, e cila do të kushtonte, sipas tij, 88 milionë euro në segmentin e gjatë 22.3 kilometra, të kontraktuar për ndërtim të autostradës së gjatë 47 kilometra gjithsej.

Siç dihet, kundërshtarët më të ashpër dhe më të zëshëm kundër trasesë së përzgjedhur dhe të përcaktuar nga Qeveria e Ramush Haradinajt, për ta ndërtuar autostradën Prishtinë-Gjilan, ishte familja Pacolli në krye me Behgjet Pacollin (atëherë ministër i Jashtëm në Qeverinë Haradinaj). Ata këmbëngulnin, se traseja e përzgjedhur anashkalon pjesën dërrmuese të Karadakut, por edhe të shumë fshatrave të Komunës së Prishtinës dhe jo vetëm, dhe si e tillë ishte e gabueshme dhe se sipas tyre, kishte edhe konotacion politik. Sidoqoftë, autostrada nisi së ndërtuari në trasenë e përcaktuar nga qeveritarët e atëhershëm dhe pikënisja nga Prishtina është dhjetëra kilometra larg kryeqytetit, për çka pati jo pak vërejtje nga publiku dhe subjektet politike.

Zëvendësministri i atëhershëm i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, në një konferencë për media pati thënë se “Pal Lekaj nuk e ka prekë këtë projekt, e kemi gjetur të tenderuar. Pal Lekaj edhe Ramush Haradinaj e kanë shtyrë këtë projekt sepse kanë dashtë që edhe Anamorava të jetë pjesë. Autostrada e Gjilanit po lidhet me tri autostrada tjera”, nguli atëbotë këmbë para medieve Kadriu, duke shtuar se “është problem i Pacollit nëse largohet nga koalicioni.

Pacolli nuk u tërhoq nga koalicioni, autostrada nisi së ndërtuari sipas përzgjedhjes së Haradinajt e Pal Lekajt, dhe ajo edhe katër vjet qëkur nisën punët po vazhdon të ndërtohet, pa qenë e ditur se kur do të përfundojë dhe pa asnjë afat të bërë publik së fundi se kur do të finalizohen punët rreth kësaj autostrade, ndërtimi i së cilës po stërzgjatet, po tejkalon të gjitha parashikimet dhe afatet e përcaktuara në nismë të ndërtimit të saj.

Zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), kohë më parë, kishin thënë për Buletinin Ekonomik se punimet janë duke u zhvilluar në segmentet e rrugës Banullë-Bresalc në gjatësi 22.37 kilometrash dhe aktualisht është duke u punuar në gërmime, mbushje, punimin e strukturave të betonit, largimin e ujërave nga rruga, sigurimi i skarpateve dhe mureve mbrojtëse me beton dhe gabione. Në pyetjen e Buletinit Ekonomik se sa kilometra të kësaj autostrade janë ndërtuar qëkur nisi së ndërtuari kjo autorrugë, dhe sa kanë mbetur ende të ndërtohen, zyrtarët e MMPHI-së pa saktësuar shumë, kishin thënë se “në segmentin e projektuar të autoudhës së gjatë 47 kilometra janë kontraktuar 22.37 kilometra. Në këtë pjesë të kontraktuar janë duke u zhvilluar punime në të gjitha (8) lotet e kontraktuara, në disa pjesë janë punuar edhe asfaltuar segmente të caktuara”.

Ndërsa, për vonesat goxha të mëdha të respektimit të afateve të deritashme të ndërtimit të autoudhës Prishtinë-Gjilan, në MMPHI fajin ua vënë pengesave rreth shpronësimeve, gabimeve në projektin kryesor dhe mos pagesave të pronave me kohë si dhe buxhetit të mangët ndër vite për këtë projekt. Lidhur me ngecjen e projekteve infrastrukturore, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, para Komisionit për Mjedis, vjet kishte deklaruar se “në këtë ka ndikuar edhe rritja e madhe e çmimeve, por edhe aspekti i shpronësimeve dhe vetë projektet”.

Aliu madje tha se për këto projekte kanë ndarë më së shumti buxhet me qëllim që në vitin e ardhshëm të përfundohen.

