Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi mbetet në paraburgim

Gjykatës Supreme të mërkurën e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë ndaj të pandehurit N.K., të paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës.

Supremja e ka vlerësuar si të pabazuar kërkesën e mbrojtjes për lirimin nga paraburgimi të Krasniqit.

“Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë ndaj të pandehurit N.K., të paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës. Në çështjen penale ndaj të pandehurit N.K., për shkak të veprave penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrimi i ndikimit, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, konflikti i interesit, duke vendosur përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të pandehurit, avokatët Virtyt Ibrahimaga dhe Taulant Ferizi, në seancën e mbajtur më datë 16.05.2023, kolegji i Gjykatës Supreme vendosi për refuzimin e kësaj kërkese”, thuhet në njoftimin e Supremes.

Reklama e sponzorizuar

Ndryshe, Krasniqi u arrestua më 19 prill nën dyshimin e keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesit.

“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuter, një llap-top, një celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”, kishte njoftuar prokuroria.

Disa ditë më vonë, Bordi i Drejtorëve të KEK-ut mori vendim për pezullimin e Nagip Krasniqit nga detyra e punës së kryeshefit ekzekutiv, me efekt të menjëhershëm. /Telegrafi/