KEK-u konfirmon rënien e Bllokut A5: Do të kthehet në operim së shpejti

Zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Skënder Bucolli, ka konfirmuar se Njësia A-5 ka dalë jashtë funksionit.

Ai ka thënë se së shpejti Blloku A-5 do të kthehet në operim.

“Korporata Energjetike e Kosovës ju njofton se njësia A5 pas remontit kapital ka hyrë në operim me datë: 06.05.2023 dhe ka qenë në fazë testuese. Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar të gjitha vërejtjet të cilat janë në fazën e eliminimit dhe njësia pritet të kthehet në operim së shpejti. Për më tepër, pas remonteve kapitale janë të planifikuara-nevojshme ndaljet për eliminimin e vërejtjeve për operim të sigurt të njësisë përkatëse”, tha ai për KosovaPress.

Reklama e sponzorizuar

Ndryshe, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ironizoi sot me ministren Rizvanolli, duke thënë se dhurata i zgjati pak ministres.

“Pa u bë ende 10 ditë, blloku A5 del prapë jashtë funksionit. Thoshin se do të ndalet ”gjakderdhja financiare”, këta duan me i qitë në ”komë” ndërmarrjet publike. Ministrja e pat cilësuar dhuratë kthimin në punë të bllokut A5, doli të jetë dhuratë, se vetëm dhuratat zgjasin kaq pak. Për qëndrueshmëri duhet punë konsistente – don me ju shkua mandati pa e kuptua këtë gjë”, ka shkruar Bajrami.