“Është një dukuri e përgjithshme e ngecjeve në realizim të punimeve gjë që faktori kryesor është rritja e çmimeve prej karburanteve e ndërtimeve e me radhë, ka ndikuar që të ketë ngecje që është situatë e përgjithshme mbase në të gjithë. Ka edhe faktorë të tjerë, kemi të bëjmë me projekte që janë, ta zëmë 4 projekte të rëndësishme që janë në ministri e që janë shndërruar në prioritetin kryesor për të zgjidhur çështjet e tyre, e që është projekti i autostradës së Gjilanit, projekti i rrugës së Mitrovicës, projekti i rrugës Prishtinë-Podujevë dhe projekti i rrugës Dollc-Gjakovë dhe te këto katër projekte kemi një natyrë të ngjashme të problemeve që kanë të bëjnë ose me shpronësime, projektet, fazat e zbatimit dhe jemi në zgjidhje të këtyre problemeve”, ishte shprehur Aliu.

Aliu kishte njoftuar ligjvënësit kosovarë se për dikasterin që udhëheq, për vitin 2023 janë ndarë 251 milionë e 684 mijë e 833 euro.

“Koncentrimin e projektit 2023 e kemi bërë kryesisht në projekte madhore, të cilat duhet të përfundojnë në ato segmente të koncentruara gjatë vitit 2023… Autostrada Prishtinë-Gjilan-Konçul për vitin 2023 janë të planifikuara 27 milionë euro, në buxhetin e vitit 2022 kanë qenë 5 milionë euro, zgjerimi i rrugës Dollc-Gjakovë në planifikimin e vitit 2023 janë paraparë 11 milionë euro, kurse në buxhetin e vitit 2022 kanë qenë 2.25 milionë euro, ndërtimi i rrugës Prishtinë-Podujevë janë paraparë 6 milionë euro, ndërsa kanë qenë 1. 1 milionë euro më 2022. Riparimi rrugës rajonale Prizren-Prevallë janë 6 milionë euro për vitin 2023, kanë qenë 2 milionë euro në vitin 2022. Zgjerimi i rrugës Prishtinë-Pejë – kanë qenë 400 mijë euro në vitin 2022 dhe në vitin 2023 i kemi ndarë 4 milionë euro”, ka njoftuar ai.

Në Ministrinë e Infrastrukturës duke u përgjigjur në interesimin e Buletinit Ekonomik rreth çmimit të paraparë të ndërtimit të autostradës, më konkretisht në pyetjen se deri tani a ka tejkalime financiare në realizimin e derikëtushëm të këtij projekti, kanë theksuar se “çmimi i ndërtimit të autostradës i kontraktuar ka qenë përafërsisht 88 milionë euro. Punimet janë duke u ndërtuar sipas kontratës dhe kushteve të kontratës. Nuk ka tejkalime por bazuar në terrenin e ndryshueshëm edhe problemet me projekt, ka punë të paparapara që nuk e tejkalojnë vlerën e mundësive kontraktuale deri më 10%”.

Në këtë ministri kanë thënë se sektorët përkatës që janë të ngarkuar në Qeverinë Kurti 2, vlerësojnë se ky projekt duhet të përfundojë në bazë të kontratave që operatorët ekonomikë kanë me MMPHI-në. Po kështu, në ministri mendojnë dhe parashikojnë ta përfundojnë projektin në tërësi, ndërsa se kur mendohet të përmbyllen të gjitha punët, pra të finalizohet autostrada Prishtinë – Gjilan, në MMPHI kanë thënë shkurt se “punët do të përmbyllen pasi që të eleminohen të gjitha pengesat e sipërcekura”.

Ndërkohë, gjatë një vizite më 31 gusht 2022 që i bënë punimeve në autostradën e Gjilanit zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, bashkë me zëvendësministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishin, u paralajmërua se ky projekt pritet të përfundojë në vitin e ardhshëm, përkatësisht më 2023. Durmishi me anë të një njoftimi në facebook, kishte njoftuar se tashmë janë zgjidhur të gjitha problemet me shpronësimet në atë pjesë dhe se intensiteti i punës do të rritet në ditët në vazhdim.

