Dy nga njësitë kryesore prodhuese të energjisë elektrike në vend, A3-shi i Termocentralit “Kosova A” dhe B2-shi i Termocentralit “Kosova B”, janë rikthyer me sukses në operim pas përfundimit të punimeve teknike dhe aktiviteteve të planifikuara të mirëmbajtjes, duke përmirësuar ndjeshëm gjendjen elektroenergjetike në Kosovë.
Njësia A3 e Termocentralit “Kosova A” është rikthyer në prodhim pas sanimit të rrjedhjeve të evidentuara në sistemin gypor të kaldajës dhe realizimit të aktiviteteve të tjera teknike. Njësia është sinkronizuar me sistemin elektroenergjetik dje rreth orës 10:00 dhe aktualisht operon në gjendje stabile, me kapacitetet e saj tashmë të nominuara në sistem.
Ndërkohë, njësia B2 e Termocentralit “Kosova B” ka rifilluar punën pas përfundimit me sukses të remontit të rregullt vjetor, të planifikuar sipas Bilancit Vjetor Elektroenergjetik 2026. Pas startimit në orët e pasdites, njësia është sinkronizuar me sukses në rrjetin energjetik rreth orës 20:00.
Sipas Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), rikthimi i të dy njësive është rezultat i angazhimit të jashtëzakonshëm, profesionalizmit dhe përkushtimit të stafit teknik dhe punonjësve të termocentraleve, të cilët kanë punuar intensivisht për realizimin e punimeve dhe garantimin e funksionimit të sigurt e të qëndrueshëm të kapaciteteve gjeneruese.
Gjatë periudhës së ndërhyrjeve janë kryer një sërë punimesh teknike dhe aktivitete mirëmbajtëse që synojnë rritjen e besueshmërisë operacionale, sigurisë teknike dhe performancës së njësive, duke krijuar kushte për operim stabil në periudhën në vijim.
Rikthimi në prodhim i njësive A3 dhe B2 konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm për sistemin elektroenergjetik të Kosovës, pasi rrit disponueshmërinë e kapaciteteve vendore prodhuese dhe kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike.
Aktualisht, në prodhim nga kapacitetet vendore janë blloku A3 dhe blloku A5 i termocentraleve Kosova A, dhe blloku B2 i termocentralit Kosova B. Kapaciteti i këtyre blloqeve bashkarisht është diku rreth 520 530 MW/h, ose B2 ka kapacitet 260 megavat dhe njësitë A3 dhe A5 kanë kapacitet nga 130 megavat për orë secili. Me rikthimin e A3 dhe B2 dhe rritjes së prodhimit vendor të energjisë elektrike, krijohen mundësitë për import shumë më të vogël sesa kur ishin jashtë operimit.
Paralelisht me operimet e përditshme, siç theksojnë nga KEK, po vazhdon realizimi i programit investiv në sektorin energjetik në katër dekadat e fundit, i cili përfshin modernizimin e njësive B1 dhe B2 në TC Kosova B, rehabilitimin dhe modernizimin e thellë të njësisë A3 në TC Kosova A, si dhe zhvillimin e parkut solar me kapacitet prej 100 megavatësh. /Buletini Ekonomik/











