Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se si do të shfrytëzohet pako emergjente 75 milionëshe e BE-së nga Republika e Kosovës.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Zëvendësshefi i Bashkëpunimit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi dhe Drejtori Menaxhues i Fondi i Kosovёs pёr Efiçiencё tё Energjisё, Ahmet Ismaili në takimin e të premtes, me 7 Prill, kanë mbajtur takim me Kryetarët e Komunave të Republikës së Kosovës.
Takimi është mbajtur me qëllim të bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional në mes të Qeverisë dhe komunave të Republikës së Kosovës. Janë diskutuar masat e pakos emergjente 75 milionëshe nga Bashkimi Evropian për përballje me krizën energjetike.
Me këtë rast janë prezantuar masat të cilat do të implementohen gjegjësisht nga ME, MFPT si dhe Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.
Nga Pakoja emergjente do të implementohen masat si në vijim:
• Subvencionimi i pajisjeve efiçente për familje në vlerë prej €10 milionë – i cili do të realizohet nga Ministria e Ekonomisë.
• Subvencionimi i pajisjeve efiçente për biznese të vogla e të mesme në vlerë prej €5 milionë – i cili do të realizohet nga Ministria e Ekonomisë.
• Mbështetja e drejtpërdrejtë financiare për familjet në nevojë në vlerë prej €25 milionë – që do të realizohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
• Mbështetja e drejtpërdrejtë financiare për nxitje të kursimit në vlerë prej €15 milionë – që do të realizohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
• Investimet në efiçiencë të shtëpive private të banimit në vlerë prej €10 milionë – që do të realizohet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë
• Investimet në efiçiencë të ndërtesave shumë-banesore të destinuara për banim social në vlerë prej €10 milionë – që do të realizohet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.
Subvencionet dhe Investimet hynë në fuqi menjëherë.
Kryetarët e komunave janë njoftuar që nga sot është e hapur thirrja për aplikim për masën e fundit, pra për investimet në efiçiencë të ndërtesave shumë-banesore të destinuara për banim social.
Këto masa kanë për qëllim të mbrojnë qytetarët dhe bizneset nga ndikimi i krizës energjetike evropiane duke rritur kursimin e efiçiencën, me fokus të veçantë tek qytetarët në nevojë.
Është thënë sipas njoftimit të bërë nga Ministria e Ekonomisë.