“Për më shumë se një vit jemi marrë me zgjidhjen e shumë problemeve të trashëguara duke filluar nga gabime e mangësi në projekt e duke vazhduar me shpronësime e plot probleme tjera. Tani ato janë zgjidhur të gjitha prandaj ne jemi duke i marrë të gjitha masat e nevojshme që ky projekt të përfundoj në tërësi vitin tjetër. Ditëve në vazhdim do të ketë rritje të intensitetit të punimeve në këtë projekt”, pati thënë Durmishi.

Por, me deklaratat të bëra tashmë goxha të diskutueshme të zëvendësministrit Durmishi, rreth punëve në projektet infrastrukturore në rrugët nacionale të vendit, publiku është i tejngopur, edhe për shkak se shumica absolute e parashikimeve të Durmishit, praktikisht, kanë dalë ose të pavërteta, ose të parealizuehme sipas parashikimeve të tij. Shkurt, Durmishi në komunikimet me publikun nëpërmjet rrjeteve sociale, respektivisht deklaratave të shpeshta të tij të plasuara në fb dhe në disa rrjete të tjera sociale, ai thënë më së buti, ka qenë fare i papërgjegjshëm, i pasaktë në parashikimin e afateve dhe shumë agresiv në gjetjen e fajësisë dhe të fajtorëve për zvarritjet kaq të mëdha të përmbylljes e finalizimit të punëve në projektet më të mëdha dhe më të rëndësishme rrugore të vendit, veçanërisht të rrugëve nacionale Prishtinë – Podujevë, Prishtinë – Mitrovicë, Prishtinë-Pejë dhe në autostradën e Gjilanit.

Ç’është e vërteta, përgënjeshtrime ndaj parashikimeve të afateve dhe zhvillimeve të punëve në këto projekte të lansuara nga Hysen Durmishi, jo rrallë, janë bërë edhe nga zyrtarë të lartë të Qeverisë aktuale. Kështu më 30 mars 2023, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, duke paraqitur detaje të reja për projektet infrastrukturore Prishtinë-Pejë dhe autostradën Prishtinë-Gjilan, në njëfarë mënyre, ka përgënjeshtruar parashikimet e zëvëndësministrit Hyseni.

Aliu, me këtë rast tha se projekti i rrugës Prishtinë-Pejë ka ndryshuar nga ai që ka qenë, pasi sipas tij “ai fillestar ka qenë me devijime të shumta”. Ndërsa sa i përket autostradës Prishtinë-Gjilan, tha se janë duke punuar me intensitet të shtuar këtë vit.

“Mendoj që gjatë këtij viti do të arrijmë bukur shumë, se nuk premtoj që do ta përfundojmë këtë vit. Planin e kemi mbase që vitin tjetër të përfundojë. Por, përpjekje jemi duke bërë që sa më shpejt ta realizojmë. Sa i përket segmentit deri në Dheun e Bardhë, me të arriturat dhe përfundimet e pjesës së autostradës deri në Gjilan, do të vazhdojmë menjëherë me projektin, me procedurë dhe realizim deri atje”, tha ai. Po ashtu, sipas tij, prioritet i Qeverisë së Kosovës dhe me shumë rëndësi është edhe rregullimi i rrugës deri në Bujanoc.

“Krahas projekteve tjera që kanë të bëjnë me kyçjet nëpër korridore, sikur ai i Durrësit, edhe projekti që e lidhë Prishtinën me Bujanoc është projekt i rëndësisë së veçantë”, theksoi Aliu.

Me fjalë të tjera, doli që autostrada e Gjilanit, sipas ministrit Liburn Aliu, do të përfundojë më 2024, e jo më 2023, siç kishte paralajmëruar Durmishi. Por, me ritmin e punëve që janë duke u zhvilluar në këtë autorrugë, që nga tani është një pikëpyetje e madhe se Autostrada e Gjilanit do të finalizohet edhe në vitin e ardhshëm. /Buletini Ekonomik/