Çmime të larta të produkteve bujqësore në tregjet e gjelbra të kryeqytetit

Edhe këtyre ditëve në Prishtinë dominojnë perimet dhe pemët nga importi, por gjithsesi janë bërë më të shumta edhe ca perime dhe mollët e dredhëzat vendase. Nga perimet e prodhuara në tokat e bujqëve dhe kopshtarëve vendas, imponohet tani lakra e re, sallata e gjelbër, karrota dhe spinaqi, ndërsa nga pemët vendase dominojnë dredhëzat dhe mollët, të cilat vazhdojnë të kenë çmime të larta krahasuar me fuqinë blerëse të kientelës kosovare.

Buletini Ekonomik

Tregjet e gjelbra të Prishtinës, në këto ditë të para të majit, duken të jenë të furnizuara relativisht mirë me produktet bujqësore. Edhe këtyre ditëve dominojnë perimet dhe pemët nga importi, por gjithsesi janë bërë më të shumta edhe ca perime dhe mollët e dredhëzat vendase. Nga perimet e prodhuara në tokat e bujqëve dhe kopshtarëve vendas, imponohet tani lakra e re, sallata e gjelbër, karrota dhe spinaqi, ndërsa nga pemët vendase dominojnë dredhëzat dhe mollët, të cilat vazhdojnë të kenë çmime të larta krahasuar me fuqinë blerëse të kientelës kosovare.

Sot një amballazhim dredhzash që përafërsisht peshon rreth 400 gramë në Tregun e Gjelbër kryesor të kryeqytetit (te ndërtesa e RTK-së), kushtonte 1,20-1,30 deri në 1,50 euro, ndërsa një kilogram i spinaqit vendor tregtohej 70 centë deri në një euro. Sallata e gjelbër, e prodhuar goxha me shumicë në këtë periudhë nga kopshtarët kosovarë, thuaja ka standardizuar çmimin dhe dje shitej 50 centë, po aq sa ka kushtuar tani e dy-tre muajt e fundit.

Reklama e sponzorizuar

Nga perimet e importuara sot dominonin specat dhe domatet, të cilat tani në ditët e para të majit, siç theksojnë tregtarët e këtushëm, vijnë kryesisht nga Turqia, Greqia dhe më pak nga Shqipëria. Një kilogram i specave djegës sot ka pasur çmimin në tregjet e gjelbra të Prishtinës nga 1,5 deri në 2,5 euro, por në disa shtande ky lloj speci, sipas tregtarëve, “i importuar nga Greqia” tregtohej edhe me çmim 3 deri në 3,5 euro kilogrami. Ndërsa specat e padjegës, si gjihmonë kushtonin ndjeshëm më lirë dhe gjendeshin në shumicën e shtandeve me çmimin 1,5 euro për kilogram.

Nga pemët, mollët e cilësisë më të mirë, që tregtarët thonë se janë nga importi (Italia, Polonia, Maqedonia) kushtonin 1-1,2 euro kilogrami, ndërsa ato vendoret, të cilësisë së pëlqyeshme, shiteshin 80 centë. Mollët e cilësisë jo edhe aq të mirë, dhe që janë nga pemtarët tanë, tash dhe një kohë më të gjatë tregtohen në këto tregje me çmimin 50 centë kilogrami.

Bananja, një pemë që për vite të tëra në Kosovë kushton relativisht lirë, edhe pse është nga importi, tani kushton ndjeshëm më shtrenjtë. Një kilogram i bananeve të cilësisë së diskutueshme sot në këtë treg kushtonte 1,5 deri në 1,8 euro.

Fasulja, që kryesisht në tregjet e gjelbra të kryeqytetit tani është nga importi, kishte çmimin e ditëve të shkuara, ose 1 kilogram kushton nga 3-3,5 deri në 4 e 5 euro. Edhe sot, çmimi i qepëve vazhdonte të jetë shumë i lartë. Një kilogram qepësh të sivjetshme nga importi kushtonin 1,5 euro, ndëra një paketim, thes fare i vogël qepësh të vjetra (të vitit të kaluar) tregtohet dy dhe më shumë euro.

Duke i vrojtuar çmimet e produkteve bujqësore në tregun kryesor të Gjelbër të Prishtinës, shihet se pak a shumë çmimet vazhdojnë të mos lëvizin ndjeshëm, siç vazhdon të ndodhë me produktet elementare ushqimore, qoftë vendore, qoftë sosh nga importi, të tregtuara nëpër minimarketet, marketet dhe supermarketet e kryeqytetit, por edhe të mbarë vendit.

Tregu kryesor i Gjelbër në kryeqytet (te televizioni i Kosovës), që vazhdon të jetë akoma më i frekuentuari nga prishtinasit, siç ka qenë gjithmonë, është i furnizuar goxha mirë me produkte dominuese bujqësore dhe me perime edhe në këto ditë të para të pranverës. Në shtandet e këtij tregu gjenden praktikisht të gjitha perimet dhe pemët e mundshme, qoftë vendore, por edhe shumë sosh të importuara. Por, në këtë treg, në shtande të ndryshme, tregtohen edhe produkte të bylmetit, gjësende teknike, pjesë të ndryshme makinerish dhe pajisjesh shtëpiake dhe shumë produkte të tjera për nevojat shtëpiake. /Buletini Ekonomik/