Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një takimi me kryetarët e komunave ka thënë se do të mbështesin qytetarët pas vendimit të fundit për rritje të çmimit të energjisë.
I pari i qeverisë ka thënë se do të subvencionojnë familjet që shpenzojnë deri në 800 kWh energji në muaj, ndërsa grupet e cenueshme do të kenë trajtim të veçantë.
Në këtë takim, Kurti ka thënë se ka pasur rezultate të menjëhershme të masave të cilat qeveria i ka aplikuar gjatë këtij dimri.
“Rruga drejt së cilës jemi nisur është ajo e pavarësimit nga lëndët fosile të shteteve autokrate të cilat e përdorin për interesa të ngushta…Ndihma e menjëhershme buxhetore prej 75 milionë euro për Kosovën për ballafaqim me krizën energjetike është jetësim i kërkesave tona dhe i përkrahjes së BE-së për sektorin tonë energjetik.
Mbështetja jonë ndaj qytetarëve do të vazhdojë edhe pas vendimit të fundit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE)ku ndër të tjera do të subvencionojmë familjet për konsum të energjisë deri në 800 kilovatë orë në muaj, kurse grupet e cenueshme siç janë familjet në asistencë sociale do të kenë trajtim të veçantë. E me rreth 9 milionë euro kemi rinovuar e bërë efiçiente 70 ndërtesa publike, shkolla, çerdhe të fëmijëve, qendra shëndetësore e stacione të zjarrfikëseve, duke e rritur kështu komforin e duke e ulur konsumin e energjisë. Gjatë dimrit që tashmë po e lëmë pas kemi parë rezultate të menjëhershme të këtyre masave të cilat i kemi ndërmarrë si qeveri, falë mbështetjes së bashkëpunimit me Bashkimin Evropian (BE) këto masa të dëshmuara po e shumëfishojnë e ashtu edhe përfitimet për qytetarët e për bizneset e vendit tonë”, ka thënë Kurti. /Telegrafi/