Marrëveshjen 56 milionëshe me kompaninë amerikane për modernizimin e turbinave të Termocentralit Kosova B, kryeministri Albin Kurti e cilësoi si investim të përafërt me ndërtimin e një centrali të ri të energjisë elektrike. Punimet për “centralin e ri” të Kurtit pritet të fillojnë në dhjetor të këtij viti e të zgjasin deri në tetor të 2025’ës.
Kompania amerikane General Electric që kishte dizajnuar teknologjinë e turbinave të termocentralit Kosova B, ka nënshkruar të premten një marrëveshje me Korporatën Energjetike të Kosovës, për t’i modernizuar ato. Vlera e kësaj marrëveshje është 56 milionë euro.
Kryeministri Albin Kurti e cilësoi si një nga ngjarjet më të rëndësishme në sektorin e energjisë. Këto investime tha se rezultojnë në prodhim të shtuar të përafërt me ndërtimin e një centrali të ri të energjisë elektrike.
“Rëndësia e këtij modernizimi nuk mund të theksohen mjaftueshëm. Kapaciteti i njësive do të rritet nga 14 deri në 17 megavat. Pas rekonstruktimit që do të bëhen në Turbinën e Presionit të Lartë dhe atij të Ulët nuk do të kemi nevojë për riparime të shpeshta kapitale; ato do të jenë të nevojshme vetëm çdo 8 apo 9 vite. Në thelb, këto investime rezultojnë në prodhim të shtuar të përafërt me ndërtimin e një centrali të ri të energjisë elektrike. Rritja e prodhimit do të përkthehet në pavarësi më të madhe energjetike, duke ulur kështu varësinë ndaj importeve”, deklaroi Kryeministri.
Sipas Kurtit, ky investim do të ul edhe varësinë nga importi, meqë do të ketë më shumë prodhim.
“Ky investim do të rrisë kapacitetin e prodhimit për 30 MËdhe jetëgjatësinë e TC Kosova B, pa rritur emetimin e gazrave ndotës dhe nevojën për remonte të shpeshta. Më shumë prodhim, do të thotë më shumë pavarësi energjetike dhe më pak varësi ndaj importeve, më shumë siguri të furnizimit me rrymë dhe më pak shpenzime të buxhetit të shtetit”, shkroi Kurti në Facebook, një ditë pas marrëveshjes.
Por, për t’i parë këto rezultate, Kurtit do t’i duhet të pres gati dy vjet.
Bazuar në njoftimin për nënshkrim të kontratës që ishte publikuar në e-prokuroim, puna për modernizimin e këtyre dy turbinave do të fillojë më 30 dhjetor të këtij viti dhe do të zgjasë deri më 31 tetor të vitit 2025.
Aty ishin dhënë detaje edhe se çka përfshin saktësisht ky modernizim.
“Modernizimi i turbinave përfshin komplet rekonstruktimin e turbinës se presionit te larte (TPL) dhe turbinës se presionit te ulet (TPU) ndërsa turbina e presionit të mesëm (TPM) do ti nënshtrohet riparimit te zakonshëm kapital te saj”, thuhej në njoftim.
Nga Korporata Energjetike e Kosovës kanë deklaruar ky investim do të rrisë kapacitetin e prodhimit për 14-17 MW për njësi, pa emetime shtesë dhe ndikim negativ në ambient, si dhe do të zgjasë jetëgjatësinë e përdorimit të turbinave.
“Modernizimi do të zgjasë jetëgjatësinë e përdorimit të turbinave për 20 vite të tjera dhe do të zgjasë ciklin e jetës së riparimeve kapitale të tyre nga çdo 5 vjet në çdo 8-9 vjet. Ky investim do të na lejojë të vazhdojmë me kërkesën në rritje për energji elektrike duke siguruar që termocentralet tona të bëhen më efikase dhe më të besueshme. Me këtë projekt modernizimi, në po prezantojmë përparimet më të fundit teknologjike në inxhinierinë e termocentraleve për të rritur efikasitetin dhe produktivitetin e tyre, si dhe zbatimin e sistemeve të avancuara të kontrollit dhe monitorimit”, thanë nga KEK, pas nënshkrimit të marrëveshjes.