Kontraktorët turq, po përqendrohen më shumë në tregjet në vendet e Ballkanit, në mes të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.
Së fundmi, kompanitë turke fituan një tender me vlerë 266 milionë euro, për të ndërtuar një pjesë të një autostrade në Rumani.
Me këtë marrëveshje të fundit, vlera e projekteve, që u është dhënë kontraktorëve turq në këtë vend, arriti në 2.5 miliardë euro në katër muajt e fundit.
Për shkak të problemeve në tregjet e Afrikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme, si dhe nga lufta e vazhdueshme në Ukrainë, kompanitë turke të ndërtimit po i drejtohen gjithnjë e më shumë tregjeve europiane për të bërë biznes, ku Rumania dhe Bullgaria janë bërë destinacione kryesore për ta.
“Kombet e Ballkanit ofrojnë mundësi të rëndësishme,” tha Erdal Eren, kreu i Shoqatës së Kontraktorëve Turk.
Kompanitë turke mund të konkurrojnë për projekte me vlerë 3 miliardë dollarë në Rumani së shpejti, shtoi ai.
Sipas të dhënave nga Ministria e Tregtisë, deri më tani vlera e projekteve, që kontraktorët turq kanë marrë përsipër në vendet e Ballkanit, duke përfshirë Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Kosovën, Serbinë, Rumaninë, Slloveninë dhe Greqinë, arriti në 19.2 miliardë dollarë, 4 % e të gjitha kontratave që kompanitë turke kanë marrë jashtë vendit.
Që nga fillimi i vitit 2023, kontraktorëve turq u dhanë disa projekte të mëdha në Rumani.
Dy firma lokale, Makyol dhe Yapı Merkezi, fituan një tender për të ndërtuar një pjesë të autostradës Sibiu-Faragas.
Një konsorcium, i cili përfshin Gülermak, iu dha një kontratë 1.8 miliardë euro për të ndërtuar linjën e metrosë Cluj-Napoca.
Gülermak fitoi gjithashtu një tender, së bashku me kompaninë rumune Somet për ndërtimin e metrosë në kryeqytetin Bukuresht, me një ofertë 260 milionë euro.
Në shkurt, Esta dhe Günal Group fituan një tender për një projekt rrugor në këtë vend.
Që nga viti 1972, kompanitë vendase kanë ndërmarrë gjithsej 197 projekte me vlerë 6.7 miliardë dollarë në Rumani.
Në Bullgari, kontraktorëve turq iu dhanë 75 kontrata me vlerë 2.2 miliardë dollarë në pesë dekadat e fundit.
Kontraktorët turq pritet të marrin përsipër projekte me vlerë 20 miliardë dollarë jashtë vendit këtë vit, tha Eren.
Në katër muajt e parë të vitit 2023, kompanive turke iu dhanë gjithsej 68 kontrata me vlerë 4.8 miliardë dollarë.
Nga viti 1972 deri në fund të prillit 2023, kontraktorët turq kanë ndërmarrë rreth 12,000 projekte në 133 vende, me një vlerë totale prej 478 miliardë dollarësh, sipas të dhënave nga Ministria e Tregtisë. /Hurriyet Daily News/