Energjia e shitur nga Shqipëria për 40% më e lirë sesa energjia e importuar në vitin 2022

Shqipëria si net-importuese, energjinë të cilën arrinë ta shes në treg, e shet me çmim më të lirë.

Kriza e energjisë arriti kulmin e saj në verën e vitit të kaluar ku një MWh energji u shit deri në 1,047€/MW në Bursën e Hungarisë të cilës i referohet edhe Shqipëria.

Në mungesë të reshjeve sidomos gjatë 10 muajve të parë të vitit, vendi u detyrua të bënte importe të shumta të cilat vunë kompanitë e sistemit energjetik në vështirësi financiare. Gjithsesi përmirësimi i situatës në fund të vitit bëri që panorama të ndryshonte disi dhe vendin e importeve ta zinin eksportet.

Reklama e sponzorizuar

Por si qëndron diferenca e çmimeve në rastet kur kemi blerë dhe shitur energji?

Të dhënat tregojnë se në Shqipëri është shitur me një çmim 40% për qind më të lirë sesa çmimi mesatar në blerje. Kjo sigurisht ka të bëjë edhe me periudhën kur janë regjistruar këto blerje si dhe zhvillimet e përgjithshme në treg mbi disponueshmërinë e sasisë së energjisë.

Enti Rregullator i Energjisë në raportin e tij vjetor nënvizon se ka bërë “monitorim përmes raportimit periodik për blerjet e energjisë elektrike në treg të hapur nga shoqëritë pjesërisht të rregulluar KESH, ku rezulton se çmimi mesatar i ponderuar i blerjes së energjisë në treg të hapur nga shoqëria KESH, e ngarkuara me detyrimin e shërbimit publik është rreth 305.47 €/MWh, ndërkohë qe çmimi mesatar i ponderuar i shitjes së energjisë në treg të hapur nga shoqëria KESH rezulton me rreth 182 €/MWh”.

Sipas Entit, KESH gjatë vitit 2022 ka shitur/blerë dhe shkëmbyer energji elektrike në treg të parregulluar kryesisht për optimizim, në zbatim të “Rregullores së Tregtimit të Energjisë Elektrike nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare KESH” miratuar me Vendimin nr. 2762/8, datë 06.06.2019. Duke bërë një analizë të shifrave Enti konstaton se për 10-vjeçarin e fundit, vendi ynë rezulton të jetë përgjithësisht një importues neto i energjisë elektrike me përjashtim të viteve 2010, 2016, 2018 dhe në 2021.

Gjatë këtij viti panorama e energjisë ka ndryshuar plotësisht të paktën në këto muaj të parë të 2023-it ku për shkak të prodhimit të lartë KESH ka zhvilluar disa procedura shitjeje në janar-shkurt. Më pas njoftoi për një procedurë blerjeje afatgjatë dhe hapjen e negociatave për blerjen e karburantit që do të jetë në dispozicion për dy TEC-et lundrues të vendosur në Gjirin e Vlorës dhe të licencuar së fundmi nga Enti.

Aktualisht çmimet në bursa të energjisë mbeten relativisht të ulëta në raport me një vit më parë teksa në vend ka nisur operimin edhe Bursa Shqiptare e Energjisë. Në këtë bursë po tregtohen volume të vogla energjie me pjesëmarrjen e kompanive shtetërore.

Në datën 21 prill një MWh energji u shit me një çmim maksimal 217€/MWh dhe me një çmim minimal prej 97€/MWh.

Deri më tani nëse i referohemi çmimeve në bursa për KESH është më i leverdishëm blerja në treg të lirë nëse ka nevojë për importe teksa prodhimi nga TEC-et lundrues mund të lindë si nevojë në sezonin e verës kur do të jetë edhe piku i konsumit por edhe çmimet mund të kenë një tendencë rritëse.
//monitori.al